SPORT

Britma dhe grushte tavolinës, Moxhi-lojtarëve: Nëse jeni burra…

10:55 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kthesa e Partizanit të drejtuesve italianë mendohej se do të vinte në Korçë, por humbja e ka thelluar akoma më shumë krizën në kampin e kuq. Nëse pas ndeshjes me Kukësin, trajneri Iuliano dhe Luçiano Moxhi kishin besim, pas disfatës me Skënderbeun ata kanë shtruar shumë pikëpyetje mbi të ardhmen.

Edhe vetë drejtuesit e kanë pohuar mes miqve se harmonia në grup nuk është më e mira, pasi ka diferencime mes të ardhurve dhe atyre që vijojnë nga sezoni i shkuar. Duke ditur atmosferën e brendshme, por edhe paraqitjen e fundit në Korçë, te drejtuesit italianë dyshimi për puç të brendshëm mbetet prezent. Pas takimit të së shtunës, Moxhi dhe Iuliano e kanë shkundur ekipin në dhomën e zhveshjes, për të mësuar se cilat janë arsyet e krizës.

MOXHI I NERVOZUAR
Mbledhja pas ndeshjes është shoqëruar me nota të larta tensioni dhe nervozizmi, ku Luçiano Moxhi ka sfiduar moshën, duke ngritur zërin dhe goditur me grushte tavolinën. Ai i ka testuar lojtarët nëse ata janë burra të vërtetë, që t’ia thonë në sy se çfarë nuk shkon në punën e tij drejtuese.

“Nëse jeni burra, ma thoni se cili është problemi që keni me punën time. E them këtë, pasi në fushën e lojës nuk pashë burra të vërtetë. Ndaj po jua përsëris, nëse jeni burra ma thoni tani çfarë nuk shkon në marrëdhënien tonë te Partizani!”. Kështu u është drejtuar Luçiano Moxhi lojtarëve të Partizanit në dhomën e zhveshjes pas humbjes në Korçë.

TRAJNERI IULIANO
Mark Iuliano ka qenë disi më i qetë në fjalën e tij para ekipit, duke evituar veprimet e Moxhit, që inatin e humbjes e nxori duke goditur tavolinën me grushte. Gjesti i “Big Luçianos” shërbeu edhe si një mesazh për lojtarët duke u lënë të kuptohet se “dora e hekurt” do të bjerë mbi ata. Nuk përjashtohet mundësia që të ndërmerren masa për lojtarët. Ndërsa trajneri ka kërkuar mendimin e lojtarëve për të vijuar së bashku apo jo, si dhe për t’u kaluar përgjegjësitë e krizës.

“Nëse nuk doni të punojmë bashkë, unë largohem që tani. Por, dua që të ma thoni këtë gjë, në mënyrë që edhe unë ta kem të qartë arsyen e ikjes. Ju jeni ata që luani në fushë dhe mbani përgjegjësitë për paraqitjen dhe jo unë. Largohem vetëm nëse ju nuk doni të punoni me mua, por është mirë që të ma thoni që tani”. Kështu u është drejtuar trajneri Iuliano lojtarëve pas humbjes në Korçë.

LOJTARËT
Ndonëse Luçiano Moxhi ka insistuar shumë që lojtarët t’ia thonë në sy arsyet se ku çalon puna e tyre, ata gjatë gjithë kohës që zhvillohej mbledhja e kanë mbajtur kokën poshtë. Përpos evitimit të kryqëzimit të shikimeve mes palëve, heshtja nga ana e lojtarëve ka qenë e thellë.

Pas analizës dhe lumit të kritikave në fund të mbledhjes, lojtarët u kanë dhënë përgjigje drejtuesve italianë për të vijuar së bashku. “Dora e hekurt” e Moxhit nisi që me penalizimin e kapitenit para ndeshjes me Laçin, por nga kjo përplasje në fund humbet Partizani dhe tifozët që sakrifikojnë për t’i mbështetur në çdo fushë ku luajnë./panoramasport/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.