DOSSIER

“Kurthet e Dritëro Agollit”, i quante “balo” fëmijët që regjistroheshin si “balilë”

10:25 - 22.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ilir Bushi

Që nga ajo ditë, Dritëroit filluan t’i dhimbseshin jo vetëm qengjat apo delet, por edhe kafshët e tjera, ndërsa më vonë ndodhi diçka që atij filluan t’i dhimbseshin edhe ujqërit. Sepse në zonën e tyre kishte shumë ujqër. Sidomos gjatë stinës së dimrit, kur ushqimi i kafshëve të egra pakësohej dhe ata dilnin nëpër shtigje të caktuara për të siguruar gjahun e vet. Kështu një ditë, kur po kthehej nga shkolla e fshatit, atij i dolën përpara 4 ujq, ndërsa ai, për të shpëtuar nga përballja me ta u detyrua të hipte në pemë. Ky, pa dyshim, është një akt i pashembullt stoicizmi, sepse çdo njeri tjetër, apo shumë njerëz, qoftë të mitur apo të pjekur në moshë, do trembeshin nga frika duke i pushuar zemra në vend. Por Dritëroi e mblodhi menjëherë veten dhe vendosi të ngjitej në një lis të lartë, nga ata që ndodheshin aty pranë. Ai kishte mësuar nga të moshuarit, por edhe nga mësuesit e tij, se po të ndeshesh në rrugë me një ujk, duhet të ngjitesh në pemë, sepse ujku nuk i përballon lartësitë dhe ngjitjet. Prandaj Dritëroi u ngjit menjëherë dhe pa vështirësi, sepse prej kohësh ishte praktikuar për ngjitje të tilla, duke e përvetësuar ngjitjen me lehtësi të madhe.
Mbi atë pemë ai qëndroi me shpresën se ujqërit do të iknin, ose ndofta së shpejti aty do të kalonin udhëtarët, por për fat të keq nuk ndodhi as njëra e as tjetra. Atë ditë nuk kaloi asnjeri deri në mbrëmje, kur më në fund disa gjahtarë po ktheheshin në shtëpitë e tyre me çiftet në krah dhe ndonjë shpend të vrarë në trastë. Kur panë Dritëronë e vogël në majë të lisit, ata u çuditën, por shumë shpejt e mësuan se përse djali i vogël qe detyruar të qëndronte atje. Dritëroi u tregoi vendndodhjen e ujqërve dhe njëri prej tyre qëlloi me çifte në atë drejtim, duke vrarë ujkun më të vogël. Në vend që të gëzohej, Dritëroi u pikëllua, sepse mendonte që duhej vrarë ujku më i madh, i cili ishte rreziku kryesor për njerëzit. Më vonë, këtë ngjarje të jetës Dritëroi e kornizoi në përmasat e një tregimi me titullin “Ujku”. Tregimi në fjalë, i mbështetur mbi këtë histori, është shkruar në vitin 1963 dhe ka qenë pjesë e përmbledhjes “Zhurma e erërave të dikurshme”, e cila u ndalua. Një nga arsyet e ndalimit ishte edhe tregimi “Ujku”, pasi kritika e kohës vlerësoi se autori aludonte për vrasjen e ndonjë “ujku të madh, komunist”. Libri u botua në 1964, por u ndalua edhe për tregimin “Ujku”, pasi mendonin se Dritëroi aludonte që të vritej një udhëheqës i rëndësishëm, pra, një ujk i vërtetë, jo një nëpunës i vogël i shtetit shqiptar, siç mund të kuptohej paralelizmi me këlyshin e vogël të ujkonjës.
Ky tregim i shkruar aq bukur e sqaron fare mirë se Agolli ishte një krijues me prirje letrare të lindura, dhe ai i përkiste universit të artit, me të cilin nuk duhej të shkëputej për asnjë çast.
Por një ngjarje tjetër e moshës fëmijërore, ose paraadoleshente, mund ta rrezikonte atë që të shkonte në Institutin Bujqësor për të ndjekur degën e Veterinarisë, ku, pa dyshim, do të humbiste disa vite kohë, për studimin e sëmundjeve të kafshëve apo ilaçeve shëruese për ta. Ngjarja që rrezikoi vendimin e tij i ndodhi një natë në shtëpi, kur pa kalin e tij të shtrirë në haur. Familja e tyre kishte një kalë shumë të mirë në shtëpi, të cilin kohët e fundit Dritëroi e mbante afër dhe e përdorte më shumë se të gjithë. Edhe në dasma ai shkonte me të, në një kohë që të gjithë djemtë bënin garë se kush do t’ia çonte shaminë e nuses i pari në vatrën ku martohej. Kjo ishte një traditë e vjetër, në formë loje, ku fëmijët dhe adoleshentët argëtoheshin shumë. Dritëroi, nga ana e tij, kishte dalë shpesh i pari në garat me kuaj, si edhe në rastet e dorëzimit të shamisë te shtëpia e nuses që martohej. Pas garave, ai e zgjidhte kalin nga kapistrat dhe e lëshonte në kullotë, duke e falënderuar fatin që ishte nderuar para gjithë djemve të fshatit. Natyrisht, edhe kur dilte i fundit ai ngushëllohej, se kali atë ditë nuk e kishte ngrënë të gjithë ushqimin, ose kish qenë i lodhur nga punët e mëngjesit. Vëllai i tij, Tajari, ishte një kalorës i vërtetë, që kalëronte mjaft mirë në garat e zhvilluara midis të rinjve në atë zonë, prandaj ai ia kërkonte kalin, por Dritëroi nuk e kishte shumë qejf që t’ia jepte, duke gjetur lloj–lloj justifikimesh. Megjithatë Tajari gjente kohë të mjaftueshme të stërvitej me kalin, gjatë orëve të gjata që Dritëroi merrej me punët e tokës, për lërimin, mbjelljet, korrjet, vaditjen, kanalizimet etj. Por kalin, në mënyrë të veçantë e donte shumë, sepse ai i krijonte brenda një minute emocionin e fluturimit drejt aventurës së arratisjes.
-Ti je i mrekullueshëm – i thoshte ai shpesh kalit të tij, duke qëndruar krenar për shpejtësinë dhe zotësinë e kafshës.
Por një mbrëmje, kali nuk ndihej mirë dhe ishte shtrirë në haur. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që atij i ndodhte një gjë e tillë. Duke riprodhuar fjalët e rrëfimit të Dritëroit për këtë rast, atij i dukej sikur “kali qante, dhe qante vërtet”.


Vajti në shtëpi dhe u tha pjesëtarëve të familjes se kali ishte shtrirë përtokë dhe po qante.
Ata nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë që kali të shtrihej përtokë dhe kjo gjë iu duk e habitshme.
-Jo mor, – i tha Rexhepi, – se nuk shtrihet kali. Ai edhe kur fle, fle në këmbë.
Pas këtij alarmi, të gjithë vajtën në haur dhe panë se vërtet kali ishte shtrirë dhe lëngonte. Pastaj, a thua se po priste që të shikonte për herë të fundit të zotët e vet për t’u dhënë lamtumirën, ai mbylli sytë dhe ngordhi.
Kjo i ka mbetur merak Dritëroit dhe prandaj, disa vite më vonë, pas mbarimit të gjimnazit në Gjirokastër, ai kërkoi të vazhdonte studimet për në degën e veterinarisë.
Dritëroi dinte edhe të plugonte, edhe të lëronte, edhe të krasiste, edhe të mbillte, edhe të kujdesej për kuajt, lopët, delet etj., etj., ashtu si shumë djem të rinj të fshatit Menkulas. Një nga gjërat që i ka mbetur në mendje Dritëroit gjatë viteve të vegjëlisë, ishte kau i plakur i qerres, të cilin i ati e mbajti gjer në fund të jetës pa e therur. Ai e lëshonte të kulloste në livadh dhe i thoshte të birit: “Akoma ha bar, i shkreti, po dhëmbët i janë shkurtuar, se ngaherë përtypet”. Ai ishte një ka ahuri dhe e thërrisnin me emrin Kazil. Edhe kur u plak dhe nuk mund të lëronte, i ati nuk e theri për ta bërë pastërma. “Të rrojë sa të rrojë”, thoshte ai. Dhe një ditë kaut i shkanë këmbët e plakura dhe ra në një monopat shkëmbor, në Poçravë, ku ndodhet një kodër, mbi fshatin Menkulas, përtej lumit të Devollit. Rexhepi kur e mori vesh, i erdhi keq për ngjarjen dhe tha: “Kau ngordhi”. Dritëroi gjithashtu u pikëllua dhe nuk foli asnjë fjalë.

Dritëroi futi “mik” kushëririn, për t’u pranuar si korrier i luftës në moshën 13-vjeçare
Kur ishte 13 vjeç, Dritëroi futi “mik” kushëririn e tij, Bahri Flakën, i cili ishte komandant i kompanisë së tretë të batalionit “Fuat Babani”, që të inkuadrohej në radhët partizane. Por më parë në Menkulas kishte filluar lufta italo-greke. Kjo bëri që jeta të paralizohej dhe shkollat të mbylleshin me të gjitha kanatat. Kësht, që, gjatë dy vjetëve, të gjithë brezat e nxënësve mbetën dy vjet pa shkollë, duke ndihmuar prindërit për të siguruar mbijetesën në atë atmosferë lufte. Nga ana tjetër, kjo situatë detyroi disa nga banorët e Menkulasit të ikin nga fshati, që rrezikonte të kthehej në një shesh të përgjakur luftimesh. Sepse ky fshat ishte në kufi me Greqinë, dhe aty pritej të ndodhte kasaphana e përplasjeve të dy ushtrive të huaja, që ndesheshin me njëra-tjetrën në tokën e shqiptarëve. Gjatë kësaj periudhe, shumë banorë u larguan së bashku me fëmijët e tyre, por babai i Dritëroit, Rizai, e përjashtoi mundësinë e ikjes, qoftë edhe përkohësisht, nga fshati.
-Ushtritë e huaja kanë punët e tyre, ne nuk kemi përse të largohemi nga vatra jonë – u tha ai fëmijëve.
Kështu, ata panë dhe dëgjuan kasaphanën e madhe që ndodhi në fushat e përgjakura të luftimeve, ku herë sulmonin italianët dhe herë kundërsulmonin grekët. Fshati Menkulas nuk mbeti pa u prekur nga pasojat e këtyre luftimeve, pasi ai ishte ndërtuar mbi një kodrinë, që shërbente si vend strategjik për të dyja formacionet luftarake. Në këtë mënyrë, pas shumë sulmesh e kundërsulmesh, lufta mbaroi, me tërheqjen e italianëve dhe fitoren e grekëve, të cilët pas fitores, nisën një operacion inkuizicioni ndaj familjeve myslimane e bektashiane të fshatarëve të Korçës e Përmetit, që ndodheshin pranë vijës kufitare.
Por ndërkaq nisi edhe Lufta Nacionalçlirimtare, dhe të rinjtë kishin filluar të organizonin rezistencën nëpër male, duke u bashkuar në sakrificën sublime për të shporrur fashistët italianë dhe shovinistët grekë.
Italia kërkonte disa fëmijë, në moshën 12-13 vjeçare, për t’i dërguar në Itali që të mësonin në shkollat fashiste. Ata që pranonin të regjistroheshin, quheshin “balila”. Fushata për regjistrimin e balilëve u bë në të gjithë Shqipërinë, duke bërë përzgjedhjet e vullnetarëve sipas kritereve, por në Menkulas, sipas Dritëroit, rezultuan vetëm dy vetë, ndërsa të tjerët nuk pranuan. Madje edhe ata që dolën si vullnetarë, shumë shpejt u përballën me talljet e shokëve të tjerë, të cilët u bënin presion të tërhiqeshin, duke i quajtur “Balo”. Dritëroi ishte në krye të atyre djemve, që iniciuan fushatën e mospranimit. Në dukje, kjo ngjante si një rezistencë revolucionare, por në thelb, kundërshtimi kishte të bënte me ndjenjën antifashiste.
Qëndresa e grupit kryesor të fëmijëve, detyroi edhe ata dy vetë që të tërhiqeshin nga lista, duke u betuar se nuk do të ndaheshin nga shokët.
-Nuk ndahemi nga shokët, megjithëse na pëlqenin kapelat dhe shpatat, apo zinxhirkat e uniformave të balilëve, – i tha njëri prej tyre Dritëroit.
-Edhe mua më pëlqejnë rrobat e bukura, por aty është stamposur tradhtia, – iu përgjigj Dritëroi.
Ata nuk ishin të ndërgjegjshëm se ç’do të bënin, por me sa duket, i tërhiqte aparenca e uniformës, meqenëse gjatë gjithë jetës nuk kishin mundur asnjëherë të vishnin rroba të reja. Në fakt, në zona të tjera të Shqipërisë, shumë kuadro të mëvonshëm të vendit tonë e kishin një pjesë të formimit në këto lloj shkollash. Një prej tyre ishte edhe presidenti Moisiu, por edhe shumë të tjerë. Por në Menkulas, kjo u konsiderua si një turp dhe në përfundim, askush nuk pranoi të shkonte. Nga ana tjetër, Dritëroi tregoi ndikimin dhe autoritetin e vet te bashkëmoshatarët, për këtë refuzim të ofertës fashiste.

Mësues Vangjeli, i
rrethuar në shkollë
Ndërkaq, Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët, dhe qysh në periudhat e para të luftës, nga fshati Menkulas dolën 30 vullnetarë të çetave partizane, të cilët nisën të shtoheshin për ditë e më shumë. Ndërkohë, edhe një mësuesi i shkollës së Menkulasit, i quajtur Vangjel Themeli, tregoi shembullin e tij të trimërisë para nxënësve të vet në atë shkollë. Duke zbatuar kështu rregullin numër 1 të pedagogjisë, që thotë se “mësuesi duhet t’i mësojë nxënësit, jo vetëm me atë që u thotë atyre, por edhe me atë që bën vetë, pra, jo vetëm me fjalën e veta, por edhe me shembullin e vet”.
Ai ishte një mësues shumë i mirë dhe të gjithë nxënësit e donin. Vangjeli u fliste fëmijëve për pushtimin, duke u ngjallur atyre ndjenjën e urrejtjes për okupatorët dhe duke u ndezur shpresat për të ardhmen e atdheut të tyre në liri.
Dritëroi tregon se, “fashistët kishin marrë vesh për aktivitetin e tij brenda dhe jashtë fshatit si dhe për lidhjet e tij me forcat partizane, prandaj një ditë, atë e rrethuan brenda mjediseve të shkollës. Ishin rreth 20 ushtarë italianë që bënë rrethimin e shkollës, duke mos lejuar njeri që të hynte apo të dilte që andej. Por ai u ngjit mbi tavanin e shkollës, duke u fshehur atje poshtë çatisë gjatë gjithë ditës. Fashistët e kërkuan me orë të tëra, por askush nuk e dinte me saktësi se ku ndodhej mësuesi. Disa mësues, për të shpëtuar shokun e tyre u thanë fashistëve se Vangjeli kish ikur qysh në mëngjes për në shtëpi. Ata kërkuan për disa orë me radhë në të gjitha skutat dhe klasat e shkollës, duke përfshirë edhe një pjesë të tavanit. Por Vangjeli ishte fshehur mirë pas një shtylle të oxhakut dhe kur ra nata, doli që andej, duke ikur në mal”.
Në mëngjesin e 5 nëntorit, 1943, batalioni “Fuat Babani” sulmoi forcat e armikut në fshatin Menkulas. Ata, duke ndjerë rrezikun e rrethimit, u tërhoqën në drejtim të fshatit Koshnicë, të ndjekur nga forcat partizane të batalionit. Pas luftimesh të ashpra, forcat armike filluan të tërhiqeshin, por duke e parë dhe vlerësuar këtë situatë, komanda e batalionit përparoi dhe nxori në krah dy skuadra, dhe pas një sulmi të shpejtë arriti që rreth orës 17:00 të po asaj dite t’i shpartallonte armiqtë, të cilët për të mos u dëmtuar më shumë u larguan në mënyrë të çorganizuar në drejtim të Bilishtit, duke lënë 6 të vrarë dhe 7 robër. Nga radhët e batalionit ranë partizanët Bektash Dobranji e Fiqiri Treni.
Në këto beteja morën pjesë edhe dy xhaxhallarët e Dritëroit, që kishin dalë partizanë qysh në fillimet e vitit 1943, në batalionin “Fuat Babani”, i cili në atë kohë kishte një emër tjetër.
Nga ana e tij, babai i Dritëroit, Rizai kish qenë luftëtar në çetën patriotike të Gani Butkës dhe kur u vra Ganiu, ai ishte prezent në këtë ngjarje. Atëherë kish qenë njëzet e ca vjeç, ndërsa tani i kish kaluar të dyzetat.
Batalioni “Fuat Babani” e kishte marrë emrin nga një luftëtar i asaj krahine, që u vra në luftë dhe u shpall Hero i Popullit. Fuat Babani kishte lindur në vitin 1918, dhe kish qenë nga të parët partizanë të zonës së Devollit. Ai u bë komandant i çetës partizane “Morava”, e cila kreu shumë aksione dhe ngriti devollinjtë në këmbë, duke mbushur radhët e batalionit partizan “Fuat Babani” dhe brigadave partizane me partizanë devollinj. Fuati ra dëshmor më 7 mars të vitit 1943, në fshatin Hoçisht. Trupin e tij të pajetë fashistët e varën.
Por më vonë, në gjyqin e Mihallaq Ziçishtit, që kish qenë komisar i kompanisë së parë të batalionit “Fuat Babani”, ai tregoi një version tjetër të shkakut të vrasjes së Fuat Babanit.
Kështu, Mihallaq Ziçishti, në gjyqin që u zhvillua ndaj tij dhe ndaj Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, pra në seancën e mbajtur më datë 23 gusht 1983, ka thënë para gjykatës këto fjalë, në ligjëratë të drejtë: “Një çështje tjetër që dua të trajtoj është vrasja e komandantit të çetës së Devollit, Fuat Babanit, e cila është kryer me ndërmjetësinë ose me iniciativën, me ndërhyrjen ose me pjesëmarrjen e Jorgo Plakut. Si ndodhi çështja? Në kundërshtim me të gjitha rregullat, Jorgo Plaku i futi të gjitha forcat në fshat, në vend që t’i ndanin, ashtu siç ishte rregulli. Nuk mori masa sigurimi, e kjo me qëllim. Nga ana tjetër, në marrëveshje me Igumenin, lajmëruan forcat italiane, të cilat erdhën, rrethuan fshatin dhe si përfundim, atje u vra Fuat Babani me dy partizanë të tjerë. Çështja e Igumenit, lidhet edhe me Panajot Plakun. Igumeni i Hoçishtit, i cili ishte në manastirin e Hoçishtit, ishte në elitën e të krishterëve dhe kishte ardhur në manastirin e Devollit, që kishte pranë dy shtete, Greqinë dhe Jugosllavinë. Pasi nga Devolli kishte shumë emigrantë, lehtësohej puna e tij si zbulues i huaj. Pas ndodhjes së çështjes, Jorgo Plaku me disa të tjerë e vranë Igumenin edhe dogjën të gjitha dokumentet e tij, që ishin shumë të rëndësishme”. (Nga dëshmia e Mihallaq Ziçishtit në gjyqin e datës 23 gusht 1983)
Por kjo ishte një dëshmi nën kanosje, pra Mihallaqi ishte i shtrënguar të thoshte në gjyq gjithçka që urdhëronin hetuesit dhe prokurorët, për të nxjerrë Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun si armiq, por që më në fund e dënuan edhe atë (Mihallaqin) me pushkatim.
Le të kthehemi te Rizai, babai i Dritëroit, që në atë kohë ishte kryeplak i emëruar nga qeveria, por ai donte ta ndihmonte me çdo kusht luftën, ashtu si dy vëllezërit e tjerë. Prandaj, një ditë ai bisedoi me drejtues dhe komandantë të batalionit, si Fuat Babani, midis të cilëve ishin edhe Mihallaq Ziçishti, Zydi Kambo, si edhe një kushëri i tyre që quhej Bahri Flaka. Bahriu ishte komandant i kompanisë së tretë të këtij batalioni. Por sipas vëllait të Dritëroit, Tajarit, babai i tyre, Rizai, në këtë takim me krerët e batalionit partizan ka folur vetë me komandantin Fuat Babani. Në këtë takim, Rizai i pyeti se si duhej të vepronte për të ndihmuar luftën, pra të largohej nga detyra e kryeplakut të emëruar, duke shkuar në mal apo jo! Mirëpo Fuat Fabani i tha se Rizai duhej të qëndronte në fshat edhe si kryeplak, por edhe si kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit, ku do ta ndihmonte më shumë luftën.
-Dikush duhet të qëndrojë edhe këtu, në fshat, për të organizuar forcat territoriale, – i tha ai.
-Mos duhet të tërhiqem nga pozicioni i kryeplakut? – i pyeti Rizai.
-Nuk ka gjë, rri në të dy krahët, edhe kryeplak, edhe kryetar i Këshillit, se shumë shpejt do ta çlirojmë vendin, – iu përgjigj Mihallaqi.
Dhe kështu u bë. Rizai vazhdoi të qëndronte në të dyja pozicionet, por më vonë kjo gjë u kthye në thikë me dy presa kundër tij. Sepse qeveritarët dhe ballistët nisën të thoshin se Rexhepi kish qenë kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar, duke sabotuar punët e qeverisë. Ndërsa komunistët nga ana tjetër, pas mbarimit të luftës, përmendnin shumë pozicionin e tij si kryeplak i emëruar nga hyqymeti, pra nga qeveria.
Pas Çlirimit, disa drejtues inatçinj, që kishin mundësi të dëgjoheshin në instancat përkatëse, kur binte fjala për të bërë karakteristikën e Rizait, me keqdashje, nuk i vinin në biografi kontributin ndaj luftës, por identitetin si kryeplak, duke dashur ta intimidonin apo denigronin punën e tij produktive të asaj kohe.
-Mos harro se ti ke qenë kryeplak i qeverisë, – i thoshin ata në formë presioni.
Por pas luftës, fryma denigruese dhe negativiste mbizotëronte ndaj çdo individi.
Pra fjalia ose akuza e parë që i bëhej dikujt që kish qenë patriot ose asnjanës ishte kjo: “Ti ke qenë ballist”, ose “Ti je kushëriri i ballistëve”, ose “Ti ke një cen në biografinë e fisit tënd, që ka lidhje me ballistët”. Por në rastin e Rizait, këto sulme absurde nuk zgjatën shumë, sepse ai kish qenë edhe në burg gjatë vitit të fundit të luftës.
Në këto rrethana, kur xhaxhallarët kishin ikur në male, Dritëroi u mendua dhe një ditë e ndau mendjen për të ikur në mal. Ishte fundi i vitit 1943 dhe fillim i 1944-ës dhe ai ishte 14 vjeç. Përballë fshatit të tyre ishin disa kodra, që ndodheshin matanë lumit. Atje rrinin partizanët e batalionin “Fuat Babani”, në kufi me Greqinë.

Takimi i Dritëroit
me komandantin
e kompanisë
Një ditë, ai shkoi te kushëriri i tij, Bahri Flaka, që ishte komandant i kompanisë së tretë të këtij batalioni, dhe i tha se do të ikte nga shtëpia.
-Do të dal partizan me ju, sepse xhaxhallarët, të dy, kanë ikur, im atë po merret me fshatin. Nuk rri dot më, do të iki, – i tha Dritëroi.
-Ti je i vogël dhe nuk mund të të marrim, sepse lufta s’është lojë fëmijësh, – iu përgjigj Bahriu.
Duke e pasur edhe kushëri, mospranimi i Bahriut ishte edhe më agresiv. Sepse mendonte që, nëse Dritëroi do të vritej në luftë, ai vetë do të mbetej ngushtë para nënë Hatixhesë.
-E pra, unë nuk kthehem më në shtëpi sikur të përmbyset bota! – tha Dritëroi me siguri të madhe. – Nuk jam i vogël dhe nuk dua të më mësojnë ç’të bëj!
-Je i vogël e duhet të presësh edhe ca. Po të mos çlirohemi, prit edhe një vit e hajde, se besoj se do të zgjasë lufta.
-Nuk pres dhe nuk kthehem! – ngulmoi Dritëroi dhe shtoi: – Ti je kushëriri ynë, prandaj më ndihmo!
Bahriu e pa se Dritëroi ishte i vendosur, prandaj e “ktheu pllakën”, dhe këtë radhë i foli me të “urtë”, duke i treguar se kishte edhe një zgjidhje tjetër.
-Çfarë zgjidhjeje? – e pyeti Dritëroi.
-Ti mund të shërbesh edhe duke ndenjur në fshat, sepse aty na duhesh më shumë. Ne do të të bëjmë korrier. Kur të kemi nevojë, do të dërgojmë letra nëpër fshatra dhe ti duhet t’i shpërndash.
-Kjo është një punë e lehtë dhe mund ta bëjë kushdo, – ia preu Dritëroi.
-Jo, – e kundërshtoi Bahriu. – Ti e ke më të vështirë, se po të zunë, edhe të vrasin.
Kështu Dritëroi pranoi, dhe kjo iu duk një gjysmë zgjidhje gjersa të vinte viti tjetër, për të luftuar në male.
Fillimisht ai u aktivizua si korrier. Por kjo ishte një punë shumë më e vështirë sesa dukej. Sepse në çdo kohë në shtëpinë e tij, ditën apo natën, vinin detyra që duheshin kryer urgjentisht, për të mbajtur lidhjet me shtabin e zonës apo për të njoftuar persona të ndryshëm, që duhet të paraqiteshin pranë komandës së batalionit “Fuat Babani”. Ndërsa më vonë, kur u formua brigada IX në Lozhan të Gorës, një kompani e këtij batalioni mbeti nga ana e Devollit dhe Dritëroi u mobilizua në radhët e saj.
Por këtë radhë Bahri Flaka nuk ishte më komandant. Atë e kishin larguar për shkak të një gabimi. Më vonë, emri i Bahri Flakës u la në harresë, por sidoqoftë, ai përmendet si një luftëtar trim dhe komandant i zoti i kompanisë së tretë të batalionit “Fuat Babani”. Bahriu u dënua kot fare, siç dënoheshin njerëzit e pafajshëm, gjoja për bashkëpunim me armikun. Kjo sqarohet mirë nga vargjet e Kiço Th. Spirit (i cili e donte shumë Dritëronë), që thotë:

Mora pushkën, dola malit
Të luftoja për atdhe.
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku ish me ne.

Më vonë, Rizai mbeti vetëm me djalin e vogël e vajzën dhe iku në Rëmbec, për arsye se nuk i punonte dot tokat dhe për shkak se donte t’u mundësonte dy fëmijëve të tjerë, Tajarit dhe vajzës, afrimin sa më pranë qytetit, në mënyrë që ata të dy të kishin mundësi të arsimoheshin.
Pastaj shkoi në Sukth, por aty ndodhi një ngatërresë. Sepse një kapter nga Skrapari foli shumë keq për Rizain, duke thënë se ai ishte një kulak i pasur, që kishte pasur toka e pyje në Menkulas, duke ikur që andej për të bërë jetë kulaku afër kryeqytetit. Kjo solli një ngatërresë të kotë dhe për një farë kohe atyre ua morën shtëpinë, duke i detyruar të rrinin në barakë. Por më vonë, pasi u sqarua statusi i familjes së tyre, ata e morën përsëri shtëpinë.

———————————————
Nesër do të lexoni: Në festën e 1 Majit, Agollin e nxorën nga rreshti se kishte veshur një pallto grash dhe këpucë të vjetra. Dritëroi, vullnetar në hekurudhën Durrës-Peqin, shkolla e Bilishtit, botimi i poezisë së parë në gazetë dhe nisja drejt gjimnazit të Gjirokastrës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.