KULTURË

Mjerimi i bibliotekës kombëtare, Persida Asllani: Gjendja e rëndë e godinës, jemi në krizë kritike hapësirash

09:59 - 22.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Imazhe librash të djegur, tym që del nga katet e nëndheshme, imazhe librash të vënë stivë krah rafteve të fondeve. Janë imazhet e mjerimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, që për vite me radhë ka vuajtur mungesën e hapësirave, mungesën e buxheteve, mungesën e vëmendjes dhe jetesën nën një çati me institucione që prej viteve ‘90-të i kanë marrë hapësirat që i takonin. Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro pat premtuar zgjidhje dy vite më herët, në fjalën e saj të parë në parlament në këtë fillimshtator e shpalli si një ndër përparësitë e qeverisë. Kur jemi ende në planin e premtimeve dhe përparësive, imazhet e mjerimit të një biblioteke që pothuaj 100 vjet më parë i pat vënë themelet e institucionit me ëndrrat e ‘Komisisë Letrare’, më së paku të trishton. Një shekull më pas, kemi traditën, por jo kushtet, as hapësirat. Ngarendja në kaosin posttotalitar, si ngarendje e pamend, e hoqi vëmendjen nga kultura, duke zhbërë shumëçka që qe bërë, edhe pse mund të mos ishte bërë mirë. Në vend që të përmirësohej çka komunizmi e baltosi me ideologji, ne rendëm të shtojmë baltën, pa u rrekur të pastronim. E teksa balta u shtua, treguam me gisht derisa sytë nuk shihnin më asgjë. Kishim qenë të mirë për të treguar çfarë nuk shkonte, por njëherësh kaq të dobët për ta përmirësuar. 27 vite pas rënies së regjimit, efektet e dëmeve që u bënë në kulturë e arsim duke rrëzuar strukturat që përpos “njollave të murrme” pat nxjerrë breza intelektualësh, na flasin sot për breza analfabetësh funksionalë. Kambanat bien përditë. Më shumë se gjuhët e zjarrit që përpinë njësitë muaj më parë, dëmet janë bërë me lënien mënjanë të institucioneve të kulturës, si ngrehina që u mjaftuan të jenë, pa u parë si janë. Në mundshim, në mundshim të vrapojmë për të kapur kohën e humbur.


SHIFRAT E
ZJARRIT
Gjashtë muaj pas rënies së zjarrit në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, drejtoresha Persida Asllani ka dalë në një konferencë për shtyp me të dhënat zyrtare të dëmeve. Duke vënë në dukje zvogëlimin e pasojave prej konstatimit të shpejtë të vatrës së zjarrit e masat e marra nga institucioni, Asllani tha dje se nuk janë prekur as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare, as mjediset ku ruhet fondi i vlerave të rralla dhe ai i arkivit të librit dhe periodikut shqip, çka do të thotë se asnjë prej titujve të dëmtuar nga zjarri, në kuptim të përdorimit, nuk rrezikon të jetë zhdukur përgjithmonë, pasi falë këtij fondi të veçantë arkivor bëhet i mundur riprodhimi i tyre, nëse do të jetë e nevojshme.
Asllani tha se mbështetur në protokollet e punës tekniko-profesionale, rezultojnë të asgjësuara nga zjarri 3.308 njësi bibliotekare, nga të cilat 748  nga Fondi i koleksioneve të gazetave, 273 nga Fondi i koleksioneve të revistave, 134 nga Fondi i librit të huaj/fjalorë, 100 nga fondi i librit të huaj dhe 2.053 njësi (Fondi i librit shqip).
Pas gjashtë muajsh, në zbatim të protokolleve tekniko-profesionale, punonjësit dhe specialistët e BKSH-së ndërmorën një sërë masash në drejtim të përgatitjes së listave regjistruese për çdo njësi të zhvendosur nga Fondi në hapësirat evakuuese, restaurimin e njësive të dëmtuara pjesërisht, përpilimin e listave me njësitë e asgjësuara dhe përgatitjen për t’i pasqyruar në regjistrat e inventarit të përgjithshëm të BKSH-së.
Është punuar edhe me restaurimin fizik të mjediseve të dëmtuara, duke realizuar dezinfektimin, pastrimet e mjediseve dhe njësive bibliotekare (libra dhe periodikë), lyerje, rrjet elektrik portativ. Ndërkaq, përmes një financimi të ndërmarrë nga MK, u realizua projekti për ripërtëritjen e sistemit kundër zjarrit, që është në fazat e fundit.


LEGJENDA
E MJERIMIT
Deklaratat patetike në të përditshmen tonë janë pafund. Mes shumë legjendave të mjerimit që gjejmë përreth, ajo e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është vërtetë e trishtë. Persida Asllani pohoi (çka dihej) se aktualisht BKSH mban barrën e dy problematikave të mëdha.
E para është kriza e hapësirave. “Pavarësisht masave të ndërmarra, gjendja aktuale e hapësirave të Fondeve të BKSH-së mbetet kritike, duke pasqyruar në mënyrën më të mprehtë një krizë hapësirash të shfaqur qysh në vitet ‘80. Së dyti, mbivendosja e funksioneve, qysh prej viteve ‘90 BKSH mbulon edhe mungesën e Bibliotekës së qytetit të Tiranës, i cili sot numëron rreth 1.000.000 banorë. Ajo shërben edhe si Bibliotekë Kombëtare e Shqipërisë edhe si Bibliotekë publike e Tiranës, duke akumuluar funksione shpesh të papërputhshme me njëra-tjetrën dhe detyra që përmbushen më vështirësi e sforcim të madh”.
Asllani tha dje në mënyrë krejt të drejtpërdrejtë se në kushtet aktuale, asnjë masë, sado e sofistikuar teknikisht, nuk na garanton sigurinë e fondeve të BKSH-së, duke na detyruar të zbatojmë protokollet e sigurisë për raste të tilla. “Këto protokolle diktojnë në mënyrë të pashmangshme një përdorim sa më të pakët të mjediseve ku ruhen librat, duke kërkuar që ato të ruhen sa më shumë në ‘gjendje qetësie’. Për pasojë, për arsye të sigurisë së fondeve të saj, BKSH do të vijojë të ofrojë shërbime të kufizuara në sallat e leximit me fonde të hapura, duke mbështetur, në funksion të interesit publik, kërkimin shkencor, mediat, botues etj.”, tha drejtoresha.


EVAKUIMI
SI MASË
Mbi sa u tha më lart, kërkohet një evakuim i pjesshëm i fondit të BKSH-së. Tashmë, në dispozicion të Ministrisë së Kulturës dhe me destinacion përdorues BKSH-në është miratuar nga ana e qeverisë (VKM) një ndërtesë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo ndërtesë, mbasi të investohet e të përshtatet, do të përdoret për evakuimin e pjesshëm të Fondit.
Po ashtu, ripërtëritja e bibliotekave publike të qytetit të Tiranës (bibliotekat e lagjeve) dhe krijimi i qendrave multimediale nga ana e bashkisë dhe MK duket të jetë tejet i nevojshëm.
Asllani për një zgjidhje afatgjatë propozoi themelimin e një biblioteke të qytetit të Tiranës, me mbështetjen e bashkisë dhe BKSH-së, ndërtimin e një biblioteke të re kombëtare. “Biblioteka Kombëtare është shpallur një nga tri prioritetet kryesore të qeverisë për këtë mandat. Po shqyrtohen të gjitha rrugët e mundshme për të dhënë një zgjidhje sa më afatgjatë e bashkëkohore. Ka një angazhim si nga Ministria e Kulturës, edhe nga Bashkia e Tiranës për të gjetur zgjidhjet e duhura”, tha ajo.

Shifrat e njësive të asgjësuara nga zjarri
748 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të gazetave).
273 njësi bibliotekare (Fondi i koleksioneve të revistave).
134 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj/fjalorë).
100 njësi bibliotekare (Fondi i librit të huaj).
2.053 njësi bibliotekare (Fondi i librit shqip).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.