BOTA

Uragani “Maria”, ambasadorja e Shqipërisë në Uashington: Ka shqiptarë të prekur

12:29 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Darina TANUSHI

Uragani “Maria” ka lënë pasoja të mëdha në Shtetet e Bashkuara, ku mes të prekurve ka edhe nga komuniteti shqiptar. Edhe pse nuk raportohet për viktima, jo pak shqiptarë kanë pësuar dëmtime të shumta, deri në shkatërrim në banesa dhe në bizneset e tyre. Në një status në “Facebook”, ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, Floreta Luli-Faber bën të ditur se ka ndjekur gjatë kësaj jave nga afër shqetësimin e dy familjeve shqiptaro-amerikane, të afërmit e të cilëve jetojnë në zona të prekura thellësisht nga uragani “Maria”. “Jemi tepër të çliruar që një student me origjinë shqiptare në Dominici u lidh me familjarët e tij në SHBA pas tri ditësh moskomunikimi. Studenti pritet të evakuohet në ditët në vijim bashkë me një numër qytetarësh amerikanë që jetojnë në shtetin Dominici, një shtet-ishull i përbërë prej më pak se 75 mijë banorësh. Një tjetër bashkëkombës i nderuar që punon në Puerto Rico akoma nuk ka mundur të lidhet me familjarët.

Është përdorur çdo rrugë e mundshme për të marrë informacion, por nuk ka rezultuar me sukses”, – deklaron diplomatja shqiptare në SHBA. Ajo shton më tej se “komunikova me qytetarin personalisht të martën në darkë, me shqetësimin e uraganit ‘Maria’, që pritej të afrohej atë natë. Më siguroi që jeton dhe punon në ndërtesa të mbrojtura nga uragani. Qëndroj besimplotë që ai është jashtë rrezikut për jetën, por pa asnjë mundësi komunikimi, nga ishulli ku tashmë energjia elektrike dhe lidhjet celulare janë ndërprerë 100 për qind”. Ambasadorja thekson: “Gjatë këtyre ditëve jemi lidhur disa herë me Departamentin e Shtetit për të marrë informacion.

Përpjekjet për të gjetur mundësitë e komunikimit nuk do rreshtin”. Të martën e javës që shkoi “Maria” goditi dhunshëm si stuhi e kategorisë së pestë ishujt Virxhin, ku banojnë 55 mijë persona, e më pas preku tokën në Puerto Rico, duke u zbutur në kategorinë e katërt. Guvernatori i Puerto Rico-s, Ricardo Rossello, u kërkoi banorëve të strehohen në zona të sigurta. Problemi kryesor është se disa prej zonave të prekura nga uragani kanë pësuar dëme të rënda nga stuhia paraardhëse “Irma”.

Nëpër rrugë gjenden ende rrënoja të shumta e autoritetet druhen se erërat e forta mund t’i lëvizin ato, duke i sjellë një tjetër rrezik popullsisë. Autoritetet në Porto Rico nuk komunikojnë dot me më shumë se gjysmën e qyteteve në ishull dhe ndërkohë nxitojnë të evakuojnë dhjetëra mijëra njerëz që rrezikohen nga një digë e çarë. Katastrofa e lënë pas nga uragani “Maria” po bëhet gjithnjë e më e qartë. 70.000 persona që jetojnë poshtë digës janë urdhëruar që të evakuohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe paralajmërimet e autoriteteve në mediat sociale s’mund të ishim më alarmante. Qeveria e Porto Rico-s tha dje, se nuk komunikon dot me 40 nga 78 bashkitë në ishull, për shkak të shkatërrimit 85 për qind të telave të telefonit dhe internetit.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Qesharake.Sa teveqele jane keta zyrtaret skipetar ne USA.Vertet mendojne se kane ndonje fije lidhjeje me qytetaret anerikane me origjine shqiptare.Plehrat.Eshte pikerisht kjo rrace hipokrite e hajdute qeveritaresh shkaktaret e ketij Emigracioni pa kthim(perjashtuar Olsin e Rames).Pale doli edhe asambadorja skipetare ne kerkim ne ishujt karaibe per dy skipetare qe po thaheshin nen hijen e palmave.Pika, por dhe ky Majkua kaq koqe kandari eshte qe pranon postin e nje ministri fantazem.

    Përgjigju ↓