Kulturë

Muzeu “Gjethi”, çfarë do të bëjmë me trashëgiminë komuniste?

10:25 - 30.09.17 gsh.al


Fatmira Nikolli

Dita Europiane e Trashëgimisë është shënuar sot me aktivitete në institucionet kryesore të kulturës në gjithë Shqipërinë. Muzeu më i ri në vend, ka zgjedhur të ngrejë pyetje mbi trashëgiminë që i përket. Çfarë është trashëgimia komuniste? Ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj saj? A mundet arti dhe arkitektura e një regjimi shtypës që ka shkelur egërsisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve, të bëhen pjesë e trashëgimisë kombëtare? Këto pyetje kanë qenë dje në qendër të takimit që mbajti Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Gjethi” në kuadër të Ditës Europiane të Trashëgimisë. “Sot, në Shqipëri, vendet e kujtesës, vendet e dhimbjes e të traumave si dhe arkitektura e trashëguar nga diktatura mund të cilësohen si trashëgimi kulturore. Burgjet e dikurshme, kampet e internimit dhe objekte të tjera që lidhen me kujtesën tragjike të një brezi të tërë, ruhen ende. Disa prej këtyre objekteve janë shndërruar në muze dhe në disa bashki të vendit ka projekte për zhvillimin e Turizmit të Trashëgimisë Komuniste”, tha drejtoresha e Muzeut Gjethi, Etleva Demollari. Në bashkëbisedimin me nxënësit e shkollës “Sami Frashëri” për Ditën e Trashëgimisë, u fol edhe për vendin që zë muzeu krahas vendeve të tjera të kujtesës. “Ky muze do të shërbejë për të shpjeguar e kuptuar se si funksiononte regjimi totalitar që synonte të kishte nën kontroll të gjitha aspektet e jetës kolektive dhe individuale: ekonominë, arsimin, artin, shkencën, median, jetën private, moralin, idetë, ndjenjat. Do të shërbejë për të kuptuar se si eliminohej që në fillesë çdo ide opozitare e sapoartikuluar, se si mund të etiketoheshin si veprimtari armiqësore një fjalë, një këngë, një krijim artistik, apo një takim i rastësishëm”, tha Demollari për “GSH”. Sipas saj, natyrisht historia që rrëfen ky muze tregon për një anë të errët të shoqërisë tonë për të cilën nuk mund të ndihemi krenarë, por, megjithatë, varrosja e së kaluarës komuniste nuk sjell as shërim e as drejtësi për ata që e pësuan. “E shkuara nuk vdes kurrë. Ajo madje as ka kaluar, sepse ne bartim kujtimin e saj. E kaluara është pjesë e pandarë e jona. Çdo çast i së kaluarës sonë ndërton atë që ne jemi. Kështu që e kaluara jeton brenda nesh. Historia përsëritet, ata që e harrojnë të shkuarën janë të destinuar ta përsërisin. Ndaj asgjë s’duhet të kalojë në heshtje. Asgjë s’duhet të mbetet e pandëshkuar”, vërejti Demollari. E pyetur se çfarë është trashëgimia komuniste dhe ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj saj, Demollari, tha se kur flasim për trashëgiminë komuniste, i referohemi trashëgimisë kulturore të përbërë nga elementë të prekshëm (materiale) dhe të paprekshëm (jomateriale) që kanë rëndësi historike, kulturore dhe shoqërore, që ishin shndërruar dhe funksiononin si forma dhe aspekte autentike të pushtetit politik komunist. Një përkufizim i aplikuar për trashëgiminë komuniste si “trashëgimi kulturore” mund të nxirret, gjithashtu, nga përkufizimi i propozuar nga UNESCO: Trashëgimia kulturore mund të përkufizohet si gjithë korpusi i shenjave materiale- artistike apo simbolike – të sjella nga e kaluara për çdo kulturë dhe, për rrjedhojë, për të gjithë njerëzimin. Si pjesë përbërëse e afirmimit dhe pasurimit të identiteteve kulturore, si një trashëgimi që i përket gjithë njerëzimit, trashëgimia kulturore i jep çdo vendi të veçantë karakteristikat e tij të njohura dhe është magazina e përvojës njerëzore. Ruajtja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore është pra, një gur themeli i çdo politike kulturore.


Etleva Demollari shtoi se trashëgimia kulturore komuniste në Shqipëri, e prekshme dhe e paprekshme, edhe u pranua, edhe u refuzua. Gjithashtu, debatet mbi gjendjen e saj dhe qëndrimet e publikut në lidhje me të janë larg shterimit pas më shumë se dy dekadave. Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, i shtohet hartës së vendeve të kujtesës së diktaturës komuniste duke zënë vend krahas institucioneve të tjera kulturore dhe edukative.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *