KULTURË

Dritëhijet e premierës, Inva Mula në “Peshkatarët e Perlave”

09:59 - 21.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI
Një konferencë e paralajmëruar për kalendarin artistik shtator – dhjetor 2017 dhe për premierën e operës “Perlat e peshkatarëve” si prodhim i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, nisi me analizën 1-vjetore të Zana Çelës si drejtuese e institucionit. Nga strategjia për audiencën, ku u përmend dalja e operas në sheshe dhe rritja e numrit të spektatorëve deri në 74 mijë në salla e 200 mijë në ‘open air’, Çela vërejti edhe vizibilitetin e postimeve në rrjetet sociale, a uljen në 36 nga 70% të pagesës së honorarëve. Tha mes të tjerash se në një vit kemi bërë 200 kronika për ngjarjet në opera. Në fund, drejtoresha risolli në vëmendje dy bashkëpunime shumë të rëndësishme të TKOB, me Teatrin “La Scala” dhe ai me Teatrin e Vjenës, për çka për hir të së vërtetës do të duhej një konferencë më vete, pa qenë nevoja të merrnin kohën e premierës “Peshkatarët e perlave” edhe për t’u dhënë këtyre marrëveshjeve të Çelës, vëmendjen e duhur për vlerën që kanë. “Edhe pse TKOB është pa teatër për arsye të rikonstruksionit, kam rëndë dakord me drejtorin e përgjithshëm të Teatrit Shtetëror të Vjenës, Domenique Meyer, për realizimin e një bashkëproduksioni për vitin e ardhshëm 2018, i shpallur si ‘Viti i Kulturës’ shqiptaro-austriake”, tha Çela pa e fshehur lumturinë që do të realizojë partneritete me Operan Shtetërore të Vjenës, të cilat garantojnë rritjen e nivele tona artistike.
PESHKATARËT E PERLAVE
Një vepër që përfshin opera, balet e kor, Opera “Peshkatarët e Perlave” do të ngjitet në skenë në datat 22,24 dhe 25 shtator dhe bileta kushton 1000 lekë. Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akoka, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj., të rinj premtues si Simona Karafili, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë, do të luajë rolin e Lejlës.
Drejtoresha e TKOB ishte ulur në qendër të tryezës pranë dirigjentit francez Gerard Akoka, ndërsa në cep, ishte Inva Mula, regjisore dhe soprano e pjesës. Vetëm një vit më parë, Mula dhe Çela ishin përkrah kur Çela i dorëzoi Mulës, drejtimin e Festivalit Operistik “Marie Kraja”. Një vit më pas janë sërish në të njëjtën tryezë. Tanimë me role të tjera. Po aty janë Enada Hoxha, drejtori i Ansamblit, Gert Druga, drejtuesi i korit Dritan Lumshi, drejtoreshës Artistike Abigeila Voshtina. Opera vjen e ndërthurur mes klasikes e modernes, megjithëse Mula premtoi të jetë edhe spektakël.
“Si marrim guximin që luajmë në një teatër që nuk është teatër? Nëse handikapët do t’i kthejmë në favor, mund t’ia dalim. Opera nuk është vetëm për dashuruarit me artin klasik, opera nuk është më vetëm për një pjesë, është për të gjithë”, tha Mula, që nuk ngurroi të përmendë edhe vështirësitë. “Ndërrimi i dekoreve është i pamundur në skenën e Pallatit të Kongreseve, ndaj kemi konceptuar Budën në skenë”, tha ajo. Kujtojmë këtu që një pjesë e operës interpretohet para një tempulli.


Mula kujtoi se është ndër të paktat opera që nuk e ka interpretuar jashtë. “Nuk e kam kënduar kurrë, pasi kam ikur. Nuk e kam luajtur. Veç aries kryesore nuk jam marrë me të. Ndaj i jam i futur shumë thellë. Nuk ka arritur të marrë suksesin që meriton si vepër. Ka kolorit të jashtëzakonshëm dhe kemi arritur të japim atmosferën e ishujve. Zbërthimi i muzikës ka qenë i lehtë. Nuk ka kohë e vend të përcaktuar ku ndodh ngjarja. U kam kërkuar artistëve të mos shfaqin asnjë gjest të temperamentit tonë ballkanik, ndaj edhe takimet mes tyre në skenë duhet të jenë të lehta e të thella. Ne kemi lindjen e hënës si lindje e dashurisë, është qielli i mbushur me yje që kthehen me perla”, tha Mula. Duke shpjeguar konceptin e saj, ajo duket se dha përgjigje edhe për posterin e premierës që ka në qendër një hënë me një qiell plot yje. Të pyetur më vonë nga “GSH” se pse ndryshoi posteri, ku shfaqej balerina Isida Mollaymeri e mbështjellë në një rrobë të portokallinjtë, për t’u bërë një hënë e plotë, përgjigjen e dha drejtoresha artistike Abigeila Voshtina. Ajo tha se ishte vetëm faza e parë e prezantimit të projektit. Në vijim, të pyetjes sonë, Mula shtoi më tej se janë të lumtur me dirigjentin që ka mundur të zbërthejë mirë partiturën si edhe foli për “kostumet e mrekullueshme” duke vlerësuar Elva Bellën, që nuk ka rënë sipas saj “në folklorizmat e filmave indianë”. Mula i cilësoi të mrekullueshëm tërë partnerët artistë për të cilët tha se kanë ardhur me aducionin, vlerësoi korin e baletin, duke folur për staf të shkëlqyeshëm e të talentuar, si edhe Maria Veteroskën për skenografinë.
OPERA PREMIERË
Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tri akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. Opera tregon historinë e dy burrave, miqësia e përjetshme e të cilëve kërcënohet nga një grua. Ngjarja rivjen kësisoj nga kohët e lashta në ishullin e Ceilon. Dilema e “Peshkatarët e Perlave” është konflikti në mes të dashurisë laike dhe betimit të saj të shenjtë si një priftëreshë. Sinopsi i kësaj vepre operistike, nga më të famshme dhe më të debatuarat e asaj kohe dhe krijimin nga Bize e ngritën në kult këtë kryevepër. Në kohën e premierës, kompozitori i operës “Peshkatarët e Perlave” Bize ishte vetëm 25 vjeç.
Inva Mula ka interpretuar për herë të parë në skenën e TOB në rolin e Violetës në operën “La Traviata”, në vitin 1986 kur ishte vetëm 22 vjeç. Më tej ajo do të interpretonte jashtë vendit në disa shtete të botës. Inva Mula rikthehet në skenën e TKOBAP si regjisore e operës “Peshkatarët e Perlave” si dhe për të interpretuar rolin e Leilës. Debutimin e saj si regjisore në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, sopranoja Inva Mula vendosi ta bëjë me “Pagliaçi”, vepër e cila e çonte në emocione të forta. Nina Mula dhe Avni Mula, prindërit e artistes janë njohur pikërisht duke interpretuar në këtë vepër.
Në të njëjtën rrjedhë të fortë emocionale, Inva Mula rikthehet si regjisore dhe në rolin e Leilas në operan “Peshkatarët e Perlave”, pas 53 vitesh prej kur nëna e saj, Nina Mula interpretonte këtë rol.
Sopranoja e re, Simona Karafili do të interpretojë në operën “Peshkatarët e Perlave” rolin e Leilës. Emocionet janë të mëdha, duke qenë se ajo ngjitet për herë të parë në skenën e TKOB, me një rol solistik dhe kaq impenjativ.
Baritoni Armando Likaj, që ka shkëlqyer në çdo rol që ka marrë përsipër, do të interpretojë në operën “Peshkatarët e Perlave” në rolin e Zurgas. Armando është solisti, i cili ka njohur suksese të njëpasnjëshme në skenën e TKOB.
Hrisimir Damyanov është solist në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Sofje. Ai vjen për herë të parë në Shqipëri për të interpretuar rolin e Nadir në operën “Peshkatarët e Perlave”.
Sopranoja Ramona Tullumani, e re por me një talent të spikatur, do të realizojë një Leila në operën “Peshkatarët e Perlave”.
Caner Akin është solist në Teatrin Nacional të Operas dhe Baletit të Turqisë. Ai vjen për herë në Shqipëri për të interpretuar në rolin e Nadir në operën “Peshkatarët e Perlave”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.