KULTURË

Murgu i përkthimit, shuhet Afrim Koçi, shqipëruesi i “Malit Magjik”

09:45 - 27.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Një homazh e nderim kushtuar përkthyesit të mirënjohur të gjuhës gjermane Afrim Koçi, i cili u nda nga jeta në moshën 79- vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 26 shtator, ekspozitën “Afrim Koçi (1938-2017)” .
Përkthyesi i mirënjohur i gjuhës gjermane Afrim Koçi u nda nga jeta, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e përkthimit. Përkthyes dhe redaktor, Afrim Koçi, për rreth 45 vjet ka sjellë mjeshtërisht në gjuhën shqipe emrat më në zë të kulturës dhe letërsisë botërore. Bir i një babai librofil, Afrim Koçi e ka nisur karrierën e përkthimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitet ’60.
“Sot përkthimi ka shumë defekte. E para e punës, njerëzit sot nuk përkthejnë për pasion, por për të nxjerrë jetesën, ndonëse te ne përkthimi paguhet shumë pak. Nga ana tjetër, nuk ka kritikë dhe vlerësime të punëve të veçanta për të nxjerrë në pah të mirat dhe të metat e përkthimeve. Kushdo mund të nxjerrë një libër në treg, mjafton të ketë ca para për ta promovuar dhe e bën të duket si libri më i mirë. Përkthyesit sot janë të harruar, sepse nuk ndihmohen fare nga institucionet shtetërore. Gjithçka i është lënë shpirtit tregtar të botuesit dhe duke qenë se botuesve u leverdis të marrin edhe përkthyes pa përgatitjen e duhur, mjafton t’i paguajnë më pak, kjo sjell edhe mungesën e një sistemi vlerash”, shprehej Koçi vite më pare mbi punën e përkthimit në ditët tona.
Në fondet e BKSh ruhen mbi 90 tituj, përkthime e redaktime nga gjermanishtja, rusishtja, italishtja, anglishtja nga disiplina të ndryshme si letërsi, shkenca humane dhe sociale, histori, albanologji, filozofi, duke nisur nga sprovat e tij të para “Novela amerikane të shekullit XIX” (1973); “Kthimi” (1976) i Jan Myrdal; “Kufiri i hijes” (1976) i Joseph Conrad; “Drama” (1978) i Henrik Ibsen. Për të vijuar më tej me “Farefisi” (1980) i Zhigmond Moric; “Nën rrotë” (1980) i Herman Hesse; “Drama” (1981) i Maksim Gorkit; “Reportazhet e Topgungaçit” (1984) i Robert Escarpit; “Kronikë e kohës së Karlit IX” (1989) i Prosper Merimee; “Ora e gjermanishtes” (1989) i Siegfried Lenz; “Jashtë derës” (1989) i Woflgang Borchert.


Pas viteve ’90 në gjuhën shqipe do të vijnë mjeshtërisht shkrimtarë nobelistë dhe të rëndësishëm të filozofisë dhe letërsisë botërore si “Iluminacione” (1998) të Walter Benjamin; “Abrahami nuk ka faj” (1998) të Ephraim Kishon; “Anestezi Lokale” (2000) të Gunter Grass; “Legjenda e pianistit: një monolog” (2003) i shkrimtarit italian Alessandro Baricco; “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri: 1939-1944” (2006) i Hubert Neuwirth; antologjia “Tregimtarë të gjuhës gjermane pas viteve ’45” (2007); “Epshi” (2007) i nobelistes Elfriede Jelinek; “Macja dhe miu” (2008) i Guntter Grass; “Mali magjik” (2009) i Thomas Mann; “Kasandra” (2012) i Christa Wolf; “Koha e ngrirë” (2014) i autores Anna Kim; “Portret grupi me një zonjë” (2015) i Heinrich Böll; “Haxhi Murati” (2016) i Lev N. Tolstoj; “Në gjurmët e një përralle” (2016) i Jan-Philipp Sendker etj.
Krahas tyre qëndrojnë edhe vepra dhe studimet më të rëndësishme në fushën albanologjisë dhe historisë, si “Studime shqiptare” të Johann Georg von Hahn; “Shqiptarët nga Mesjeta deri në ditët tona” (2008) i Peter Bartl; “Mehmet pushtuesi: botësulmuesi në kapërcyell kohe” (2005) i Franz Babinger etj.
Për herë të parë Koçi solli në gjuhën shqipe veprat monumentale të Eqerem Vlorës, “Kujtime” (2001), “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri: skicë historike” (2010) si dhe “Nga Berati në Tomorr dhe kthim: ditar” (2003), përkthyer nga origjinali në gjuhën gjermane. Një vëmendjen e veçantë përkthyesi Koçi i ka kushtuar edhe përkthimit të letërsisë për fëmijë, si “Veti dhe Babsi” (2000) i Christine Nöstlinger, “Beni do Sarën, Sara do Timin” (2004) i shkrimtareve Carola Holland dhe Edith Schreiber-Wicke, “Beni dhe Ana” (2016) i Peter Hartling; “Aventurat e bletës Maja” (2010) i Valdemar Bonsels etj.
Afrim Koçi është shpallur fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë “Fan Noli”, akorduar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në vitin 2010 për përkthimin e “Malit magjik” të Thomas Mann, i Shtëpisë Botuese “55”. Ndërsa Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Personaliteti i Tiranës për vitin 2007”, si “një përfaqësues i denjë i plejadës së përkthyesve, të cilët me punën e tyre, që prej vitit 1945, i kanë dhënë letërsisë shqiptare vepra të çmuara të shkrimtarëve të njohur në mbarë botën”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.