SPORT

Kaos me oraret e fundjavës në Superiore, FSHF-ja hallakat tifozët  

14:33 - 21.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Edhe pse është luajtur vetëm java e dytë e kampionatit, FSHF vazhdon të shijojë pushimet e stërgjatura të verës. Federata “tallet” me sportdashësit dhe klubet për sa u përket orareve që vendos për ndeshjet e Superiores.

Java nis të hënën me përcaktimin e orareve për takimet e fundjavës. Por, të martën, ka gjithmonë diçka për të ndryshuar. Të mërkurën fiksohen katër ndeshje, ndërsa të enjten në 90% të rasteve ka gjithmonë një ndryshim të fundit. Dhe historia përsëritet thuajse çdo javë, ndërsa sportdashësit hallakaten dhe u duhet shumë “punë” për të mësuar se kur luan ekipi i zemrës, shkruan PanoramaSport.

ABSURDI

Ka vetëm 48 orë që është mbyllur java e 2-të, ndërsa është përcaktuar dhe ndryshuar orari i supersfidës së javës së 3-të, Skënderbeu-Partizani. Fillimisht, ishte vendosur për në orën 17:00, por dje Federata ka lajmëruar që ky takim do të luhet të shtunën në orën 19:00. FSHF asnjëherë nuk tregohet korrekte për sa u përket orareve të ndeshjeve të javës. Sikur të mos mjaftonte besimi i rrënuar, gjendja e vështirë në shumë stadiume, atmosfera aspak miqësore ku të kesh mundësi të shijosh një fundjavë argëtuese me familjen në stadium, apo problemet e shumta mes tifozërive ultrase dhe policisë, faktorë që e nuk e bëjnë tërheqëse të ndjekësh një ndeshje në stadium, tashmë FSHF bën edhe hallakatjen me oraret duke ndikuar në largimin e sportdashësve.

Përtej faktit që ishte kampionati i vetëm në Europë që nisi në shtator, por mosrespektimi i javëve dhe, për më tepër i orareve, krijon kaos te tifozët dhe sportdashësit. Nuk ka një axhendë të përcaktuar që në fillim të sezonit siç ndodh nëpër Europë, por gjithçka i lihet rastësisë që sjellin ditët dhe javët. Mungesë e theksuar organizimi nga ana e FSHF-së që jep një dorë në largimin e tifozëve nga stadiumet shqiptare, një sëmundje e futbollit tonë në vitet e fundit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.