Show-Bizz

Ervin Bejleri: Aktrimi, pasioni dhe mënyra ime e jetesës

10:41 - 20.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali
E kemi parë në teatër, në filma, si aktor humori dhe si moderator. Bëhet fjalë për Ervin Bejlerin. Ai vjen në një rrëfim për suplementin “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, duke ndarë me ne dashurinë që ka për aktrimin, rolet e shumta si dhe projektet e reja. Për të aktrimi ka nisur që në periudhën e gjimnazit, për t’u bërë më vonë pasioni i tij më i madh. I pyetur se nëse do t’i duhej të zgjidhte mes një roli në teatër dhe filmit kë do zgjidhte, Bejleri pohon se e ka të vështirë të veçojë njërin apo tjetrin, pasi i bën me kënaqësi dhe përkushtim të dyja. Nëse do ishte kthyer pas në kohë, ai do kishte zgjedhur t’i kthehej sërish rolit të Mark Alemit në “Pallati i Ëndrrave”, ose Merkutios te “Romeo e Zhulieta”. Kur flet për Olën, bashkëshorten me të njëjtin profil në aktrim, Ervini shprehet se nuk ka më mirë se të marrë këshilla prej një profesionisteje si ajo. Së fundmi, aktori na flet për projektin më të ri në “IN Tv”. Bejleri do i rikthehet sërish televizionit, e këtë herë me një format humori të quajtur “Kolaudim”. Mjaft surpriza dhe të papritura rezervon ky projekt i ri, për të cilin Ervin Bejleri ndihet shumë entuziast.





Si ka lindur dashuria për aktrimin?
Fare rastësisht, si çdo pasion që ka nevojë për një shtysë. Por nuk mund të them që e kisha si pasion, por u formua dalëngadalë nga një këmbëngulje e mësueses sime të Letërsisë në gjimnaz. Ajo ishte e fiksuar që unë duhej të luaja në një pjesë konkurruese në festivalin e teatrit të të rinjve që zhvillohej çdo vit mes gjimnazeve. Dhe, me gjithë kundërshtimet e mia – kam qenë shumë i turpshëm (qesh) – ajo arriti të ma mbushte mendjen. Mendoja asokohe që nuk kisha asnjë lidhje me këtë profesion, që do të bëhej fatkeqësisht dhe fatmirësisht pasioni dhe mënyra ime e jetesës në Shqipëri.
Cili ka qenë roli juaj i preferuar?
Janë të gjithë të preferuar. Janë krijesat e mia të vogla e të mëdha. U kam dhënë jetë dhe më kanë marrë, anasjelltas. Janë si frymëmarrja: a mund ta ndash se cila frymëmarrje është më e preferuar apo e rëndësishme për ty?! Dhe shpresoj që si frymëmarrja edhe rolet në jetën time të pushojnë të dyja njëkohësisht. Sa më larg qoftë, ishallah… (qesh)
Po ai që mendoni se nuk e keni realizuar siç duhet?
Asnjë… për kohën që janë realizuar. Sigurisht, me kalimin e viteve aktori piqet, plotësohet, dhe këndvështrimi i gjërave kalon në dimensione të tjera.
Nëse do zgjidhnit mes një roli në film dhe teatrit, cili do ishte zgjedhja e Ervinit?
Janë fusha pak a shumë të ndryshme pune, interpretimi dhe emocioni. Unë nuk do t’i veçoja dot, i bëj me kënaqësi dhe pasion të dyja.


Keni pasur momente të sikletshme në aktrim?
Ka dhe do të ketë gjithmonë. Vështirësia në perceptim, kërkim dhe krijim të çdo personazhi i përngjet një udhëtimi në xhungël ku ti i ke të gjitha mjetet e jetesës pak a shumë, por duhet t’i vësh në funksion të mbijetesës tënde, pra të personazhit që krijon.
Nëse do e kthenit kohën pas, do i ktheheshit sërish ndonjë roli?
Janë disa role që do doja t’u kthehesha. Roli i Mark Alemit në “Pallatin e Ëndrrave” ose ai i Merkutios te “Romeo e Zhulieta”… Role që i mendoj vazhdimisht kur do kem mundësi t’i ngjis sërish në skenë.
Do riktheheni në ekran me një emision humori. Si ndihet Ervini tashmë si moderator, përballë kolegëve që drejtojnë formate humori?
Jashtëzakonisht komod dhe entuziast! Janë staf i mrekullueshëm, ashtu siç do kërkonte çdo profesionist t’i kishte kolegë. Mateo, Marseli, Brentoni, Karolina, Genci, Graciela. Por, në përgjithësi ngrohtësia dhe profesionalizmi i “IN Tv” më ka lënë pa fjalë. Është si një familje ku çdokush kujdeset për tjetrin nisur nga dashamirësia dhe profesionalizmi, dhe jo nga servilizmi apo egoizmi i tepruar siç ndodh rëndom në këtë vend.
Emisioni juaj mban emrin “Kolaudim”. Pse është zgjedhur pikërisht ky emër?
Fare rastësisht. Po mendonim për një emër të ri me Mateon, dhe ajo për të cilën çdo djalë shqetësohet kur nget makinën dhe sheh ndonjë polic rrugor përballë është, a i ka në rregull dokumentet dhe a e ka bërë kolaudimin. Është procedurë që, po s’e pate, shteti mund të të gjobisë, por ajo që është më e rëndësishme është një proces që duhet ta kalosh edhe për sigurinë e kokës tënde, kur i thonë. Kështu që, ky mendoj se është edhe qëllimi i emisionit tonë në njëfarë mënyre, të “kolaudoj” hallet dhe problemet që ka sot shoqëria shqiptare. Por, në radhë të parë duke filluar nga lart… po nga lart fare ama (qesh).
Sa e vështirë është bashkëjetesa mes dy aktorëve? A debatoni shpesh?
Me Olën si aktore debatoj, kurse si grua dashurohem dhe zihem (qesh). Absolutisht nuk është e vështirë. Ku ka më mirë se ta kesh bashkëshorten në të njëjtin profesion! Ku për çdo ide e mendim për profesionin që ti ke pasion, të kesh një këshillë profesioniste të sinqertë e pa doreza nga njeriu që ti ke dhe ke për të pasur përjetë në krah.
Jeni babai i një vajze; do donit që ajo të ndiqte rrugën tuaj?
Nuk e di ende se ç’do të bëhet Zahara Coco kur të rritet. Është e vogël, e megjithatë ka plot ëndrra që do t’i realizojë. Përgjithësisht, duke pasur dy prindër aktorë, ajo gjithmonë ka hedhur idenë që kur të rritet të bëhet dikush me një profesion me të ardhura shumë të mira financiare (qesh). Dhe pikërisht këtu ne nuk ndërhyjmë fare…fare…fare (qesh përsëri).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.