OPINION

Hienat “Vorio-Epirote” në OSBE

07:40 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga SHABAN MURATI

 

Portali grek “Protothema.gr” njoftonte në 21 shtator se në mbledhjen e zbatimit të dimensionit human, HDIM, të organizuar nga Zyra e ODIHR-it të OSBE, në Varshavë nga 11 deri 22 shtator, mori pjesë edhe një e ashtuquajtur “Shoqatë kombëtare e Vorio-Epirit 1914”. Në sesionin e 10 të kësaj konference të OSBE iu dha fjala edhe të ardhurit të kësaj të ashtuquajture shoqatë dhe ai shpall në këtë konferencë të OSBE se “Zgjidhja e mbijetesës së grekëve në Epirin e Veriut, në shtëpitë e tyre stërgjyshore është zbatimi i Protokollit të Korfuzit të vitit 1914 të nënshkruar nga Shqipëria, që parashikon statutin e Autonomisë”.

Natyrisht nuk të habit dhe as mund të denjosh të merresh me përçartjet e folkloristëve të paguar të nacionalizmit grek, që kanë mbi 105 vjet që rivendikojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Por ajo që ngjall shqetësim është fakti i papranueshëm që një forum i OSBE, si konferenca vjetore e zbatimit të dimensionit human, lejon në tribunën e vet të propagandohen ide separatiste dhe irredentiste kundër një shteti anëtar të OSBE si Shqipëria.

Konferencën e organizoi ODIHR-i, që është Zyrë e OSBE dhe që i merr fondet nga shtetet anëtare të OSBE. Madje në dokumentet e ODIHR-it thuhet qartë se buxheti i konferencës për dimensionin human është miratuar nga shtetet anëtare të OSBE. Bazuar në vendimet e Këshillit të Përhershëm të OSBE nr. 1256 dhe 1265 të korrikut të vitit 2017 është vendosur për organizimin, çështjet që do të trajtohen dhe rendin e ditës të konferencës së zbatimit të dimensionit human, dhe për mbajtjen e saj në Varshavë nga 11 deri 22 shtator 2017.

Duke qenë konferencë e organizuar nga një institucion i OSBE, me një vendim të Këshillit të Përhershëm të OSBE, me miratim të OSBE dhe me buxhet të OSBE, është e paraditur që konferenca nuk duhet kurrsesi të lejojë cenimin dhe sulmet kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve anëtare. Konferenca nuk mund të lejojë që të bëhet tribunë e organizatave ekstremiste, që rivendikojnë territore të shteteve anëtare. Karakterin e saj të hapur rivendikues territorial, separatist dhe antishqiptar, e ashtuquajtura “shoqatë e Vorio-Epirit 1914” e ka qysh në emërtimin e saj.

Nuk mund të justifikohen organizatorët me temën e kësaj konference, që organizohet çdo vit si platformë për 57 shtete anëtare, për partnerët e OSBE në bashkëpunim, për strukturat e OSBE, për shoqërinë civile, për organizatat ndërkombëtare dhe për aktorët e tjerë relevantë. Askush nuk mund ta kuptojë se në cilën kategori e kanë përfshirë organizatorët këtë të ashtuquajtur shoqatë të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, e cila nuk është as shoqatë e legalizuar në Shqipëri dhe mund të jetë një krijim i shërbimeve të fshehta të një shteti tjetër, fqinj me Shqipërinë. Nuk mund të mos lindë pyetja se si është e mundur që të pranohet pjesëmarrja në një konference të organizuar nga OSBE e një shoqatë fantazmë, pa i kërkuar as identitetin legal dhe as shtetësinë e saj.

Është e habitshme lehtësia e sjelljes së organizatorëve, të cilët nuk kanë verifikuar fare se nga cili shtet vjen kjo e ashtuquajtur shoqatë dhe nëse i ka kredencialet, që të flasë në emër të një minoriteti, që jeton në një shtet tjetër, në Shqipëri. Nuk e besoj se organizatorët e konferencës së ODIHR-it në Varshavë do të ishin treguar kaq neglizhentë dhe do të kishin lejuar të merrte pjesë në konferencë dhe t’i jepnin fjalën ndonjë organizate apo shoqate nacionaliste nga Ukraina, që rivendikon territore polake, ose ndonjë shoqatë ekstremiste të djathtë gjermane, që rivendikon portet polake.

Është normale që në konferenca të tilla të ftohen apo të pranohen përfaqësues të partive politike ose të shoqatave legale të minoriteteve, që jetojnë në shtetin përkatës. Do të ishte normale të merrnin pjesë përfaqësues të disa partive politike dhe të shoqatave të shumta të minoritetit grek të krijuara në Shqipëri dhe që mund të kishin rezervat e tyre për kufijtë e tolerancës së shtetit shqiptar, i cili në të gjitha kohërat, që nga koha e komunizmit e deri në kohën e demokracisë, ka pasur kujdesin për t’u dhënë minoritetit grek hapësira ligjore të drejtash mbi mesataren e popullit shqiptar. Madje dy partitë kryesore politike shqiptare, PS dhe PD, në çdo legjislaturë janë kujdesur që numri i deputetëve të minoritetit grek në parlament të jetë disa herë më i madh nga çfarë u takon nga numri i votuesve minoritarë.

Është e papranueshme që organizatorët e konferencës nga Zyra e ODIHR-it të lejojnë në tribunën e OSBE që pseudo-shoqata të dalin dhe të paraqesin pretendime territoriale separatiste kundër një shteti anëtar. Kjo bie në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet themelore të OSBE, me Kartën e Helsinkit, me Kartën e Parisit dhe me të gjitha ministerialet dhe samitet e OSBE.

Duke shqyrtuar këtë devijim të organizatorëve të konferencës së Varshavës nga mandati dhe nga qëllimet e konferencës dhe të dokumenteve dhe të frymës së OSBE, nuk mund të lesh pa prekur edhe përgjumjen apo inaktivitetin e Shqipërisë në drejtim të mbrojtjes së interesave të saj dhe të marrjes së masave parandaluese për ngjarje të papëlqyeshme, që cenojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit. Vendimi për organizimin e konferencës së Varshavës, për çështjet që do të trajtohen dhe për kategoritë e subjekteve, që do të ftohen në të, janë marrë qysh në korrikun e këtij viti. Ka pasur plot kohë që Shqipëria, si shtet anëtar me të drejta të barabarta dhe me të drejtë vetoje si shtetet e tjera, dhe që kontribuon në buxhetin e OSBE, të vendoste veton ndaj pranisë së shoqatës separatiste, që rivendikon territoret e saj. Shqipëria duhet t’u kishte bërë të qartë paraprakisht shteteve partnere në OSBE që ajo nuk mund të tolerojë pjesëmarrje në tribunat e OSBE të shoqatave separatiste, që rrezikojnë integritetin territorial të saj. Jam plotësisht i bindur se edhe shtetet e tjera anëtare do ta kishin mirëkuptuar këtë qëndrim, sepse asnjë shtet anëtar i OSBE nuk do lejonte që shoqata të krijuara në një shtet tjetër kundër sovranitetit të tyre, të merrnin pjesë në një konferencë ndërkombëtare, të paguar edhe me paratë e shtetit të cenuar anëtar.

Ka edhe një element tjetër të natyrës diplomatike lidhur me atë ngjarje. Duke përdorur të drejtën e replikës, përfaqësuesi i Shqipërisë i është përgjigjur provokacionit të të ashtuquajturës “shoqatë të Vorio-Epirit 1914”. Nga pikëpamja profesionale përfaqësuesi i Shqipërisë duhej t’i ishte shmangur një përgjigjeje të gjatë justifikuese për politikën zhvillimore të qeverisë në zonën e Himarës, sepse diplomacia nuk bën polemikë në një mbledhje ndërkombëtare me dikë, që nuk përfaqëson një shtet dhe që nuk ka identitet legal. Përfaqësuesi i Shqipërisë do të duhej të protestonte për pjesëmarrjen e të ashtuquajturës shoqatë, të kërkonte largimin e menjëhershëm të saj dhe të denonconte propagandën rivendikuese ndaj integritetit territorial të shtetit shqiptar. Duke iu drejtuar përfaqësuesve diplomatikë të 57 shteteve pjesëmarrëse të konferencës, do të duhej të kishte sqaruar dhe hedhur poshtë artifisin historike të të ashtuquajturit Protokoll të Korfuzit, i cili është një letër e vdekur pavlerë, që nuk u ratifikua kurrë as nga qeveria e Shqipërisë e Mbretit Vid dhe as nga parlamenti i Greqisë.

Meqë është edhe rasti: konstatohet një qëndrim jo i drejtë dhe asimetrik i shtetit shqiptar gjatë vitit 2017, kur disa herë me radhë Ministria e Jashtme e Greqisë dhe deri presidenti i Greqisë kanë ndërhyrë në mënyrë flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë dhe nuk kanë marrë përgjigjet e duhura adekuate nga institucionet shqiptare. Madje, ishte tepër përulëse për dinjitetin e Shqipërisë kur sulmit dhe ndërhyrjes së përsëritur në punët e brendshme të Shqipërisë nga Ministria e Jashtme e Greqisë në 26 korrik 2017 për një objekt në Himarë iu përgjigj Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Heshtja e shtetit shqiptar ndaj ndërhyrjeve të intensifikuara të shtetit grek gjatë vitit 2017 në punët e brendshme të Shqipërisë është shpjeguar me formulën e vjetër inferiore si “urtësi” nga zyrat shqiptare, dhe është kuptuar si dobësi nga zyrat greke. Më të saktë kanë qenë grekët. Zyrat shqiptare ende nuk kanë mësuar se me heshtje dhe me mbyllje goje nuk e mbrojnë as sovranitetin dhe as dinjitetin e Shqipërisë. Përkundrazi, e shtojnë oreksin e hienave, që edhe pas 105 vjetësh pavarësi duan të na e shqyejnë sovranitetin dhe integritetin territorial. I nxorën dhëmbët në OSBE, por nëse vazhdohet të tolerohen, nuk duhet të habitemi kur t’i shohim edhe në forume të tjera ndërkombëtare.


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. …”Zyrat shqiptare ende nuk kanë mësuar se me heshtje dhe me mbyllje goje nuk e mbrojnë as sovranitetin dhe as dinjitetin e Shqipërisë”… E ç`duhet të thotë tjetër?!?

    Përgjigju ↓
  2. Kur flitet per nderhyrjet greke, duhet nenkuptuar edhe Serbia dhe kur thuhet nderhyrjet Serbe duhet nenkuptuar Greqia dhe Rusia
    Te treja sebashku jane armike ne kuptimin e plote te kuptimit, jane armiq tradicional dhe nuk do te arrijne asnjehere ne mirekuptim, per shekuj me radhe

    Përgjigju ↓
  3. Shkrimi eshte kambane per shurdha; po kujt ia thua,z. ambasador i nderuar?! Ne e kemi lavderuar kryeministrin Rama qe eshte i pari kryeminister qe ua ka vene kufirin te thana fqinjeve qe kane rivendikime tokesore te tyrevetem keto kohet e fundit! Po s’ka ccfare te beje Rama kur ka perfaqesues diplomatike qulla si ky qe paska folur jerm ne në sesionin e 10-te të kësaj konference të OSBE. Mendoj qe ju, z. Murati t’ia jepni Rames emrin e perfaqesuesit te Shqiperise qe “replikoi” ne konference ne vend qe te vinte veton dhe te nxirreshin jashte horrat e Korfuzit.
    Pershendetje, zotit Shaban Murati!

    Përgjigju ↓
  4. Si po vërteton përditshmëria,diplomacia e dy shteteve shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë) janë tue mrizue, ndërsa hiena e çakej janë ringjallur me kafshu. Z.Murati diplomacia shqiptare në Shqipëri e Kosovë janë për ti vajtuar.Serbët ardhacak e kriminel e kanë ndarë Mitrovicën dhe bëjnë ligjin si të dojnë vet, pasi që edhe në Kuvendin e Kosoës përfaqësohen sime qenë 30% e janë vetem 3% falë pushshtetarëve vendor shqiptarë tue fillue prej kryetari e kryeministri… bile Beogradi ua caktonkuvendarët dhe marrjen e pozitave..!PO Shqipëria me mbi 100 vite shtet dhe të lejoj një gjë të till, kjo është e pa falshme dhe mund të ketë pasoja në të ardhmen siç po ndodh në Kosovë me Mitrovicën.

    Përgjigju ↓