KULTURË

Opera e Olsa Toqit, kompozitorja: Si u bëra pjesë e ‘Giacomo Pucini’

10:10 - 19.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 
Është shpallur si një nga 10 kompozitorët që janë pjesë e Kursit Ndërkombëtar të Operës “Giacomo Puçini”, një kurs që mbledh kompozitorë (me ose pa diplomë akademike) të gatshëm për të hulumtuar tërësisht të gjitha teknikat e kompozicionit që përdoren në muzikën e operës sot, duke u fokusuar si në traditën italiane dhe në zhvillimet bashkëkohore ndërkombëtare të këtij zhanri.
Qëllimi i kursit është vijimi i traditës së operës, duke pasur si objektiv realizimin e operave të reja e duke kapërcyer të kaluarën dhe të ardhmen me një vizion të ri dhe magjepsës.
Olsa Toqi, kompozitorja e re shqiptare, nuk është e panjohur për publikun shqiptar. Ajo është shpallur fituese e festivalit të RTSH-së me këngën “Përrallë”. Pjesa e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të zhanrit operistik kontemporan, siç është “Internacional Opera Giacomo Puçini”, që u mbajt në Luça, Toqi u përzgjodh ndër shumë kompozitorë pjesëmarrës nga e gjithë bota në 10-shen më të mirë me anë të projektit të saj operistik!
E pyetur nga “GSH”, se cili është projekti i saj, Olsa tha dje se “kam kompozuar një opera që titullohet “Meladrama”, duke konkurruar me shumë kompozitorë nga e gjithë bota, nën kujdesin e kompozitorit Girolamo D’eraco, drejtor i Clauster Italia. “Opera është zhanër kontemporan, me melodi klasike, por me strukturë kontemporane. U zgjodha në dhjetëshen më të mirë që u pranua për të ndjekur këtë kurs-konkurs”.


Meladrama
Pjesa që ajo ka kompozuar është inversi i historisë së Evës dhe Adamit. “Jemi sërish me Evën, këtë herë për herë të dytë pasi njerëzimi është iluminuar dhe nuk bëjnë gabime. Duan të jenë të barabartë me njëri-tjetrin”, thotë kompozitorja për “GSH”.
Në veprën e saj një personazh i ri, kafshon mollën, por ndryshe nga zanafilla, personazhi pasi kafshon mollën, në vend që të vishet diç bën në historinë klasike, zhvishet.
“Pra, kur Eva, siç e dimë ne, kafshon mollën merr koshiencë dhe fillon të mbulohet, ky personazh fillon zbulohet. Është inversi dhe mbase kjo e bën interesante”, thotë kompozitorja, që shton se “Aktet e tjera deri në kafshimin e frutit të ndaluar do të jenë përshkrime të historive surreale”.
Është nga molla, mela, që ajo merr edhe titullin “Meladrama”.
Opera e saj do jetë 40 minuta.
Gjithçka nisi në muajin maj, kur mësoi që mbahej ky konkurs. Një muaj më vonë iu bë e ditur që duhej të ikte më 16 korrik në Luça, sepse ishte përzgjedhur në dhjetëshe. “Ishin 16 ditë intensive ku nën mbikëqyrjen e Girolamo D’eracos duhet të zhvilloja idenë e dramës dhe idenë e melodisë”, thotë Olsa.
Girolamo D’eraco është kompozitori i parë kontemporan që ka kompozuar operën e famshme në të gjithë botën pasi është vetëm 8 sekonda. “Është i pari që ka kompozuar operën më të shkurtër në botë”, thotë ajo. Konkurrentët e tjerë i kanë mbuluar shtetet e tyre me bursa, ndërsa Olsa pasi i janë mbyllur një palë dyer, ka vendosur të ecë e vetme.
Pjesëmarrësit e kursit ndërkombëtar “Giacomo Pucini” do të thellohen te aspektet e ndryshme të kompozimit për teatrin e “Operës”. Në fund të kursit, çdo pjesëmarrës duhet të paraqesë një projekt të plotë për një pjesë të re opere, duke shkruar një pjesë të muzikës për zë e piano (së paku 20 minutëshe). Dy projekte do të zgjidhen dhe duhet të finalizohen deri më 30 shtator 2017 për t’u prodhuar dhe vënë në skenën e Festivalit të Ditëve të Puçinit 2017, Luça, nëntor/dhjetor. Projektet e mbetura do të përfundohen nga kompozitorët për të qenë pjesë e “Festivalit Ndërkombëtar të Operës së Dhomës – WEC në 2018”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.