KULTURË

Sylvia Plath, “Kambana e qelqtë” e Lady Lazarus, një roman mes dy vetëvrasjeve

10:24 - 19.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira Nikolli

A ishte Sylvia Plath Lady Lazarus? Duke marrë shkas nga një artikull i “New York Times”, ku thuhet se “duke i dhënë fund jetës së saj, u dha lexuesve shkasin makabër për t’u interesuar për veprën e saj”, duke se në një farë mënyre gjen tek ajo ringjalljen e të vdekurit, përmes letërsisë, veçse kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Me vdekjen ajo ktheu shikimin nga letërsia e saj, por duke mbyllur sytë e vet, duke bërë të vdesin me të “letërsitë”, që do të mund të shkruante, nëse vuajtja e saj nuk do ta vinte përfund. Kostoja është tepër e madhe. Barra është e rëndë si pesha që ajo ndjeu në vitet e pakta të jetës që jetoi, të asaj jete mes dy vdekjeve.
Lady Lazarus në romanin “Kambana e qelqtë” përçon historinë e saj. Lufta me depresionin ka qenë e gjatë, derisa në fund e mundi, e mundi kur ajo humbi apo iu duk se humbi një aleat të fortë, bashkëshortin (poet) Ted Hughes.
I kishin premtuar njëri-tjetrit “derisa vdekja të na ndajë”, e si për përmbushur këtë, ajo i dha fund jetës. Para këtij çasti, në jetën e saj, Plath kishte kaluar momente të vështira. Vetë “Kambana e qelqtë” hedh dritë mbi disa prej tyre dhe mbi vetë Sylvian që në roman thotë: “Nëse të qenit neurotike do të thotë të duash dy gjëra, që në të njëjtën kohë e përjashtojnë njëra-tjetrën, atëherë unë jam neurotike si dreqi. Dhe për sa të kem jetë, unë do të rend pra, pas këtyre gjërave që përjashtojnë njëra-tjetrën”.
Kambana e qelqtë
“Kambana e qelqtë” është një roman në të cilin autorja rrëfen ngjarjet e jetës së saj në moshën 20-vjeçare; orvatjen e saj për vetëvrasje dhe rikthimin në jetë me paterica. Është një roman i jashtëzakonshëm, po aq i hidhur dhe i pamëshirshëm sa dhe poezitë e saj të fundit. Fitzgerald-i e kishte zakon të thoshte se ai shkruante me “autoritetin e dështimit”. Ky autoritet e shënjoi akoma më shumë veprën e Plath, duke ia mbërritur të shënojë edhe jetën e fundin e saj. Në vijim të analizës së saj, “NY.Times”, shkruan se veprat e saj nuk na erdhën pas vdekjes. Ato u shkruan pas vdekjes. Midis vetëvrasjeve. Plath-i shkroi romanin e saj të vetëm dhe poezitë e Ariel-it si ndër ethe, si një njeri që mbahej në jetë me paterica dhe e dinte që ato po thyheshin. “A duhet të jemi mirënjohës për gjëra të tilla? A mund ta pranojmë çmimin që pagoi për atë që na fali? A është vërtet art vdekja?”- pyet “NY.Times”,
Romani “Kambana e qelqtë” i Sylvia Plath ka ardhur në shqip nën siglën e “Botimeve Pegi” me përkthimin e Davjola Ndojës.
Ka shitur miliona kopje që prej botimit të tij dhe është një nga romanet më të lexuara dhe të komentuara në shkollat amerikane. I ekranizuar së pari më 1979, një tjetër ekranizim pritet të dalë së shpejti.
Në qendër është Esteri, një studente e shkëlqyer, një vajzë e bukur dhe e talentuar, së cilës sapo i është dhënë mundësia e rrallë të bëjë një stazh në një revistë të famshme në Nju Jork. Ajo ndien një përzierje ngazëllimi dhe tmerri, si pothuajse çdokush që është shpërngulur nga një rrethinë drejt një qyteti të madh, sidomos nëse kjo shpërngulje ndodh në moshë të re. Të gjithë jemi bërë spektatorë të “çudive metropolitane”, duke pritur në mënyrë të pavetëdijshme çastin kur instinktet tona do të na vijnë në ndihmë. Të gjithë jemi dehur, kemi kërcyer apo kemi vjellë. Zakonisht kemi shpëtuar paq, pakëz më të pjekur dhe fatmirësisht të pacenuar. Ndërkohë, ka edhe nga ata që kanë kaluar nëpër shtigje të tjera, nga ata që rrjedha e jetës nuk i ka lëshuar në asnjë breg. E kështu, janë fundosur, pak nga pak. Dhe Esteri po fundoset, fshehurazi e për arsye që as vetë nuk i ka krejt të qarta. Ajo do të shkëputet nga realiteti rrethues, duke u izoluar pak nga pak, me shpresë që të përmbajë dhimbjen e vazhdueshme e të pakuptueshme që personifikon tashmë vetë jetën. Ndoshta “Kambana e qelqtë” rrëfen historinë e dikujt që po zbulon se të qenit gjatë gjithë kohës “i përkryer”, apo edhe thjesht “i mirë”, nuk është e thjeshtë, e pranueshme apo edhe e përballueshme në afat të gjatë. Në kryeveprën e saj të njohur e të gjithëkohshme, Sylvia Plath tinëzisht e tërheq lexuesin brenda shkatërrimit të Esterit, dhe e bën me një forcë të tillë, sa marrëzia e saj bëhet e prekshme, e vërtetë, pothuajse racionale. Ky depërtim i thellë në skutat më të errëta e më pikëlluese të psikikës njerëzore, është një nga arritjet më të jashtëzakonshme të letërsisë.
Autorja
Sylvia Plath (1932 -1963) ishte një poete dhe shkrimtare amerikane. Ajo lindi në Boston dhe studioi në Smith College dhe në Universitetin e Cambridge-it, para se të njihej ndërkombëtarisht si një nga poetet dhe shkrimtaret e reja më premtuese. Në vitin 1956 u martua me poetin Ted Hughes, me të cilin jetoi derisa u ndanë në shtator të vitit 1962. Jetuan së bashku në ShBA dhe në Angli dhe patën dy fëmijë, Frieda dhe Nicholas. Në pjesën më të madhe të jetës së saj, Plath-i vuajti nga depresioni patologjik dhe u trajtua disa herë me terapitë e elektroshokut. Ajo i dha fund jetës në vitin 1963. Plath-i njihet si një nga poetet më të rëndësishme në zhanrin e lirikës vetërrëfyese dhe njihet kryesisht për dy përmbledhje me poezi, The Colossus and Other Poems dhe Ariel. “Kambana e qelqtë”, proza e saj e vetme, gjysmë autobiografike, u botua pak muaj para vdekjes. Në vitin 1982, ajo u nderua me çmimin Pulitzer për të gjitha poezitë e saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.