KULTURË

“Vdes siç vdes një vend” dhe Shqipëria nën regjim e në 97-ën

09:29 - 19.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Vepra “Vdes siç vdes një vend” e autorit grek Dimitris Dimitriadis, çel sezonin artistik në Teatrin Kombëtar, në regji të Rozi Kostanit dhe aktorë kryesorë Alfred Trebickën e Rozi Kostanin, e cila do mbajë dy role njëkohësisht, atë të regjisores dhe aktores, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e disa prej artistëve më të njohur nga eksperienca e teatrit dhe kinematografisë ndërkombëtare, që kanë mbajtur peshën e regjisë dhe aktrimit të një vepre. Premiera e shfaqjes hapet në 21 shtator dhe do vazhdojë për katër netë, në datat 21, 22, 23 e 24 shtator. Realizimi i këtij projekti u mbështet nga Bashkia e Tiranës. Vepra në fjalë është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese Zenit, në përkthim të Eleana Zhakos, e cila kishte dhe nismën e sjelljes së kësaj vepre në skenën e teatrit shqiptar.
VEPRA
“Vdes siç vdes një vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit e saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore. Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne ku me një vërtetësi rrëqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet Vendi i Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, i fanatizmit ideologjik dhe fetar, i mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, i shterpësisë krijuese dhe shpirtërore. Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha, vendi dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve te Majit ’68 në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë, gjallonin ende si fantazma të pakallura.
Sjellja e veprës në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar. “Vdes siç vdes një vend” është dhe parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e ’97-ës nuk i përkasin një filmi bardhë e zi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për t’u ngjitur në skenën e “teatrit të maskave”. Ajo që Dimitriadis përshkruan si “Mesjeta e Mitrës”, në kontekstin shqiptar mund të përshkruhet si “Mesjeta Shqiptare”: bunkerizimi i truve të njerëzve, karrige elektrike që varen në ajër mbi kokat e njerëzve, që kanë vetëm dy emra “miq” dhe “armiq të popullit”, tufëzimi i njerëzve në kooperativa financiare piramidale, çetëzimi i njerëzve sipas parullës: “vetë zot, vetë shkop”, kallashnikovizimi i tyre deri në dhëmbë, politikanë të krimbur në para, kanonizim i fjalës “plumb qorr”, jetë për dhjam qeni, “Shqipëria e kontradiktës, e luftës, e errësirës, mashtrimit, ahengut dhe biznesit”.
Njeriu – vend i Dimitriadis zbret në Hadin e skutave më të errëta të psikikës njerëzore dhe na sjell një rrëfim nga ferri i të gjallëve. Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”. Nëse një vend është pre e grykësisë së politikanëve të saj makbethianë, nëse flijon trupat e arsyes, vetënjohjes, lirisë, artin e të jetuarit, të të krijuarit, të njohjes dhe pranimit të tjetrit për të ndërtuar kështjella paranojake, ai është i destinuar “të jetojë nën dritën e një ylli të vdekur”.
AUTORI
Sikurse ajo thotë: “Vdes siç vdes një vend”, është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letërsisë dhe teatrit bashkëkohor evropian. Krahas veprës së tij teatrale, Dimitriadis shquhet si poet, prozator, eseist dhe konsiderohet si përkthyesi më i mirë i autorëve të tillë si: Maurice Blanchot, Georges Bataille, Jean Genet, Jean Paul Sartre, Marguerite Duras, Samuel Beckett, etj. Fama e Dimitriadis në skenën e teatrit evropian i detyrohet kryesisht zbulimit të tij prej Patrice Chéreau, një nga regjisorët më të talentuar evropianë të 40-të viteve të fundit. Pak kohë pas ngjarjeve të Majit të ’68-ës, vepra e parë e Dimitriadis “Çmimi i revoltës në tregun e zi” (Le prix de la révolte au marché noir), u ngjit në skenën e Theatre de la Commune d’Aubervilliers në Paris në regjinë e Chéreau dhe admirimin e spektatorëve të tillë, si Jean Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir.
Gjatë periudhës kohore 1990 – 2000, veprat e Dimitriadis fillojnë të rishfaqen në teatrin francez, ndërkohë që në Greqi konsiderohej ende si “shkrimtar periferik”, për shkak të rebelimit të tij ndaj “rregullit të estetikës realiste”, që mbizotëronte deri atëherë në teatrin grek. Por, suksesi më i madh i Dimitriadis erdhi me ngjitjen e veprës së tij të përkthyer në shumë gjuhë “Vdes siç vdes një vend” në skenën famshme të Teatrit “Odeon” të Parisit në vitin 2010, si dhe nderimin e tij si “Autori Bashkëkohor i Vitit” në Paris. Veprat e tij janë përkthyer në anglisht, arabisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, katalanisht, portugalisht, rumanisht, rusisht dhe kryesisht në frëngjisht. Njohja e tij në Francë solli një ndryshim rrënjësor në riperceptimin e “Dimitriadit teatror” në Greqi. Performanca të kësaj vepre janë dhënë në shumë skena evropiane, në Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Spanjë, Poloni, etj.
Aktorë që interpretojnë në pjesë janë Alfred Trebicka, Rozi Kostani, Violeta Trebicka, Ina Morinaj, Benada Mulla, Silvio Goskova, Lejda Celi, Artan Skenderasi, Kesina Lami, Arild Stafa, Jona Hoxha, Armando Mehmeti .
(Video Barraka Production- Fotografia: Edvina Meta)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.