SPORT

Sadiku rrëfen bisedën me De Biazin: Na tha se nëse fitojmë, në Itali do na bëjnë heronj. Dua të lë shenjë në Kombëtare

10:39 - 05.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Jeton SELIMI

Pas dëmtimit të Sokol Cikalleshit, e vetmja pikë referimi në sulmin e Kombëtares shqiptare mbetet Armando Sadiku. 26-vjeçari nga Cërriku do të ketë barrën mbi shpatulla për të udhëhequr i vetëm repartin e avancuar, me shpresën e madhe për një mrekulli në dy sfidat spektakolare ndaj Spanjës në 6 tetor dhe ndaj Italisë në 9 tetor. Në konferencën për shtyp para gazetarëve, Sadiku nuk e ka mohuar dëshirën për të gjetur rrugën e rrjetës në të dy sfidat, si dhe tregon për mundësitë që Kombëtarja ka për të marrë një rezultat pozitiv.

Problemi te Legia

“Po, është e vërtetë që tifozët e Legias u mërzitën shumë pas ndeshjes derbi me Leç Poznan. Por është ekzagjeruar nga mediat, disa gjëra nuk janë të vërteta. Kemi pasur një takim me tifozët dhe asgjë më shumë se kaq. Ata u mërzitën, sepse, siç e thashë, është një derbi, është një ndeshje ‘për jetë a vdekje’, thjesht kaq.”

Spanja e vështirë

“Janë lojtarë të një klasi tjetër, luajnë në ekipet më të mira në botë. Ne i respektojmë. Ndeshjen e parë nuk isha, e pashë nga televizori, por besoj që do të jetë e vështirë, si të prekësh topin, si në duele. Por, nëse ne e tregojmë veten si në Europian, si me Izraelin, ne gjithmonë ndaj ekipeve të mëdha luajmë mirë. Po të luajmë si grup, mund t’ia dalim edhe këtë herë.”

Gol Italisë

apo Spanjës?

“Do të më pëlqente t’u shënoja të dyja këtyre skuadrave. Por, nëse luajmë si grup, ashtu si në ndeshje të tjera të rëndësishme si kjo, do të arrijmë t’u krijojmë vështirësi kundërshtarëve dhe të marrim rezultat. Unë shpresoj të shënoj, do të ishte mjaft bukur për mua personalisht, dhe nëse do të ndihmoja ekipin të merrte një pikë do të ishte perfekt.”

Rasti për

të lënë shenjë

“Kur vij në ekipin kombëtar, mendoj gjithmonë se do të vij dhe të lë gjurmë në çdo ndeshje. Në ndeshjet ku kam munguar për arsye dëmtimi, qaj përbrenda meje sepse nuk jam në fushë. Në çdo ndeshje kërkoj të lë gjurmë dhe të bëj diçka që askush nuk e ka bërë. Në Kombëtare jap më të mirën time; edhe kur nuk jam në formën më të mirë, mundohem të lë zemrën në fushë.”

Kontaktet

me De Biazin

“Nuk është se kam pasur ndonjë kontakt, thjesht i kam dërguar një mesazh, e kam uruar për detyrën e re. Nuk kam pasur ndonjë komunikim të gjatë. Para 2-3 ditësh më ka shkruar një mesazh: Në qoftë se fitoni ndaj Spanjës, do t’ju bëjnë heronj në Itali.”

Pa presion

ndaj Spanjës

“Në të gjitha ndeshjet kemi dhënë me të mirën tonë. Fat i keq, që na qëlloi të kemi në grup këto dy skuadra të mëdha. Do të jenë dy ndeshje, ku më shumë do të përgatitemi për eliminatoret e Europianit. Nuk kemi presion dhe e dimë që kemi kundërshtarë shumë të fortë përballë. Thjesht duhet të shohim lojën tonë. Nuk shohim problematikën e Spanjës, që ka shumë lojtarë dhe mund të zëvendësojë këdo që mungon.”

Mungesat

te iberikët

“Për sa u përket lojtarëve të Spanjës, si të mungojnë si të mos mungojnë, ata janë lojtarë shumë të fortë. Luajnë në ekipet më të mira në botë. Duhet të përqendrohemi në lojën tonë.”

Për Kristian Panuçin

“Trajneri ka ardhur i ri, ne ishim mësuar me De Biazin. Ai na njihte shumë mirë. Ndërsa me trajnerin e ri, edhe në stërvitje të gjithë lojtarët mundohen të japin 100 për qind. Trajneri ka futur edhe një frymë të re, na duhet pak kohë të ambientohemi, të na njohë të gjithëve mirë. E rëndësishme është të japim më të mirën, ndërsa trajneri do të provojë të eksperimentojë si për formacionin, si në grumbullime, që t’i ketë idetë më të qarta. T’i japim pak kohë dhe të shpresojmë që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur. Jam gati të jap kontributin tim në Kombëtare. Pastaj, kur të kthehem te Legia do të jap maksimumin edhe për atje për të ndihmuar ekipin.”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.