KULTURË

HAPJA E DOSJEVE / Zyrtari gjerman: CDU e Merkelit po vëzhgon politikën shqiptare

09:30 - 22.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Hapja e dosjeve dhe mënyra se si politika shqiptare do ta trajtojë punën e Autoritetit për Informim mbi dosjet ‘45-‘90 po ndiqet me vëmendje nga deputetët gjermanë të CDU-së së kancelares Angela Merkel. Ka qenë kjo deklarata e bërë dje nga Walter Glos, drejtues i “Konrad-Adenauer-Stiftung” në Shqipëri. Deklarata u bë gjatë një trajnimi të gazetarëve mbi raportimin për dosjet e Sigurimit, organizuar nga “Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë”, ku të pranishëm ishin edhe punonjës të Autoritetit të Dosjeve dhe vetë kryetarja Gentiana Sula.
“Shqipëria duhet të përballet me pasojat e regjimit komunist para se të marrë statusin kandidat për në BE. Unë e kam tepër seriozisht temën e statusit të vendit kandidat. Ju i dini përpjekjet e qeverisë shqiptare për të marrë këtë status dhe kriteret kyçe për t’u bërë pjesë e BE. Në pozicionin e një drejtuesi të një organizate, që është pranë Partisë Socialdemokrate të Merkel, duhet t’u informoj se grupi parlamentar i CDU-së po vëzhgon se si politika po e trajton çështjen e dosjeve. Në Bundestagun gjerman tema e së kaluarës është e rëndësishme”, -tha Glos para gazetarëve të pranishëm.
Sipas tij, nëse më 1991 pothuaj gjysma e familjeve shqiptare dolën të prekur nga regjimi komunist, dimensionet e regjimit kanë qenë tepër të prekshme. U vu në dukje se qeveritë e viteve të demokracisë futën në axhendë pagesa për ish-të burgosurit. Me justifikimin që populli shqiptar duhet të jetë i bashkuar, u pengua debati mbi këtë temë. “Populli ka mendimin se politika i ka injoruar interesat e të përndjekurve. Kjo rrugë është provuar se është e gabuar. Ky diskurs mbi të kaluarën nuk mund të pengohet. Ligji i vitit 2015 ishte nisje e mbarë. Në dosje nuk shkruhet gjithë e vërteta, por dosjet duhet të jenë të aksesueshme. Konrad Adenauer e ka nisur punën e tij në vitet 2000, sepse i japim rëndësi. Ndaj kemi mbështetur këtë nismë të Institutit për Demokraci, Media e Kulturë. Me mundësitë tona do të bindim politikën shqiptare për rëndësinë e përpunimit të dosjeve”, tha Glos.
Pak minuta më vonë, punonjës të Autoritetit të Dosjeve bënë me dije se vetëm 2 nga 18 parti kanë kërkuar verifikimin e figurës së deputetëve të tyre para zgjedhjeve. Ata bënë me dije se shumëkush ka marrë certifikatën e pastërtisë vite më parë, nga ato që njihen si komisionet “Mezini” e “Bezhani”.
Përvoja gjermane dhe ajo rumune, që u sollën në takim nga Dagmar Hovestadt dhe Germina Nagat, treguan se si kanë funksionuar në këto dy shtete, për politikanë e figura të njohura në rastin gjermanë, ndërsa në atë rumun kryesisht për punonjës publikë, por jo politikanë.
Në të dyja rastet, ligji mbi të cilin bazohet hapja e dosjeve ka pasur ndryshime ndër vite. Aktualisht, veç ligjit, në Rumani është gjykata që e vendos nëse bashkëpunëtori ka qenë vërtet bashkëpunëtor i regjimit të Çausheskut, duke analizuar dokumente që përmbajtën informacione të ndjeshme dhe shpesh edhe të pavërteta.
Nga ana tjetër, u vu rëndësia edhe te Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, për ç’arsye media ka akses të kufizuar në këto dosje, ose ky akses që është i rregulluar nga ligji, është gjithsesi një akses që jepet nën kujdesin e Autoritetit, siç ka funksionuar pak a shumë në Gjermani dhe Rumani. Deri më tani, media ende nuk ka nisur “gërmimin” dhe bashkëpunimin zyrtar  për çështjen e dosjeve me Autoritetin. Gjithsesi, kur të nisë, përtej interesit publik, në disa raste do të duhet rënia dakord e personazheve për të cilat kërkohet dosja që ajo të vihet në dispozicion.
Ajo që rregullon ligji është marrja e informacionit, por limitimi i publikimit, jo vetëm për të shmangur publikimin e të dhënave krejt personale ose krejt të pavërteta, por edhe mosetiketimi nga media i të përfshirëve në dosje si agjentë, oficerë e bashkëpunëtorë. Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula premtoi dhe kërkoi bashkëpunim me median bashkë me stafin e saj.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Gjermanet njihen per korrektesen e tyre,
    dhe keshtu sillen edhe kur “luajne me shqiptaret”!

    Shqiptaret klasike shembellenin sadopak me gjermanet,
    ndaj i kemi pasur absolutisht aleatet me te natyrshem.

    Gjermanet sigurisht na dine ne, shqiptareve qe kemi dale nga regjimi i pa-lirise, ia-prones dhe i pa-Zotit, pra presin qe ne t’i genjejme nga pak!

    Per pak genjeshter, edhe mund te na justifikojne, por…

    Ja, dje pershembull, teksa NEWS 24 TV nisi te hapte Dosjen e denimit te Fatos Lubonjes, doli emri i ish-sigurimsit Neshat Tozaj, autor i nje reference teresisht ideologjike, per te shkruarat e Lubonjes.

    Sot, tere shtypi kishte vetem emrin e nje Thimi Bare, qe askush s’e njeh, teksa Neshati i Dinastise se kuqe TOZAJ, nuk u pa me!

    Shyqyr qe Fatosi eshte gjalle dhe e kerkon vete te drejten e te verteten, po te tjere ish-te interrnuar, qe jane ende ne Hoxhare,Akerni a Tepelene, ende si te interrnuar, se as prone as shpi as gje s’ua dha as Sala as Rama e Meta, dhe as dosjet, dmth kush i mundoi, kush i interrnoi kush ua nxiu jeten atyre dhe femijeve te tyre, do t’ja thoni ndonje dite apo jo?

    Shpetoni shpirtin tuaj!
    Zoti na veshtron te gjitheve…

    Përgjigju ↓