AKTUALITET

Kush është biznesmeni i njohur i Elbasanit që përplasi policinë me makinë të blinduar

14:41 - 19.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Policia ka zbardhur ngjarjen e mbrëmshme në Elbasan dhe ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur Petrit Çela, pronar i tregut agro-ushqimor në këtë qytet. Një natë më parë, makina në pronësi të tij, një Audi A8 e blinduar goditi makinën e policisë.

Nuk dihet nëse në drejtim të mjetit ka qenë vetë z.Cela apo i biri, Suel Çela. Burimet thanë se policia është goditur në shenjë revolte pasi janë sekuestruar makinat luksoze. Gjate operacionit të mbrëmshëm policor në brendësi të tregut ushqimor janë sekuestruar 7 makina luksoze, 3 prej tyre të blinduara.

Akuza politike

Lidhur me ngjarjen e djeshme në Elbasan pati dhe një akuzë politike nga kreu i opozitës Lulzim Basha. Ai tha se policia është goditur nga dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

“Kur krimi i veshur me pushtet dhunon vete policine, vetingu duhet te nise nga kryeministri, ministri i brendshem e kryebashkiaket te bere njesh me bandat”, shkruan Basha ndërsa publikon edhe një SMS të një qytetari nga Elbasani.

“Kryetar mirmbrema. Sot ne Elbasan dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari me Suel Çelën me makine te blinduar kane goditur makinen e zv.drejtorit te policise Elbasan. Kjo pasi nje pike kontrolli ka kontrolluar disa ushtare te tyre”.

Por, policia e mohoi përfshirjen e Sokol Sanxhaktarit në këtë ngjarje, duke thënë se makina që goditi policinë është në pronësi të biznesmenit Çela.

Ngjarja

Mbrëmjen e djeshme, afër mesnatës policia ka qenë duke zhvilluar një kontroll për verifikimin e mjeteve luksoze apo të dyshuara të trafikuara. Gjatë kontrollit në automjetin luksoz me targa AA 040 OJ me vlerë 100.000 Euro, drejtuesit të mjetit iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit.

Në momentin që ky automjet po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një Patrullë Policie, një mjet tip “Audi” vjen me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe godet mjetin e Policisë me targa MB 002 AA . Më pas mjeti që goditi policinë u fut në Tregun Ushqimor në pronësi të Petrit Çelës, shkruan Opinion.al

Veprimet e policisë

Policia ka arritur të ndalojë dy personat që gjenden në mjetin luksoz “Range Rover”, përkatësisht shoferin Kelmend Xhaferri dhe pasagjerin Ledio Zabeli. Po kështu është ndaluar edhe roja i tregut ushqimor.Ngjarja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe me urdhër të saj janë prerë fletë-arrestet për personat e ndaluar:

1.Ledio Zabeli, 26 vjeç banues në Elbasan që ishte pasagjer në mjetin tip “Range Rover” me targa AA 040 OJ që drejtohej nga shtetasi Kelmend Xhaferri. Gjatë kontrollit të banesës iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi materiali bimor i dyshuar Cannabis Sativa. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

2.Kelmend Xhaferri, 35 vjeç banues në Elbasan. Gjatë kontrollit të banesës, të ushtruar nga efektivat e policisë grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një pushkë sportive pa leje. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

3. Valmir Dedja, 44 vjeç banues në Elbasan, me detyrë roje i tregut Agro – Ushqimor. Ai ka kundërshtuar urdhrin e Punonjësit të Policisë duke mos lejuar hapjen e derës së tregut.

Hetimet për biznesmenin

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se makina tip “Audi” me targa AA 795 EP, e blinduar që goditi mjetin e policisë me targa MB 002 AA është në pronësi të biznesmenit të njohur në Elbasan, Petrit Çela. Policia thotë se e ka shpallur në kërkim dhe po punon për arrestimin e tij.

“Audi” i blinduar që goditi policinë është sekuestruar dhe ndodhet në komisariat.

Po kështu në tregun agro-ushqimor në pronësi të Çelës janë gjetur dhe sekuestruar 7 mjete luksoze, 3 prej tyre të blinduara.

Makinat e sekuestruara

Mjeti tip “Audi” me targa AA 862 OI në pronësi të shtetases E.Xh

Mjeti tip “Range Rover” me targa AA 040 OJ në pronësi të shtetasit P.Ç

Mjeti tip Golf me targa AA 097 SA në pronësi të shtetasit E.H

Mjeti tip “Toyota” me targa AA 814 GN, i dyshuar i blinduar në pronësi të shtetasit G. N

Mjeti tip “Audi’” A8 i dyshuar i blinduar me targa AA 478 PV në pronësi të shtetasit P.Ç.

Mjeti tip “Audi” A8 i dyshuar i blinduar, me targa AA 795 EP në përdorim nga P.Ç

Mjeti tip “Golf” me targa AA 637 KD, në pronësi të shtetasit A. M.

Policia e Shtetit bën të ditur se po vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe vijojnë kontrollet për kapjen e drejtuesit të mjetit që goditi Policinë. /Opinion.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.