MILOSAO

“E vështirë të provohen informacionet e CIA në Shqipëri

09:45 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Për studiuesin dhe koleksionistin e pasionuar të karikaturave, Armand Plaka: Vitet ’50 fshehin “guva të errëta” të historisë sonë! Në këtë intervistë ai flet për punën dhe pasionet e tij, por ndërkohë dhe problematikën që ka hasur në shumë nga hulumtimet e bëra. Në një prej tyre, ai hedh tezën se: Enver Hoxha në 1948 mund të ketë kërkuar fshehtazi riafrimin me jugosllavët nga frika e Shehut.

Intervistoi Staff “Milosao”

Z. Armand, ju keni kohë që aktivizoheni në shtypin e shkruar me prurje që duken sa të veçanta, aq edhe të vlefshme. Janë kontribute lehtësisht të verifikueshme, të cilat intrigojnë këdo lexues në hapësirën mbarëshqiptare, duke i ftuar ata jo vetëm të shohin risitë shpesh të sjella me foto e karikatura që “flasin sa njëmijë fjalë”, por edhe të reflektojnë mbi historinë tonë të hidhur. Si ka nisur i gjithi ky pasion?
Gjithçka ka nisur falë disa pasioneve të hershme, por të rizbuluara për artin dhe kulturën, humorin e satirën, të kombinuara me ato për politikën, historinë dhe gjuhët e huaja. Prej shumë vitesh iu vura kërkimit të materialeve të hershme historike, të cilat duhet të kishin medomosdo një pikë takimi me Shqipërinë. Ngado që më ofroheshin, kurdo që i merrja, qofshin foto, grafika, gravura, karikatura, harta, pulla apo kartolina, nisën të më ngacmojnë gjithnjë e më shumë, ndërsa sigurisht se tekstet e vjetra e historitë e të huajve për shqiptarët e çdo gjë që lidhej me ta, i tejkaluan dalëngadalë përmasat e një pasioni normal, duke m’u kthyer në një domosdoshmëri jetike. Fillimisht me materiale origjinale. Letra të zverdhura gazetash e revistash të huaja, kartolina të vjetra e tek-tuk ndonjë objekt, por më pas, falë teknologjisë, dixhitalizimit të shumë fondeve arkivore, vura re se shumëçka mund të hulumtohej në një “mënyrë më moderne”, duke mos u mjaftuar sigurisht me kaq.

Po arkivat, bibliotekat…?
Po sigurisht se kur më jepej mundësia, shkoja në muze, librari, biblioteka, arkiva apo ekspozita, e nëse jo, shfrytëzoja, qoftë edhe me pagesë, fonde të hapura apo të mbyllura koleksionesh të shtypit të huaj, hartave, librave e manuskripteve.

A mendoni se keni kontribuar në pasurimin e historisë sonë me prurjet në fjalë?
Falë njohurive në disa gjuhë dhe shpirtit gërmues, por edhe dashamirësisë së shumë prej miqve e bashkëpunëtorëve të huaj me të cilët ndaj pasione të njejta,  mendoj se kam kontribuar sa kam mundur në një pasurim sado modest të historisë sonë relativisht të vonë, duke mos u mjaftuar thjesht me risitë që sillte me vete publikimi i fotove e materialeve grafike, por duke i komentuar sa më gjerësisht e madje sjellë me shpoti shpeshherë ato, në kontekstin e sotëm politik e social, duke shigjetuar kështu aktualitetin.

Sa ka ndihmuar aktiviteti juaj si gazetar në disa prej redaksive në vend dhe çfarë do veçonit më shumë?  
Puna si gazetar në rubrikën e Dossier-it, menaxhimi i suplementeve me karakter shumëplanësh, vizitat e pjesëmarrja në disa programe ndërkombëtare në vende të huaja, puna në pozicione të caktuara jashtë sferës së medias, por edhe eksperienca si përkthyes e leximet, gjithashtu më ka ndihmuar t’a mbaj gjallë pasionin tim. Pika kulmore të historisë sonë të vonë sikurse janë:  dy luftërat botërore, periudha e Princ Vidit, ajo e Zogut e më vonë edhe monizmi, duke mos lënë pas edhe shumë periudha të tjera të mëparshme, në përpjekje për të nxjerrë në pah të vërteta historike, kontribute faktike shtetesh, qeverish apo individësh, kanë qenë dhe janë për mua një shtytje drejt përmbushjes së objektivave të mia.

Duket se i jeni shmangur debateve në lidhje me Skënderbeun. – Përse? Dhe a keni ndjerë ndonjëherë se keni qenë të anshëm, të padrejtë apo dhe neglizhentë ndaj një fenomeni apo personazhi historik?
Jam përpjekur të jem sa më i ftohtë, i vërtetë, neutral, por jo moskokëçarës dhe “i pamendim”, kur kam vënë re se dikush po mbivlerësohet pameritueshëm e dikush tjetër, po aq pameritueshëm, po përbaltet. Jam përpjekur t’u qëndroj larg sharlatanizmave, protagonizmit fals, përbaltjes dhe përplasjeve personale, duke synuar të merrem më shumë me fenomenin e të mos ofendoj askënd. Debateve të fundmit dhe atyre paraardhëse rreth Skënderbeut, i jam shmangur me ndërgjegje, sepse kam vënë re një pozicionim të skajshëm të palëve të kyçura në diskutim, mbarsur me plot agresivitet e ekstremitet, çka ka sjellë një pështjellim të panevojshëm, harxhim energjish e për më keq, mbjelljen e një fare përçarje mes shqiptarëve, duke më bërë të besoj se është shtuar fatkeqësisht dukshëm numri i njerëzve që ndjekin axhenda të parapaguara antishqiptare e antikombëtare, duke na e dobësuar imazhin edhe kështu të cënuar në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, e dëmtuar kësisoj të ardhmen tonë.

Ju njiheni tashmë gjerësisht si njohës i apasionuar i kulturës gjermane e qëmtues këmbëngulës i burimeve gjermanike që flasin për historinë e Shqipërisë. A lidhet kjo me ndonjë objektiv të paracaktuar, apo ndoshta me ndonjë peng dhe sa ka ndikuar kjo rrethanë në punën tuaj? -Pse karikatura – sikurse shihet – ka shërbyer në shumë raste si mjet për t’a përmbushur misonin tuaj?
Pasioni i veçantë për kulturën e gjuhën gjermane, por edhe për popujt nordikë në përgjithësi, m’a kanë lehtësuar gjithashtu edhe më shumë këtë “mision”. Karikatura dhe satira politike, në një kohë kur mungonte RTV e interneti, ishte një mjet shumë i përhapur në kontinentin e moçëm dhe çuditërisht Shqipëria rezulton të ketë zënë një vend proporcionalisht të madh në shtypin europian, e veçanërisht në atë austriak të kohës. Kjo shërbeu edhe si një shtysë për mua që dy vjet më parë, të çel një ekspozitë me karikatura e materiale grafike të kohës së Vidit, të cilat kisha kohë që i kisha hasur gjatë hulumtimeve në shtypin austriak. Nga ana tjetër, sikurse theksova, unë në thelb jam gazetar dhe jam munduar t’i trajtoj ngjarjet, personazhet dhe fenomenet nga një këndvështrim i tillë, mbarsur ndonjëherë edhe me interpretime politike, duke shfrytëzuar sigurisht një hapësirë shpesh të kufizuar, siç është hapësira mediatike, e cila ta pamundëson thellimin në një farë mënyre.  Më është dashur të jem sa më racional e i përpiktë për të nxjerrë në pah pa e lodhur lexuesin, thelbin e asaj që kam dashur të shfaq në atë artikull, apo prurje.

A ju ka rezultuar se në periudha të veçanta historike, akoma mbeten “njolla të zeza” apo “guva të errëta”  rreth historisë sonë?
Kjo që pohoni ju qëndron në masën më të madhe, pasi shpesh aludimet më shumë se sa faktet ngrenë krye, duke na çorientuar në pamje të parë, por duke na shërbyer në anën tjetër, edhe si indicie madhore për të gërmuar më tej në ato që ju i përcaktoni me të drejtë si “guva të errëta” të historisë sonë. Meqenëse jam marrë kryesisht me historinë e këtyre dyqind viteve të fundit, duke i ndenjur me ndërgjegje larg historisë së periudhave të tjera të mëparshme, për të cilat ndaj në fakt gjithashtu të njejtin pasion e shkallë kërshërie, mund të përmendja sidomos periudhën e monizmit në Shqipëri, për të cilën materiali arkivor i këtueshëm edhe pse sigurisht, akoma i pakonsumuar e konsulutuar tërësisht, ka boshllëqe e lë hapësirë për interpretime në përballje me materialet që gjenden në arkivat e huaja, të cilat bazoheshin shpesh në dëshmi gojore e të natyrave të tjera.

Çfarë doni të thoni më konkretisht në këtë rast Z. Plaka?
Kam shumë vite që veç të tjerave, merrem edhe me dekriptimin e dosjeve të CIA-s, të cilat pas skadimit të afateve ligjore tashmë prej vitesh i janë nënshtruar aksesit të lirë apo pjesërisht të lirë nga individët e grupimet e interesuara, e ndër ta, edhe shqiptarët. Aty gjen “fakte” nga më të pabesueshmet, të cilat shoqërohen si rregull me komentin e specialistëve të CIA-s për vërtetësinë e burimeve apo dokumentacionit, e detaje të tjera që lidhen me punën e një shërbimi inteligjent. Për shembull, në fundvitet ’40 e vitet ’50 të shekullit të shkuar, ka shumë indicie që na bëjnë të besojmë se ato informacione që gjenden aty – të vërteta apo jo – ka pak gjasa të vërtetohen apo verifikohen nga një burim arkivor shqiptar. Kështu për shembull, po ju citoj një informacion që kam hasur dikur e që bënte fjalë për takime të fshehta të Enver Hoxhës në zonën kufitare mes dy vendeve me emisarët më të lartë jugosllavë, të dërguar me autorizim “top secret” nga Tito e të kërkuar nga vetë Hoxha, ku aludohet se vetëm pak kohë pas miratimit të kursit pro-sovjetik të Shqipërisë e largimit tërësor nga ai jugosllav, Hoxha si rezultat i presioneve sovjetike dhe “hijes” së rivalit të tij më intim, Mehmet Shehu, po lëkundej fort, duke u përpjekur të rikthehej sërish nën tutelën jugosllave. Më pas, sipas të njejtit burim, rezulton se një “shuplakë” e fortë nga ana e sovjetikëve të cilët kishin marrë vesh gjithçka, bën që ai të tërhiqej. Ky informacion, sikurse edhe të tjerë që e lidhin atë kohë me përpjekje të tjera “të çuditshme” të Hoxhës për të kërkuar strehim në ndonjë ambasadë perëndimore, mbajtje nën arrest diku në një lokalitet të Shqipërisë, apo dhe zhdukje për ditë e javë të tëra nga jeta aktive politike në vend, bëjnë që “guvat e errëta” që ju përmendni, të shtohen edhe më shumë. Duket se ato janë të destinuara të qarkullojnë në nivelin e “thashethemeve” apo aludimeve,  pasi jo vetëm se nuk përkojnë me analizat “normale” politike të kohës, por mendja ta do që për ato veprime, të mos jetë mbajtur kurrfarë protokolli apo dokumenti i shkruar (të paktën nga pala shqiptare), çka e bën edhe më intriguese gjithë këtë “lojë”. Sigurisht se përtej këtyre, “guvat e errëta” janë pikërisht çelësi që vë në lëvizje dhe vetë shkencën e historisë e më gjerë, në një botë ku misteret janë jo vetëm pjesë e qenësishme e zhvillimit tonë, por madje edhe shtylla shpesh të dosmosdoshme e të mirëpritura të ekzistencës sonë.

Ju, në prurjet që keni bërë sidomos vitet e fundit, flisni shpesh për ato që cilësohen si “paradokse historike”.
Në fakt paradokset historike e kanë ndjekur këtë popull, por kjo ka ndodhur sigurisht edhe me plot popuj e kombe të tjerë. Mund të them se në këtë aspekt, kemi pak ngjashmëri me Poloninë, e cila është dashur të copëtohet tri herë gjatë historisë së vet ( e ndodhur në pozicion sandëich mes tri perandorive të mëdha të kohës) e sot ka arritur një shkallë të atillë fuqizimi, saqë vlerësohet si njëra ndër ekonomitë e reja më të fuqishme të BE-së, ndërsa dhe popullsia e territori i saj janë mbresëlënës. Përtej kësaj, ia vlen t’i kushtojmë vëmendje luftës italo-greke, e cila ka sjellë paradoksalisht dhe padrejtësisht shumë reperkursione në marrëdhëniet mes dy vendeve. E gjithë literatura e kohës na sugjeron se kushtet e ultimatumit italian ndaj kryeministrit Metaksa, ishin thuajse të njejta me ato të aplikuara ndaj ish-Mbretit Zog, e se Greqia në thelb bëri të njejtin akt si Shqipëria, ndërsa i tha “Jo” prerazi ultimatumit italian, ndërkohë që kjo “Jo”, kur vjen puna tek shqiptarët, nuk përmendet thuajse fare ( e lëre pastaj të festohet e përkujtohet si në Greqi, kur një gjë e tillë ka ndodhur madje edhe në vitin 1942 e 1943, kur vendi ishte i pushtuar nga italianët e gjermanët), pavarësisht se ç’ndodhi më pas. Të gjithë e dimë se grekët përveç luftës që zhvilluan vetë, për të cilën kanë plotësisht të drejtë të jenë krenarë, patën qysh nga fillimi mbështetjen e pakufizuar të RAF-it britanik (dhe sulmeve të tij të suksesshme ajrore) që operonte me qendrën e vet në Athinë, duke u kthyer në një ndihmesë të pashoqe për aksionet tokësore greke dhe kontribuar kësisoj qenësisht në fitoren e tyre ndaj italianëve. Diçka të tillë, shqiptarët nuk e patën ndonjëherë, megjithëse dokumentat e kohës na dëshmojnë se kjo ndihmë edhe u kërkua, por nuk u mor. Kësisoj, mendoj se shqiptarët shpesh e pranojnë kokëulur “realitetin” e nuk thellohen të nxjerrin në pah realitete historike disavantazhuese, duke pohuar njëanshmërisht se bashkëpunuam me italianin apo me gjermanin, pa u thelluar në arsyet e vërteta dhe paradokset e dhimbshme që ofronte koha. Po ashtu kam tentuar disa herë të nxjerr në pah fakte të njohura e të panjohura që lidhen me bashkëpunimin apo prezencën e qeverive pro-Boshtit, të cilat ishin aktive thuajse në çdo vend të pushtuar të kohës, e sidomos në Ballkan, duke hedhur poshtë thuajse mitin se ata që bashkëpunuan me gjermanët e italianët, ishin vetëm  shqiptarët. Nëse ka një shprehje “të luash me dy porta”, kjo  i shkon shumë për shtat Greqisë së viteve të Luftës së Dytë, veprim që ajo sigurisht e bënte me ndërgjegje e largpamësi të pashoqe, deri sa kuptoi tërësisht se nga anonin fatet e luftës.

A veçoni ndonjë periudhë tjetër më të hershme ku shqiptarët dhe fatet e tyre mund të thuhet se kishin marrë për mirë?.
Sigurisht se ka pasur momente kur koha e realitetet historike i kanë avantazhuar mjaft shqiptarët, por paradoksalisht ata nuk kanë ditur të përfitojnë nga ai moment, apo ato konstelacione politiko-historike që formoheshin. Duke u vetëkufizuar tek 200 vitet e fundit, mund t’ju përmend një moment, rreth 10 vite para Kongresit famëkeq të Berlinit, kur një analist austriak, i kushtoi Shqipërisë e shqiptarëve një material voluminoz në disa numra në vitin 1869, e që bën një prognozë tejet mbresëlënëse rreth potencialeve të tyre shtetformuese e rëndësisë së faktorit shqiptar në rajon, në vigjilje të asaj që njihej asokohe si “çështja orientale”. Po kështu, në vigjilje të pavarësisë së Shqipërisë, ngritën krye ca rreze shprese, por koha tregoi se të gjitha këto kishin qenë të rreme dhe se ajo periudhë ishte në vetvete një periudhë tejet e rrezikshme për ekzistencën kombëtare të shqiptarëve. Megjithëse duhet pranuar se gjërat nuk janë kaq bardhezi. Këmbëngul se padyshim mbeten fuqitë e mëdha dhe mosthellimi ( në pjesën më të madhe) me dashje në zgjidhjen e problemit shqiptar, që sollën në fund edhe produktin që njohim të gjithë.

A mund të flitet për një status të humbur të shqiptarit me kalimin e kohës?  
Kjo është një pyetje e vështirë, e cila mund të hapte një debat pa fund dhe gjithashtu të sillte shumë keqkuptime.  Sidoqoftë,  mund të pohoj se një rënie e statusit të tyre, fuqisë, apo më mirë të themi, e  krenarisë së tyre, çuditërisht haset si në një film, edhe në materialet grafike, fotot e ilustrimet që të huajt bënin rreth tyre. Me fillimin e shekullit të njëzetë, ata shfaqen më të varfër, objekt i tyre s’janë më zakonet e traditat e tyre të pashoqe, kostumet shumëngjyrëshe e aftësitë luftarake, jataganët, shtati e virtytet e tyre, por vuajtjet e hallet, persekutimi, betejat e pashpresa, vargjet e refugjatëve, masakrat dhe sytë që duket sikur kërkojnë ndihmë për fatin e tyre të mbrapshtë.

A mos po thoni se largimi i perandorisë otomane solli një rënie të statusit të tyre?
Periudha që ju aludoni thjesht përkon, por gjykimi jo tërësisht, pasi në fakt gjërat kishin nisur të ndryshonin edhe në Europë, e papritur aspekti etnik e ai religjoz, kishin marrë peshë të madhe në vigjilje apo në formim e sipër të shteteve nacionale në kontinent e sidomos në rajonin tonë. Europa që dikur dinte të veçonte fare mirë aspektet që e bënin shqiptarin të ishte “shqiptar”, tashmë po gjykonte vetëm nga aspekti religjoz, sigurisht, e shtyrë nga faktorë të tjerë madhorë, siç ishte rritja e faktorit rus e atij sllav në rajon dhe përgatitja për një përplasje të madhe në kontinent, që s ‘do vononte të vinte.

A mund të ndani ndonjë mesazh për lexuesit tanë në lidhje me historinë e Shqipërisë?
Nisur nga disa aksioma universale, të cilat sugjerojnë se “historia përsëritet nëse ti nuk mëson prej saj”, jam munduar t’a mbaj gjallë kujtimin e momenteve më të vështira për shqiptarët e të nxjerr në pah vuajtjet e tyre, por edhe përpjekjet e gabimet, sikurse edhe të vë në dukje mëkatet që historia ia ka borxh shqiptarëve e gjithashtu kontributet miqësore të atyre shteteve e faktorëve që kanë ndikuar në formësimin e fateve të historisë së tyre. Kam denoncuar e madje kam shkuar deri në tallje me përpjekjet sharlatane, të cilat nuk i kanë shërbyer të vërtetës, pasi kam besuar e besoj gjithmonë se shqiptarët nuk kanë nevojë  të gënjejnë, ngase si shumë pak tjetër në këtë botë,  ata janë pra vetë historia, e vërteta e hidhur apo e ëmbël, e cila nuk ka nevojë të deformohet  thjesht dhe vetëm për t’u shfaqur “më katolik se Papa”, pasi kjo, tek e fundit, nuk i shërben jo vetëm të vërtetës historike, por edhe vetë patriotizmit e  “nacionalizmit” shqiptar, duke na dëmtuar më shumë se sa  ndihmuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.