OPINION

Politikë në kohërat e kolerës

07:52 - 21.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Ilir KALEMAJ

 

Vjeshta politike me paqëndrueshmërinë karakteristike të saj po mbart një konstante nga vera e thatë dhe e nxehtë: atë të sulmit të pandërprerë mbi opozitën dhe të një lloj përgjumjeje përballë një qeverie të munguar. Nëse dikush, pas një kome të pandërprerë, do të zgjohej në vjeshtën e 2017-ës pas 27 vjetësh vegjetacion, ndoshta do të habitej, trishtohej apo shqyente sytë nga habia nëse do shihte se ndër debatet kryesore në vend janë ato për legjitimitetin e rehabilitimit të simboleve komuniste, me festat në Pezë që organizojnë nostalgjikët e rinj të një komunizmi idilik që ekziston veç në mendjet e tyre të çartura apo debate nëse duhen apo jo tërhequr dekoratat e komunizmit. Dhe kjo në një vend ku krijohet një Autoritet pa autoritet për hapjen e dosjeve tashmë që dosje nuk kanë ngelur më dhe ku krejt vendet e ish-bllokut lindor, nga Gjermania Lindore në Çekosllovaki, nga Polonia në Rumani, e kanë kryer mirëfilli procesin e lustracionit tri dekada më parë.

Debateve shterpë u shtohen ato mbi nevojën për të importuar plehra, a thua se nuk dalin këto qindra mijëra tonelata që vegjetojnë rrugëve të këtij vendi ku çdo gjë, nga ajri te ushqimi, është e helmuar dhe e pasigurt. Dëgjon dhe shpeshherë protagonizëm personazhesh politikë pa fantazi që rrotullojnë ato 300 fjalë që dinë nga gjuha shqipe me aftësinë e mahnitshme për të mos thënë asgjë, por instinktin e shkëlqyer të mbijetesës politike duke iu lëpirë të pushtetshmit të radhës.

Ndër të tjera është e pashembullt që në qendër të kritikave të vihet opozita dhe të targetohet posaçërisht Partia Demokratike si forca kryesore opozitare në vend. Nuk kalon një ditë pa një sulm të stimuluar nga brenda apo jashtë radhëve, ndërkohë që qeveria lihet në deliret e saj. Kritikohet pa mëshirë fakti që lideri demokrat Basha bëri lista ekskluzive, a thua se kjo ishte një rrufe në qiellin e hapur dhe të kristaltë të demokracive të brendshme të partive shqiptare në këto tri dekada tranzicion. Flitet dhe debatohet mbi programin që ofroi kjo parti në zgjedhjet parlamentare dhe me të drejtë, pasi ofronte disa risi veçanërisht në planin ekonomik dhe fiskal, pra kishte ç’të debatohej. Por harrohet qëllimisht që pala tjetër nuk kishte kurrfarë programi dhe e organizoi fushatën elektorale rreth kusisë dhe kazanit. Në fakt, i vetmi i majtë që doli me një program të mirëfilltë të majtë, duke iu apeluar shtresave të margjinalizuara në shoqëri, duke bërë madje dhe rrëshqitje drejt disa tezave radikale të majta dhe shpesh populiste, ishte Blushi dhe LIBRA e tij, që gjithsesi rezultuan një zhgënjim elektoral në kuadër të një gare të pabarabartë dhe të sulmuar nga partia mëmë.

Në Shqipëri, siç do perifrazonte Konica po të ishte mes nesh sot, të bësh liderin e fortë, të vënë shkopinj ndër rrota; të bësh të butin, të hipin mbi kurriz; të kërkosh disiplinën partiake, të akuzojnë për diktator; të provosh moderacionin e stofit europian, të quajnë të dobët; të përpiqesh të bësh liderin normal në këtë yrt të shkretë të Ilirikut, në një shoqëri që është mësuar kryesisht me dy modele: atë të dorës së fortë dhe atë të shkërdhatokratit, të quajnë të dalë mendsh. Konformizmi i tepërt dhe ndrydhja si një shoqëri e traumatizuar nga dhuna kolektive e një regjimi të mirëfilltë totalitar, ka lënë pak apo aspak vend për mendim kritik, për intelektualë që guxojnë të kundërshtojnë pushtetin dhe jo që servilosen për favorin e radhës që vjen në formë lejeje ndërtimi, punësim të rrethit të afërm familjar apo bakshisheve të tjera që ofron zengjini qeveritar.Një shoqëri pa memorie, pa disidencë, pa opozitarizëm dhe pa oponencë, pa mendim kritik dhe që nuk guxon të kundërshtojë, pa shpirt protestues dhe forcë ndërgjegjeje, është një shoqëri lehtësisht e manipulueshme nëpërmjet forcës së kërbaçit dhe karotës nga sundimtari i radhës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.