MILOSAO

Kujtim Çashku: Ende mungon klima artistike në vend

09:57 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Ashtu si ndodh çdo shtator, Akademia “Marubi” po mirëpret edicionin e radhës së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Në edicionin e 12-të të IHRFFA do të shfaqen 40 filma, animacione, fiksione dhe dokumentarë nga e gjithë bota që në këtë vit janë shpërndarë në disa mjedise artistike dhe social-kulturore të Tiranës…me temën e përbashkët Populizmi dhe Radikalizmi.
“Megjithë pjesëmarrjen, nivelin e lartë të filmave dhe predispozitën e mirë të shumë njerëzve që merren me këtë festival, më shqetëson fakti që Shqipëria ende nuk e gjen dot mjedisin e duhur kulturor dhe më tepër akoma nuk e krijon atë. Kur ndodhin aktivitete të tilla, por qoftë edhe më të ulët si nivel, i gjithë qyteti e gëzon, e përjeton dhe të fut në këtë mjedis. Për fat të keq nuk ndodh kështu me aktivitete kulturore që bën qyteti ynë”. Regjisori Kujtim Çashku, që e shpreh në këtë mënyrë përballjen e mjedisit kulturor të kryeqytetit me impaktin e Festivalit ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në edicionin e 12-të të IHRFFA, është pak i zhgënjyer, por gjithsesi me energji për të mos u ndalur në organizimin e këtij evenimenti, që e bën prej vitesh.
Festivali i filmit për të Drejtat e Njeriut ka filluar prej datës 18 dhe do të vazhdojë deri më 27 shtator. Interesant është koncepti i këtij viti, ku projektimet përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, si dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, po shfaqen edhe në Akademinë e Sigurisë, Qendrën Multifunksionale “TEN”, instalacionin “Reja” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Sheshin “Skënderbe”. Edicioni i këtij festivali ka pasur një rekord aplikimesh, ku nga 3000 syresh janë përzgjedhur 39 produksione filmike,  disa prej të cilëve me çmime nëpër festivale të ndryshme prestigjioze të botës. Duhet sqaruar se Festivali i këtij viti ka qenë më shumë i përfshirë në problematika shumë specifike, që lidheshin me Populizmin dhe Radikalizmin.
“Populizëm radikalizë, do të thotë që efektivisht nuk është thjesht për të marrë informacion në plan lokal, por mbase në plan botërorë. Kemi zgjedhur filmat me ngjarje që janë në Europë, që do të thotë janë ngjitur në të njëjtën kohë ngjitur me kufijtë tonë. Filmat që kemi sjellë tregojnë në të njëjtën kohë edhe se çfarë kemi ne rreth e rrotull vetes çfarë po ndodh me format e ekstremizmit, me format e dhunimit  të drejtave të njeriut, qoftë edhe ngjitur me ato që quhen komshinjtë tanë vendet që na rrethojnë”, u shpreh për gazetarët në prezantimin e aktivitetit të tij z.Çashku.
Filmi “Dugma-The Button” i regjisorit norvegjez Pal Refsdal, ka hapur siparin në Akademinë e Filmit&Multimedia Marubi dhe ai është ndjekur sipas kalendarit me filmat e tjerë.
Regjisori Kujtim Çashku, i angazhuar në këtë sfidë, jo vetëm për të ngritur e mbajtur strukturën e një festivali për të Drejtat e Njeriut, por dhe për ta bërë Shqipërinë pjesë të hartës ndërkombëtare ku flitet për këto çështje, bashkë me bordin përzgjedhës kanë sjellë këtë vit realisht një numër të mirë të ftuarish: Zaki Schiff nga Izraeli, Pal Refsdal nga Norvegjia, Andrea D’Ambrosio nga Italia, Hans Busstra nga Hollanda, Gabriel Tempea nga Rumania, Thomas Isler nga Zvicra, Elton Baxhaku dhe Eriona Çami nga Shqipëria, Angelique Kourunis Greqia, Martin Gerner nga Gjermania, Veton Nurkollari, Isa Qosja, Mathieu Jouffre dhe Besa Luçi nga Kosova.
Një shfaqje speciale e këtij festivali, por edhe një risi mund të thuhet ai që u është dedikuar 40 grave të burgosura të institucionit 325, të cilat erdhën në ambientet e Akademisë “Marubi”, për të ndjekur dokumentarin “Home” të regjisores More Raça, dhe më pas morën pjesë në forumin e diskutimeve për “Dhunën në familje”.
Interesant ka qenë koncepti kurues i këtij festivali, që filma të ndryshëm i shoqëron me panele diskutimi në forume dhe me pjesëmarrje të gjerë. Forumet kanë qenë në Universitetin Evropian të Tiranës, i pari kryesisht për Radikalizmin dhe Fundamentalizmin, pas shfaqjes së dokumentarit “Jihad-A story of the others” të regjisorit Deeyah Khan; në qendrën TEN në bashkëpunim me Universitetin POLIS është shfaqur dokumentari “Selita” i Elton Baxhakut dhe Eriona Çamit, ku më pas është vijuar me diskutimin me temë “Planifikimi urban”. Në sallën e kinemasë Marubi në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri”, një panel tjetër është marrë pas projeksionit të filmit “The girl of 672K”, ku debati me nxënësit ka përmbushur temën: Komunikimin virtual. Interesant, ka qenë ai i zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, kur është shfaqur dokumentari “Cyberjihad / Xhihadi Kibernetik” i Hans Busstra, ku është vijuar me debatin me temë krimin Kibernetik.
“Ashtu si çdo vit, edhe në këtë edicion kanë ardhur një numër i madh filmash nga vende të ndryshme të botës, që na japin mundësinë, në të njëjtën kohë, të zbulojmë kahjet apo dinamikat, se ku lëviz ajo që ne e quajmë, dhuna, terrori, apo shkelja e të drejtave të njeriut. Në një Festival të tillë, këto problematika bëhen më të dukshme, pasi ti ke një pasqyrë më të gjerë në rang botëror. Kjo na mundëson ne, që vazhdimisht të qëmtojmë se cila do të jetë tema specifike që do të zgjedhim për Festivalin, në funksion të së cilës do të operojmë. E për këtë, na duhet një punë njëvjeçare që të hulumtojmë në mënyrë graduale se cili është krimi më prezent në shumatoren e vet në këtë peizazh botëror”, thotë regjisori Çashku, duke treguar me këtë rast edhe planet e tij për të mbajtur një nivel të lartë të shkollës, por edhe të aktiviteteve të të Drejtave të Njeriut në Tiranë. (b.an)





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.