Kryesore

FOTO/ Prindërit e 27-vjeçares “kyçin” shtëpinë, komshinjtë: Enertila qëndronte e tërhequr, s’linte shkas për biseda

12:36 - 28.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Agron LISI

Enertila Beqja, 27-vjeçarja që ka mashtruar të dashurin e saj, duke i zhvatur 60 mln lekë, ka tentuar të mashtrojë edhe hetuesit, duke deklaruar se është shtatzënë, por analizat kanë treguar të kundërtën.

Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se 27-vjeçarja ka deklaruar se është e fejuar me një djalë nga një fshat tjetër dhe se ishte shtatzënë. “Nuk mund të më mbani këtu në polici pa dëshirën time, pasi jam shtatzënë dhe pres një fëmijë”, – u ka thënë Enertila Beqja oficerëve të policisë. Ajo u ka thënë hetuesve se orenditë i kishte sjellë në shtëpi i fejuari i saj dhe jo 30-vjeçari Barush Ahmeti. Ndërkaq, prokuroria kërkoi bërjen e analizave në mënyrë urgjente nga ku rezultoi se 27-vjecarja nuk ishte shtat-zënë. “Pas nisjes së çështjes penale ndaj saj, të gjitha sendet dhe orenditë shtëpiake (divanet, soba ngrohjes e të gatimit, televizori, frigoriferi etj.) janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga prokurori i çështjes. Orenditë e blera nga 30-vjeçari janë dërguar në magazinat e shtetit, ndërsa në mbyllje të procesit gjyqësor do t’i kalojnë në pronësi Barush Ahmetit”, pohuan burimet nga prokuroria. Pas kryerjes së analizave, policia vuri në pranga të renë.

Dje “Gazeta Shqiptare” ishte në banesën e Enertila Beqjas. Shtëpia ishte e kyçur, ndërsa prindërit e saj ishin larguar prej aty. Banesa e rikonstruktuar gjatë vitit të fundit kishte mbetur e shkretë. Rrushi i vjelë nga hardhitë ditë më parë ishte lënë në mes të verandës. Fqinjët u shprehën se çifti Beqja kishte vetëm një vajzë, Enertilën, e cila që pas mbarimit të gjimnazit qëndronte e papunë në shtëpi. Vajza hiqej se ishte fejuar, por të fejuarin nuk ia kishte parë asnjë njeri. Familja treanëtarëshe nuk komunikonte pothuajse me të gjithë banorët e lagjes. Ata nuk flisnin me komshinjtë, ndërsa këta të fundit thanë se ishin trembur mjaft kur kishin parë policinë në derën e shtëpisë së familjes Beqja, e cila u kishte sekuestruar orenditë e shtëpisë. Lajmi për arrestimin e vajzës kishte marrë dhenë në fshat e jo vetëm, ndërsa të gjithë banorët thanë se vajza qëndronte e tërhequr dhe nuk linte shkas për biseda me ta. “Gazeta Shqiptare” kontaktoi edhe me 30-vjeçarin Barush Ahmeti, por ky i fundit tha se nuk donte që të jepte asnjë shpjegim. “I kam thënë të gjitha në polici dhe nuk flas për asgjë, pasi është jeta ime private”, u shpreh Ahmeti.

Çfarë tha në polici Ahmeti

“Ne u njohëm në vitin 2015 në ‘Facebook’. Ajo më thoshte që ishte bionde e bukur dhe foto e saj e profilit ishte shumë e bukur. Pasi folëm disa herë, unë u dashurova pas saj. E kisha seriozisht, ishte vajza me të cilën do të martohesha. Më tha që jetonte dhe ishte emigrante në Itali dhe se familja e saj kishte disa vështirësi ekonomike. Që në fillim më kërkoi lekë. Ia kam nisur me ‘Ëesternënion’ 1 mijë euro në emrin e saj. Më pas më kërkonte lekë vazhdimisht, pasi më thoshte që donte të krijonte besim tek unë. Më thoshte se do të mi kthente paratë. Më pas i kam dërguar 10 mijë euro me ‘ëesternunion’, prej vitit 2015. Një herë tjetër më tha se ishte sëmurë dhe unë u nisa për në Itali. Kur shkova në Itali, më tha që të kthehesha sepse kishte ardhur në Shqipëri. Në Itali kam shkuar dy herë, i kam blerë dhe të brendshme me tyl. Pas kësaj, më thoshte që jetonte në qytet në Durrës, por prindërit nuk e linin të dilte jashtë, nuk e linin të takonte asnjë njeri. Më thoshte që e mbanin të mbyllur brenda katër mureve”, ka deklaruar në policinë e Durrësit, Barush Ahmeti. Gjithashtu, Ahmeti ka treguar se, “për të vërtetuar dashurinë time karshi saj, ajo vajza më tha se më Manëz kishte një teze, e cila ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe ekonomike. Në fillim u kam blerë kolltuqe dhe divane. Iu kam blerë e dërguar orendi shtëpiake herë pas here. Më thoshte se më donte, se ishte Monaliza ime dhe tezen e saj duhet ta ndihmoja. Unë mendoja se do të martohesha me të. Edhe drutë për t’u ngrohur në dimër, televizor, frigorifer, lavatriçe dhe çdo orendi shtëpiake ua kam blerë dhe ua çuar me paratë që më dërgonin vëllezërit nga emigracioni. Flisnim në telefon, ndërsa ajo më thoshte se do të mi shlyente të gjitha gjërat që bëja për të. Më thoshte se do të mi kthente lekët dhe do të martohej me mua. Punoja në fshat në punë shteti dhe njëkohësisht më dërgonin para vëllezërit që kam jashtë shtetit. Të gjitha paratë ia kam dhënë asaj që nga viti 2015 kur u njohëm. Ajo që mendoja se ishte e dashura ime donte dhurata të shtrenjta. Ia dërgoja lekët dhe i blinte. E doja nuse në shtëpi, por ajo më ka mashtruar. Kemi folur në ‘FB’ me mesazhe edhe në gjumë me njëri-tjetrin. Nga fotoja që shihja në ‘FB’ ishte shumë e bukur dhe shumë joshëse. Nuk e mendoja se do më bënte këtë gjë. Atë nuk e kam takuar asnjë herë. Më la kur më mbaruan lekët”.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.