DOSSIER

Dritëro Agolli, pse e rrëzoi nga shkallët Babanë e Teqesë së Kuçit

12:21 - 21.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Ditën e martë të datës 13 tetor, rreth orës tre të mëngjesit, në fshatin Menkulas të zonës së Devollit lindi poeti Dritëro Agolli, por lindja e tij nuk u lajmërua as me të shtënat e topave të mbretërisë dhe as me njoftime speciale në faqet e gazetave qendrore apo lokale. Madje atë ditë, gazetat nuk shkruan asgjë edhe për poetin tjetër, Millosh Gjergj Nikolla, që kishte lindur 16 vjet më parë, më 13 tetor. Kjo heshtje ndodhi se për poetët nuk shkruhet asnjëherë kur ata lindin, ndërsa për princat flitet shumë kohë më parë.
Kur lind një princ, qarqet e intelektualëve servilë dehen nga gëzimi duke trokitur qelqet e shampanjës nëpër bankete, por kur lind një poet, askush nuk shtron bankete. Më vonë, ndodh e kundërta, sepse kur vdes një mbret, nuk hidhërohet askush, përveç stafit të servilëve që organizojnë ceremonira me urdhër nga lart, por me humbjen e poetëve, hidhërimi shpërndahet ngado. Kështu, më 13 tetor, gjithçka vazhdoi normalisht dhe njerëzit u zgjuan që me natë, pasi këndoi këndezi i dytë, për të nxituar në punët e shumta të fushave, ku dëbora e dimrit kishte nisur qilimin e bardhë, që i kujtonte nënë Hatixhesë, vellon e nusërisë. Por, lumturia e martesës së saj, tanimë ishte sfumuar nga djepi i vogël, që priste në mes të dhomës djalin e parë të familjes së tyre, që për ta ishte më i bukur se çdo princ.




Më vonë, Dritëroi do ta përshkruante kështu këtë moment:
Nëna ime, e bukura, Hatixhe,
Më e bukura nga të gjitha fshatarkat,
Atje, në minder, mbi një dysheme,
Më polli mua, kur u kthye nga arat!
E britma ime u hap mbi dhe,
Bashkë me zërat e demit e kalit,
Nëna ime, e bukura Hatixhe,
Heshte e çlodhur dhe i gëzohej, djalit!
Babai i tij, Rizai, punonte gjatë gjithë ditës. Përvoja 11-vjeçare në Amerikë dhe Argjentinë, e kishin bindur të kuptonte se sekreti i lumturisë ishte puna. Familja e tyre kishte një pasuri të konsiderueshme, që dispononte rreth 40 hektarë tokë, me prodhimtari të lartë, korije pylli me hapësira të gjera dhe madje, mullinj që bluanin grurin, për të gjithë zonën e Menkulasit. Aty kishin edhe mullixhinj të punësuar që paguheshin prej familjes Agolli. Në atë kohë fshati kishte edhe një mulli tjetër bluarjeje, por shumica e fshatarëve vinin në mullirin e Agollëve, sepse u pëlqente komunikimi me mullixhinjtë e punësuar aty dhe urtësia Agollëve, por sidomos edhe korrektësia e tyre në dorëzimin e miellit, pas bluarjes së grurit. Pjesëtarët e këtij fisi kishin qenë brez pas brezi njerëz të urtë e të dashur, komunikues dhe solidarë, bashkëpunues dhe patriotë.


Të gjithë pleqtë e fshatit thoshin në atë kohë, se “Rexhepi ta heq hallin, nëse do shkosh për t’i kërkuar ndihmë”, që do të thoshte se Rexhepi u jepte miell pa para, familjarëve që rrezikoheshin të mos kishin bukë në darkë për kalamajtë. Është kjo arsyeja që gjatë kohës së Zogut, Rexhep Agollin e kishin zgjedhur kryeplak të fshatit, megjithëse si njeri i shëtitur dhe i zgjuar që ishte, ai aspironte për drejtësinë shoqërore dhe mbështetjen ndaj të varfërve. Ndërsa nëna e tij, Hatixheja, kishte një mirësi rrezatuese, që shfaqej në përgjegjshmërinë e lartë që ajo reflektonte në edukimin e fëmijëve dhe punët e shtëpisë.
Stërgjyshja e Dritëroit ishte ortodokse, nga dera e madhe e Donëve, ndërsa stërgjyshi Mehmedaj ishte myhip.
Gjyshi i Dritëroit, Nesimi dhe gjyshja e tij, ishin gjithashtu, myhipë, bektashianë. Në atë kohë, ishte shumë e vështirë të bëheshe myhip, sepse kjo gjë parashtronte shumë kushte e kërkesa në arkivin e origjinës, apo të sjelljes morale të individit, familjes dhe fisit. Në shkrimin e tij për takimin me shkrimtarin turk, Jashar Qemalin, Dritëroi tregon se që të takseshe myhip, duhet të plotësoje disa kushte. Në radhë të parë, duhej të rridhje nga një oxhak i nderuar dhe i vlerësuar për ndershmërinë, urtësinë, moralin, humanizmin, komunikimin, etj. Për t’u bërë myhip, njeriu duhej të kërkonte drejtësinë dhe të ishte kundër gënjeshtrës, të mbante shpirtin dhe shtëpinë të pastër e të mos lodhej kurrë nga ardhja e mysafirëve etj., etj.
Titulli myhip në fenë bektashiane nënkuptonte njeriun model të asaj kohe, që reflektonte kurdoherë ndershmëri dhe humanizëm, duke qenë shembull i mirësisë në marrëdhëniet me njerëzit dhe botën. Babai i Dritëroit, Rizai, ishte një bektashi që e respektonte fenë dhe përpiqej të ishte korrekt në marrëdhëniet me teqenë e Kuçit, që ishte në Devoll. Por i ati i tij, pra gjyshi i Dritëroit që quhej Nesim, ishte një besimtar i përkushtuar që respektonte me korrektësi të gjitha zijafetet, apo detyrimet që kishin njerëzit ndaj besimit dhe kultit të tyre.


Në kohën kur lindi Dritëroi, feja bektashiane kishte një zakon të veçantë, në lidhje me vënien e emrit të fëmijës. Atëherë emri i fëmijës së vogël sipas traditës, zyrtarizohej, ose vihej nga babai i teqesë që në atë kohë, ishte Baba Ahmeti, i cili shërbente në Teqenë e Kuçit, në Devoll.
Po kur lindi Dritëroi, Babai i Teqesë, pra baba Ahmeti nuk ndodhej në Kuç, pasi kishte ikur prej disa ditësh në kryegjyshatën e Tiranës, për të takuar kryegjyshin e madh, që quhej Baba Dedej. Kështu që gjatë atyre dy javëve të mungesës së tij, djali i vogël mbeti pa emër. Për këtë arsye, disa nga pjesëtarët e familjes dhe fisit të madh të Agollëve filluan të shqetësohen për kalimin e ditëve, prandaj njëri prej tyre tha:
-Baba Ahmeti po vonohet, po sikur t’ia vëmë emrin pa praninë e tij?
-Në asnjë mënyrë – e kundërshtoi gjyshi, Nesimi – nuk bëhet ajo punë pa ardhur Baba Ahmeti, prandaj do ta presim gjersa të kthehet.
Pas 10 ditësh, më në fund Baba Ahmeti u kthye dhe në teqenë e Kuçit, ku Nesipi, pasi e kishte kërkuar dy- tri ditë me radhë, i kishte lënë haber për kërkesën e familjes së tyre nga fshati Menkulas, në lidhje me vënien e emrit të djalit të vogël. Nga ana e tij, Baba Ahmeti i Teqesë e njihte dhe e respektonte shumë Nesimin, i cili kish qenë gjithmonë një besnik i parimeve të bektashizmit dhe një njeri shembullor, në të gjitha periudhat e jetës. Prandaj, sapo u kthye në Teqenë e Kuçit, ai mori njoftimin prej dervishëve të teqesë për atë që kishte ndodhur në familjen e Agollëve dhe i dërgoi fjalë Nesimit se të dielën do të shkonte vetë në shtëpinë e tyre për t’i vënë emrin djalit të vogël.
Ditën që do të mbahej kjo ceremoni, në shtëpinë e Agollëve buçiti ahengu e kënga. Gjyshi, me disa kuaj e njerëz të fisit i dolën përpara Baba Ametit, për ta shoqëruar atë nga hyrja e fshatit Menkulas gjer në shtëpinë e tyre. Baba Ahmeti që kishte marrë njoftimin për lindjen e Dritëroit u shpreh i gatshëm për të kryer misionin e tij, jo vetëm i detyruar nga tradita dhe rregulli i bektashizmit, por edhe nga dëshira e tij personale, pasi oxhaku i Agollëve ishte një oxhak i nderuar dhe i respektuar në të gjithë krahinën e Devollit. Baba Ahmeti erdhi në shtëpinë e tyre së bashku me Dervish Alinë dhe një dervish tjetër që e shoqëronte. Atë mbrëmje në shtëpinë e Agollëve në Menkulas ishin mbledhur me radhë të gjithë burrat myhipë, të fisit dhe shumë kushërinj të parë, të dytë e të tretë të gjyshit, si xha Halili, xha Neimi etj.
Më në fund, ata u shtruan në sofër dhe kur u shtrua bakllavaja, Baba Ahmeti u ngrit në këmbë me tasin ngjyrë jeshil në dorë dhe thirri tri herë rresht me zë disi të lartë që të dëgjohej mirë prej të gjithëve, emrin e djalit të vogël, duke thënë “Dritëro, Dritëro, Dritëro”!. Baba Ahmeti ishte një besimtar i thekur, por edhe njeri i lexuar. Ai ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar bektashinjtë e zonës së Devollit në të gjitha ritet fetare të familjeve të tyre, duke filluar që nga lindja e fëmijëve, bërja e kurbanëve, apo vdekja e të moshuarve.
-Ky fëmijë do të jetë drita e familjes suaj dhe gëzimi i Menkulasit – tha Baba Ahmeti, formulën e gatshme të fjalive që përdoreshin në të gjithë rastet e vënies së emrave të të vegjëlve. Kjo ishte e vërtetë, por në fakt, Dritëroi e shtriu rrezatimin dhe ndikimin e dritës së tij në të gjithë Shqipërinë, duke tejkaluar parashikimet e Baba Ahmetit.
Dritëroi filloi të flasë në vitin e dytë të jetës, ndërkohë, që nisi të ecte qysh në fundin e vitit të parë. Shumë shpejt, ai filloi aventurat fëmijërore me zogjtë dhe shprehu një afeksion të veçantë për kafshët shtëpiake. Ai bënte gracka për zogj, dilte në lumin e Devollit për të kapur ndonjë peshk, hipte në pemë, apo në tarracat e shtëpive, vriste gjarpërinj dhe ndiqte me kujdes të gjitha lëvizjet e kafshëve të egra, që kalonin në korijet e tij.
Para pak kohësh, Dritëro Agolli i ka rrëfyer gazetarit Ilir Kadia çastin më të vështirë të jetës, në lidhje me periudhat e fëmijërisë: “Sapo e pyeta Dritëroin: Cili ka qenë çasti më i vështirë i fëmijërisë në jetë, për ty, o Dritëro? E zhyti kokën në re, një copë herë të gjatë dhe më tha: Kur isha i vogël fare, gjyshi më bëri një qerrkë me dy rrota dhe një bosht të gjatë! Unë nuk e pëlqeva dhe e mora e përplasa në tokë. Qerrka u thye! ‘Po pse o Dritëro?! Shiko, si i vrava gishtat për ty një muaj të tërë!’-më tha gjyshi i mërzitur shumë…”.
Kur u bë 4-5 vjeç, Dritëroit i lindi një dashuri e veçantë për kafshët shtëpiake dhe nisi të miqësohej shumë shpejt me ta. I donte kafshët. Sidomos delet, kuajt qentë, pëllumbat dallëndyshet dhe këndezët, që e zgjonin të atin që me natë për të shkuar në punë, por edhe që ai i nxirrte për ndeshje në sheshin e fshatit, ku zhvillohej dueli tradicional i gjelave. Dashuria për kafshët ishte aq e madhe saqë dalëngadalë, ndjeshmëria e tij ndaj kafshëve nisi ta orientonte atë drejt pikësynimit për t’u bërë veteriner. Megjithëse ai kishte një prirje të lindur e të dukshme për letërsinë, përsëri, gjatë një periudhe shkollore parauniversitare, ndjeshmëria e tij ndaj kafshëve mbizotëroi ndaj pasionit dhe prirjes jetësore të letërsisë. Ndërsa, kur ishte adoleshent, Dritëroi ka lëruar tokën. Ishte mjeshtër i hedhjes së farës. Dritëroi në këtë moshë i donte të gjithë kafshët dhe shpeshherë i përqafonte veçanërisht kuajt, lopët dhentë etj., duke mos përjashtuar gomerët që me gjithë famën e keqe që mbartnin, për Dritëroin ata reflektonin urtësi dhe mençuri, duke qenë njëkohësisht punëtorë dhe të bindur.
Ndërsa, Tajari, vëllai i tij më i vogël, flet për raportet me Dritëroin dhe tregon se ata kanë qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. “Unë dhe Dritëroi kemi vetëm 1 vit diferencë me njëri-tjetrin, prandaj kemi qenë përherë si dy binjakë. Vetëm se unë isha më i mbushur fizikisht, ndërsa ai më elegant dhe më i gjatë”. Kjo duket edhe nga fotot ata të dy kanë bërë me njëri-tjetrin në atë periudhë. “Gjatë fëmijërisë në Menkulas, Dritëroi paraqitej si një djalë shumë i shkathët dhe i vendosur, nga ata fëmijë që ndikojnë fort te pjesa tjetër e grupit të shokëve”, shprehet ai.
Ndërsa Dritëroi, tregon se ata, gjatë periudhë së fëmijërisë së tyre nuk kishin pasur fatin të kishin shumë libra leximesh, apo romane nëpër duar, siç patën fëmijët e brezave të mëvonshëm. “Romancieret e para të brezit tonë kanë qenë gjyshet, që na tregonin përralla. Ato për ne ishin si Tolstoi, Balzaku, Dostojevski, etj. Prej tyre dhe prej prindërve kemi mësuar këngët, vjershat e Naimit dhe të bejtexhinjve. Babai im dinte përmendësh vjershën ‘Paraja’ të Hasan Zyko Kamberit, por edhe të tjera prej tij e Nazim Beratit. Por, edhe poezi më të kultivuara nga Fishta, Ndre Mjeda, Filip Shiroka. Madje, mbaj mend si tani, që babai im kishte edhe librin e Rubairave të Omar Kajamit. Këto ishin burimet tona të para të informacionit, mësuesit tanë të parë.  Mbaj mend, periudhën e mbretërisë së Zogut, pavarësisht, se kur ajo ra më 7 prill 1939, kam qenë vetëm 8 vjeç. Sidoqoftë, disa gjëra më kujtohen ende si nëpër mjegull, si për shembull xhandarët dhe taksidarët. Madje, më kujtohet një fshatari im, të cilit po i lehte qeni dhe ai iu drejtua: Pse leh si taksidar? Taksidari e dëgjoi dhe filloi të thërrasë më shumë. Qeni u hodh dhe e kafshoi taksidarin. “Ç’bëre kështu”, i tha taksidari fshatarit. “Nuk të ka faj qeni, ai u inatos, sepse ti lehe më shumë”, ia ktheu ai.
Mbresat e moshës fëmijërore janë të pashlyeshme, në mendjen e njeriut. Gjatë rritjes dhe kalimit të moshës, ato kujtime duken sikur harrohen, por vijnë dallgë-dallgë, mes tallazeve të jetës. Kështu i vinin Dritëroit, ditët e pushtimit italian, kur mbreti Zog, u detyrua të arratisej jashtë kufijve. Populli mbeti i braktisur dhe i prerë në besë nga krerët e vet, ndërsa ushtria italiane, po nxinte horizontin, duke hyrë në tokën shqiptare, me helmeta në kokë.
Në ditët e pushtimit fashist, ai ishte tetë vjeç. Dhe mban mend në mënyrë të veçantë, borselierët, që ishin ushtarët e këmbësorisë fashiste. “Mbaj mend, se isha në një livadh, në afërsi të mullirit të fshatit. Si zakonisht, aty ishin grumbulluar shumë njerëz që prisnin në radhë për të bluar drithin. Aty dëgjova për herë bashkëfshatarët e mi që thoshin: “Erdhën ata me pendë këndesi”. E kishin fjalën për borselierët, ushtarët e këmbësorisë italiane, që mbanin nga një pendë në kapelat e tyre. Ç’është kjo, – pyeta. Janë italianët që na pushtuan. Ndryshe nga përfytyrimi që njeriu ka në moshën madhore për luftën, atëherë kisha qejf t’i shikoja, sepse ishte një periudhë kur nuk kishte as kinema, as radio e televizion”, thoshte shpesh, Dritëroi gjatë bisedave që bënim në shtëpinë e tij, lidhur edhe me intervistat që bënte në televizione, apo gazeta.
Ndërsa, shenjat e para të ateizmit, ose ftohtësia, apo mosbesimi ndaj objekteve të kultit fetar, ndodhën pikërisht, në teqenë e Kuçit të Devollit, pranë baba Ahmetit për shkak të një shelegu. Në shtëpinë e Dritëroit ishte një sheleg, të cilin Dritëroi e donte shumë dhe nuk e ndante nga vetja. Gjatë një periudhe kohore ngado që shkonte e merrte shelegun nga pas, duke shprehur kurdoherë kujdesin ndaj tij. Por edhe në rastet kur ai dilte nga shtëpia, duke e lënë shelegun në kotec, dukej sikur kafsha e ndjente ikjen e tij dhe gjente mënyrën për të vrapuar pas tij. Madje, edhe kur flinte, shelegu nuk i ndahej dhe Dritëroit i vinte shumë keq për të. Prandaj nuk e largonte as natën, por ai flinte në atë shtrojën me dërrasa, ndërsa kafsha e vogël flinte poshtë tij, pra, përdhe në një dysheme, ku Dritëroi kishte shtruar një velenxë të vogël leshi. Ishte hera e parë për Dritëronë, që shihte se si një manar i porsalindur i shkonte nga pas, fëmijës së vogël dhe nuk ndahej prej tij në asnjë rrethanë. Kjo, jo vetëm për faktin se Dritëroi kujdesej që ta ushqente mirë, por sidomos, për faktin se ai e donte shumë. Thonë se kafshët kanë një sensibilitet të lartë ndaj fëmijëve për të kuptuar shpejt njerëzit që e duan dhe ata që nuk e duan. Natyrisht, kjo ndodh për shkak të mungesës së fjalëve, ku gjithccka transkriptohet nëpërmjet lëvizjeve. Përkundrazi, njerëzit e kanë më të vështirë për ta kuptuar saktësisht midis njëri-tjetrit, se kush i do dhe kush i urren, pasi në komunikimin njerëzor, konfuzioni që krijohet ka lidhje me diplomacinë tinëzare të fjalëve. Psh., dikush të hedh dorën në qafë dhe të deklaron, se të do të mirën, por në fakt, ai del njeriu më i pabesë, që thur intrigat më të rënda prapa kurrizit karshi teje, por ti nuk e kupton dot, sepse maska e fjalëve shërben shumë mirë për të mbuluar urrejtjen. Ndërsa, me kafshët puna ndryshon, sepse ata nuk bëjnë asnjë deklaratë besnikërie dhe nuk kuptojnë asnjë fjalë të leksikut njerëzor. Sidomos, në rastin e një shelegu, duhet thënë se sytë e tij të kulluar tregojnë pastërtinë dhe fisnikërinë e kafshës, që të mbetet besnike gjer në fund. Edhe në rastet kur të zotët e shtëpisë marrin hanxharin në dorë, për të kryer rolin e kasapit, shelegët të shikojnë me sy paqësorë, pa asnjë shenjë zhgënjimi, apo mbeturinë hakmarrjeje, për të zotin.
Pse e rrëzoi nga shkallët Babanë e Teqesë
Një ditë Dritëroi rrëzoi nga shkallët babanë e Teqesë së Kuçit, ose Baba Ahmetin. Kur Dritëroi kishte mbushur 8 vjeç, krejt papritur, gjyshi i tha se duhej të shkonin në Teqenë e Kuçit, që ndodhej në Devoll, duke marrë edhe manarin me vete.
-Po ç’do të bëjmë me këtë manar, o gjysh? – e pyeti Dritëroi.
-Do ta therë babai i Teqesë, nën shkallët e Teqesë, dhe kjo është për të mirën tonë – iu përgjigj gjyshi.
Fjalën “therje”, ai e shqiptonte me të njëjtën lehtësi sikur të thoshte: “Do vemi të hamë një akullore”.
Megjithëse në fillim, Dritëroi nuk e kuptonte se ku qëndronte e mira e familjes tek akti i therjes, përsëri iu bindej më të rriturve. Aq më tepër që fjalët e gjyshit ishin vendime absolute, të cilat nuk mund të diskutoheshin dhe aq më pak të kundërshtoheshin.
-Pse? – e pyeti Dritëroi, duke lëshuar një nga ato pyetjet filozofike, që bëjnë shpesh fëmijët e mitur, të cilave nuk mund t’u përgjigjeshe dot lehtë.
-Do ta bëjmë kurban, për ty! – sqaroi gjyshi.
Pas përgjigjes së gjyshit, Dritëroi u ndje akoma më i paqartë sesa para se të bënte pyetjen.
Por një ditë, ai së bashku me nënën, gjyshin dhe babanë e tij, shkuan në teqenë e Kuçit.
Aty, Dritëroit i bëri përshtypje të veçantë uniforma e baba Ahmetit, i cili ishte mbështjellë me xhyben karakteristike të kreut të Teqesë dhe të jepte përshtypjen se dinte të bënte gjithçka mirë e në mënyrë të përpiktë, pa lënë asnjë pakënaqësi apo dyshim për veprimet e tij. Baba Ahmeti ishte me nam të madh. Të rriturit në krahinë dhe besimtarët bektashinj, thoshin se ai mund të shëronte çdo lloj sëmundjeje, duke përfshirë edhe kafshimin e gjarprit ose tërbimin e njeriut. Madje njerëzit thoshin se kishin qenë prezentë kur në teqe kishin hyrë fshatarë të kafshuar nga nepërka dhe ai i kishte shëruar, duke u thithur helmin me gojë. Ndërsa, disa të tjerë thoshin se aty kishin hyrë të sëmurë me sëmundje psikike ose gjysmë të çmendur, apo plotësisht të çmendur, dhe më në fund kishin dalë që andej në një gjendje mendore jashtëzakonisht të mirë. Të gjitha ato që dëgjonte Dritëroi për baba Ahmetin e nxisnin atë të mendonte se ai i donte njerëzit, por edhe kafshët shtëpiake, lulet dhe pemët.  Por therja e një shelegu, aty poshtë shkallëve të teqesë, ishte një mynxyrë të cilën ai nuk do ta shihte. Babai i Teqesë mori në dorë shelegun dhe duke mbajtur në dorën tjetër sëpatën e vogël tha: “Tani do ta bëjmë kurban e do ta therim manarin e Dritëroit”.
Prandaj, kur dy Dervishët e Teqesë, Dervish Aliu dhe një tjetër, e shtrinë shelegun përtokë në shkallën e fundit të teqesë, Dritëroi i vogël bërtiti dhe gati u lebetit nga tmerri.
Ky është një moment shumë i rëndë psikologjik për çdo fëmijë. Aq më i rëndë ishte ky përjetim, kur bëhej fjalë për një manar që rrinte gjithë ditën pranë fëmijës, duke mos u ndarë në asnjë çast prej tij. Kjo gjë iu duk Dritëroit si lajthitja më e madhe mendore që mund të bënte një njeri me dy pare mend në kokë.
-Si mund të ndodhë kjo gjë në sytë e mi dhe të gjyshit? – mendoi Dritëroi. Akti i therjes zgjati vetëm disa sekonda dhe sa hap e mbyll sytë shelegu ishte shtrirë në këmbët e baba Ahmetit, duke përhapur ngado spërkla gjaku, ndërkohë që Dritëroi po lebetitej dhe shihte me shpresë nga gjyshi i tij, duke besuar se ai do të bënte diçka për ta ndaluar atë masakër. Por kur Baba Ahmeti mbaroi dhe nisi të ngjiste shkallët, gjyshi e falënderoi me përulësi, duke interpretuar adetin fetar të këtij rasti.
Në atë moment, Baba Ahmeti u shfaq mbi shkallët e teqesë duke bërë ritualin, apo duke i folur disa fjalë Dritëroit të vogël për ta qetësuar.
Kjo gjë iu duk Dritëroit si padrejtësia më e madhe në botë që mund t’i bëhej një krijese, dhe si një akt pabesie ndaj syve të pafajshëm të atij manari që e kish shoqëruar në dhjetëra ditë e net. Ai pa edhe një herë shelegun e mbytur në gjak dhe u dëshpërua pa masë, duke shpërthyer në revoltë, me fjalët që i drejtoheshin Baba Ahmetit: “Ah, ta rregulloj unë tani ty!”
Dhe në atë çast, kur Baba Ahmeti ishte akoma duke ngjitur shkallët, Dritëroi iu vërsul me shpejtësi dhe e kapi nga cepat e xhybes, duke e tërhequr poshtë shkallëve. Baba Ahmeti u lëkund dy-tri herë dhe u përpoq që të mbante ekuilibrin, por tërheqja e Dritëroit ishte shumë e fuqishme dhe dy duart e tij ishin të vendosura për ndëshkim, duke mos pranuar asnjë kompromis faljeje.
Kjo e detyroi Baba Ahmetin të humbte krejtësisht kontrollin e të binte nga shkallët, diku në pjesën e poshtme. Mirëpo Dritëroi nuk ia lëshonte xhyben dhe kështu, gjatë rënies në tokë, baba Ahmeti u kujdes që të mos binte përsipër trupit të Dritëroit, prandaj ai e mori në gjoksin e tij Dritëronë, e kështu të dy u rrokullyen dhe ranë pranë manarit apo dashit të therur që po nxirrte akoma stërkala gjaku.  Nja mizanskenë e tillë kaq e goditur nuk mund të realizohej dot as nëpër filma, ku koka e kasapit, që në atë rast ishte Babai i Teqesë, ra përpara këmbëve të shelegut të përgjakur, që ishte viktima e tij e pafajësisë.
-Na bëre pis – tha Baba Ahmeti, disi i lehtësuar që gjithçka kishte përfunduar me kaq, por Dritëroi as që donte t’ia dinte për figurën apo rrobat e ndotura të Babait të Teqesë. Në atë çast Baba Ahmeti ishte për të thjesht një kasap, ose kasapi i shelegut të tij, prandaj nuk kishte rëndësi nëse gjyshi do ta qortonte për guximin që kish treguar.
Dhe vërtet, pas përfundimit të ngjarjes, gjyshi u afrua dhe i tërhoqi vëmendjen duke i thënë:
-Bëre gabim që veprove ashtu, or bir!
-Ah kur nuk e tërhoqa më fort! – iu përgjigj Dritëroi gjithë urrejtje.
-Mos fol ashtu për babanë e teqesë, se është gjynah! – i tha gjyshi, dhe ata morën rrugën drejt Menkulasit, ku Dritëroi u betua se, që nga ajo ditë, nuk do të shkelte më në teqe dhe nuk do të hante më mish qengji.
Dhe premtimin e parë e mbajti, duke mos shkuar më atje për ca kohë. Ky ishte guri i parë në themelin e ateizmit të tij. Ndërsa vendimi i dytë, për të mos ngrënë mish qengji, më vonë u ndryshua, me ndryshimin e moshës dhe kushteve historiko-sociale të shoqërisë shqiptare. Por që në atë çast, atij iu krijua një mosdëshirë për drejtuesit e kulteve fetare, duke konsoliduar në ndërgjegje një shtresë mosbesimi te feja.

Nesër do të lexoni: Pjesëmarrja e Dritëroit në Luftën e Dytë Botërore dhe si futi “mik” kushëririn për t’u pranuar si korrier i luftës në moshën 13-vjeçare. Pse nuk u regjistrua si “balil” dhe pse i shante “balo” ata që pranonin. Roli i tij në luftë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.