MILOSAO

Historia dhe kundërhistoria

09:06 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Abedin PREZA

Fjala kundërhistori është një fjalë e re për gjuhën tonë, por ka disa vite që përdoret në vendet e tjera. Kundërhistoria është shkrimi i  ri i ngjarjeve historike i mbështetur në dokumentet e reja të gjetura në arkivat e vendeve të ndryshme dhe në zbulimet e reja arkeologjike që hedhin poshtë plotësisht apo pjesërisht paraqitjen e vjetër të falsifikuar të ndonjë ngjarjeje historike, duke nxjerrë në pah të vërtetën e saktë t’asaj që ka ndodhur, falsifikimet, arsyet dhe interesat që i kanë shtyrë për shtrembërimin e historisë.
Historitë e para ishin të thjeshta, të sakta, të vërteta, por më vonë, kur historia u bë pronë e politikës, nga trysnia e fitimtarëve të luftrave dhe sundimtarëve të çdo vendi, mbi historianët (shpesh edhe nga servilizmi apo nga miqësia që i lidhte me ta apo edhe nga premtimet dhe ryshfetet e majme që i jepeshin), disa nga këta historianë, filluan të shkruajnë jo çka kishte ndodhur në të vërtetë, por atë që i urdhërohesh. Kështu për fitimtarët e luftrave dhe sundimtarët shkruhej se ishin gjithnjë më të mirët, më të zotët, më trimat, se ishin gjithnjë fitimtarë, betejat e humbura dhe anët e tyre të dobëta nuk shkruheshin duke krijuar nji histori me shumë fakte të falsifikuara, dukuri që ka filluar qysh në kohët e lashta.
Kështu, për shembull, faraoni Ramsesi i dytë, mbas betejës së zhvilluar me 1275 para Krishtit për marrjen e qytetit të Kadeshit që atëhere ishte një pikë e rëndësishme strategjike në Sirinë veriore, betejë që u bë kundër perandorisë hitite  (perandoria e Hititëve ishte në pjesën qendrore dhe lindore të Turqisë së sotme), kur u kthye në Egjipt, deklaroi se betejën e kishte fituar ai. Populli e priti me brohoritje këtë fitore dhe u festua shumë dit. Edhe historianët e  mbretërisë tij, Ramsesin e dytë e quajtën fitimtar të betejës dhe udhëheqës të madh. Por edhe Mavatili, perandor i Hititëve, kur u kthye në Hatusha, kryqytet i perandorisë hitite, deklaroi se betejën e kishte fituar ai, prandaj edhe ai u prit me nderime si fitimtar dhe udhëheqës i madh. Kështu shkruan atëherë edhe historianët e tij.
Në të vërtetë, beteja që zgjati për një kohë të gjatë dhe pati shumë të vrarë nga të dyja anët, nuk u fitua nga asnjera anë, dhe kjo doli më vonë kur u gjet nga arkeologët një pllakë argjili ku ishte përshkruar me saktësi, në alfabetin kunjor. e gjithë lufta që në të vërtetë kishte përfunduar me nënshkrimin e një marrëveshjeje për pushimin e menjëhershëm të luftimeve, duke parë se asnjëra anë nuk kishte qenë në gjendje të  mundte kundërshtarin.
Por më e famshme ka qenë gënjeshtra e “Dhuratës së Kostandinit” perandorit romak në shekullin e IV. Kur ky u vendos në Kostandinopojë më 313 pas Krishtit, në Vatikan, u hap fjala se Kostandini, para largimit tij, i kishte lënë papës Silvestri i parë një testament me anën e të cilit papës i jepej edhe e drejta e ushtrimit të pushtetit politik mbi të gjithë sovranët e shteteve të pjesës perëndimore të perandorisë romake, pra, do t’ishte papa ai që do të kurorëzonte mbretërit dhe do t’ia legjitimonte pushtetin atyre. Në të vërtetë një testament i tillë nga Konstandini nuk u la kurrë, por ishte vetëm një dokument i rremë, falsifikimin e të cilit e zbuluan në shekullin e XV dy studiues italianë,  Por falë këtij dokumenti të rremë, papët e ushtruan pushtetin politik edhe pasi doli në shesh e vërteta e tij.
Me falsifikime të tilla historia është plote e përplot, prandaj, qysh në shekullin e XVI, Ludoviko Ariosto, poeti i madh italian, autor i poemës së famshme “Orlandi i çmendur” shkruante se e gjithë historia e shkruar duhet përmbysur dhe të fillohet nga e para, se vetëm kështu do të kemi një histori të vërtetë që do të shërbejë si mësim për gjeneratat e reja dhe jo një histori e falsifikuar prodhim i disa historianëve servilë që do t’i shërbente interesave të politikës së sundimtarëve.
Historianët e rrymës së kundërhistorisë, të kësaj rryme të re në histori, kanë marrë përsipër pastrimin e historisë nga falsifikimet dhe të nxjerrin në dritë të vërtetat e historisë, pavarësisht se mund të preken mitet e kohëve të shkuara apo heronjtë e ditëve tona dhe do të ndryshojnë për mirë a për keq historinë e falsifikuar të mësuar deri më sot.
Një shembull që ka bërë bujë është ai i Xhuzepe Garibaldi që njihet në të gjithë botën si heroi që liroi jugun e Italisë nga Burbonët dhe e bashkoi atë me pjesën tjetër të Italisë në vitin 1860. Është quajtur edhe heroi i dy kontinenteve meqë ka jetuar dhe vepruar një kohë të gjatë edhe në Amerikën jugore.
Për Garibaldin deri para disa viteve është shkruar gjithnjë siç shkruhet për një hero deri sa u botuan veprat e disa historianëve italianë si vepra e Profesorëve Gustavo Ribaldi,  Gigi di Fiore dhe të historianëve të tjerë që tregojnë hollësisht gjithë jetën e tij, nga del se ai, Garibaldi, sipas dokumenteve të shumtë, sipas korrespondencës së tij personale, dhe sipas shumë artikujve të shkruara në gazetat e Amerikës latine dhe në Itali në vitet 1840-1850 nuk paska qenë një hero por një aventurier që për fitime, kur jetonte në Amerikën jugore, bashkëpunonte me kontrabandistë të çdo lloji. Ishte marrë gjithashtu edhe me tregtinë e skllevërve (megjithëse tregtia e skllevërve ishte e ndaluar nga ligjet ndërkombëtare). Shkrintari Antonio Perrucci e quan në një artikull “Un negriero avido di denaro, trasformato in eroe (Një tregtar skllevërish i etur për parà, i shndërruar në hero)
Kurse për Garibaldin që në vitin 1860, në krye të një mijë vullnetarëve luftuan për bashkimin e jugut të Italisë me pjesën veriore të saj, flitet për një Garibald kriminel që kishte urdhëruar vrasjen e njerëzve të pafajshëm gjatë marshimit tij drejt veriut.
Kështu ka filluar të shkruhet tashti historia në vendet që duan historinë e vërtetë dhe jo histori të shkuar sipas dëshirave të politikanëve që janë të gatshëm ta përmbysin historinë e vërtetë dhe të shkruajnë një histori të re për të zhdukur nga historia të zezat e qeverisjes së tyre dhe ata vetë të paraqiten në histori si heronj mbasi heronjve të vërtetë t’i vejnë njollën e tradhtarit.
Edhe historia e vendit tonë, historia e viteve të pushtimit fashist, nazist, e diktaturës se gjatë komuniste dhe e viteve pas shembjes së komunizmit ka nevoje të shkruhet nga e para jo nga historianët që e kanë shkruar historinë tonë t’atyne viteve, që kanë qenë dhe janë historianë besnikë të ideologjisë komuniste që si në të gjitha vendet ku kanë luftuar dhe sunduar komunistat, ngjarjet dhe dokumentet i paraqisin në mënyre t’atillë që e zeza e vërtetë e politikës sunduese të dalë e bardhë, kurse e bardha e zezë, por nga historianë që duan vetëm të vërtetën dhe nuk janë të ndikuar nga ndonjë ideologji e majtë apo e djathtë qoftë. Në rast se autorët do të jenë po ata, atëherë për fat të keq, ne do të vazhdojmë të jemi, siç shkruante filozofi francez i shekullit të XVIII Nicolas Champignon (Nicolas Shampinjo)  “ Një popull i mjerë që nuk di të shkruajë historinë e tij dhe nuk di të dallojë heronjtë e vërtetë nga heronjtë e sajuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.