EKONOMI

Sot nis aksioni, ndërtimet anash rrugëve, ja cilat rrezikojnë shembjen, 15 ditë kohë për lirimin e ambientit

10:28 - 20.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ndërtimet anash rrugëve që cenojnë sigurinë do të shemben brenda 15 ditëve. Sot nis aksioni për evidentimin e objekteve në terren. Pronarët kanë vetëm 15 ditë kohë për të lënë të lira ndërtesat që do të shemben. Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, pranë ARRSH-së, Spartak Tarka tregoi detajet e aksionit dhe objektet që rrezikojnë shembjen.
Aksioni
Një ditë pasi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi se do të vijojë operacioni për pastrimin e akseve rrugore kombëtare nga objektet e paligjshme, janë ngritur edhe grupet e punës. Duke filluar nga sot, 20 shtator, do të nisë puna në terren për evidentimin e këtyre objekteve. Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, pranë ARRSH-së, Spartak Tarka, tha se largimi i këtyre objekteve synon të rrisë sigurinë në rrugë dhe të shmangë aksidentet. “Pastrimi i akseve rrugore është i nevojshëm me qëllim që të shmangen aksidentet. Në rrugë duhet të ketë vetëm tabela dhe sinjalistika. Nuk do ketë tabela reklame pa lejen e ARRSH-së. Synohet që të arrihen standardet europiane në këtë drejtim. Qëllimi i vetëm i këtij aksioni: të shpëtohet jetë, të shmangen pasojat e aksidenteve. Për realizimin e këtij aksioni, janë ngritur grupe pune për të bërë verifikimin e terrenit, sidomos në vijën e parë. Distancat e reklamave do të jenë sipas standardeve të rrugës, do të zbatohet largësia që duhet të kenë. Nuk do të lejohet që të vendosen objekte që nuk janë në funksion të rrugës”, – u shpreh Tarka në rubrikën “Opinion” në “News24”. Ai tha se, të gjithë ata persona që kanë vendosur objekte të paligjshme buzë rrugës, do të kenë një afat 15-ditor për t’i larguar ato.
Paralajmërimi
Ministri Damian Gjiknuri lajmëron aksionin për pastrimin e nyjeve e akseve kombëtare. Në kuadër të Programit Qeverisës dhe prioriteteve të 100 ditëve të para, qeveria do të fillojë një operacion në terren, që synon pastrimin e nyjeve dhe hapësirave në akset kryesore kombëtare. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bëri të ditur se përmes kësaj ndërhyrjeje do të mund të bëhet çmontimi i çdo strukture të aktiviteteve civile/ekonomike pa leje dhe, gjithashtu, pastrimi nga tabelat e ndryshme që, përveçse nuk kanë lidhje me sinjalistikën rrugore, e pengojnë atë dhe bëhen burim aksidentesh. Bazuar mbi hartat, listën e pikave të zeza të evidentuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar si dhe verifikimet në terren, janë duke u analizuar të gjitha pikat për ndërhyrje, duke i klasifikuar ato sipas riskut.
VKM
Në tetor të vitit të shkuar, qeveria ka miratuar një vendim ku ka rikualifikuar ndërtimet që legalizohen anash rrugëve. Do përfshihen në procesin e legalizimit ndërtimet që janë 30 metra larg kufirit të rrugës për autostradat dhe 20 metra larg kufirit të rrugës për akset interurbane kryesore. Çdo ndërtim që shkel këtë distancë, nuk kualifikohet për legalizim, pra do të shembet. Do të pajisen me leje legalizimi ndërtimet që janë 10 metra larg kufirit rrugor në kategorinë C, rrugë interurbane dytësore; në kategorinë D, rrugë urbane kryesore dhe në kategorinë E, rrugë urbane dytësore.

Largësia nga rruga, sipas kategorive

A. Autostradë largësia nga kufiri i rrugës 30 m
B. Rrugë interurbane kryesore     largësia nga kufiri i rrugës 20 m
C. Rrugë interurbane dytësore    largësia nga kufiri i rrugës 10 m
D. Rrugë urbane kryesore     merret për bazë vetëm trupi i rrugës
E. Rrugë urbane dytësore    merret për bazë vetëm trupi i rrugës


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.