Intervista

Intervista / Pedro Pablo San Jorge: Në interesin tonë, të vendosim marrëdhënie në të gjithë sektorët

11:25 - 07.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Aleksandra KOLA

Kuba e Shqipëria janë në stadin e përforcimit të marrëdhënieve reciproke”. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “News 24”, ambasadori i Kubës në Shqipëri, z. Pedro Pablo San Jorge. Sipas tij, ka shumë mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve dhe Kuba do ta avancojë këtë marrëdhënie.
Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale Kubë-Shqipëri?
Para së gjithash, dua të falënderoj të gjithë ekipin e “News 24” për këtë intervistë. Për mua është një kënaqësi të vij përsëri në Tiranë. Kam 3 vjet që përfaqësoj Kubën si ambasador në Shqipëri dhe mund të pohoj se në këto momente, marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Kubës janë shumë të mira. Ne jemi duke punuar për të forcuar dhe zgjeruar edhe më tej këto marrëdhënie dhe për këtë arsye, ne sot kemi pasur takime me autoritetet më të larta të vendit. Është në interesin tonë që të vendosim marrëdhënie në të gjithë sektorët e mundshëm si në nivel Presidence, në nivel qeverie, në nivel parlamentar. Gjithashtu, për të punuar për disa marrëveshje, që ne tashmë i kemi përgatitur që të avancojmë edhe më tej në këtë bashkëpunim. Deshëm ta shfrytëzonim këtë mundësi për të promovuar mundësitë që ekzistojnë në vendin tonë për biznesin shqiptar, si pasojë e hapjes që ka pësuar politika e qeverisë sonë gjatë viteve të fundit ndaj investimeve të huaja. Sepse ne mendojmë që në Shqipëri ekzistojnë ndërmarrje me potencialet e duhura dhe me konkurrueshmërinë e duhur për të hapur dhe investuar kapitalet e tyre në Kubë. Gjithashtu, ka edhe fusha të tjera ku ekzistojnë mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit siç është kultura, sporti dhe në mënyrë shumë të veçantë sektori i shëndetësisë. Shohim se ka një gatishmëri dhe disponibilitet të mirë nga ana e autoriteteve shqiptare për ta zgjeruar këtë lloj bashkëpunimi. Po kështu, edhe autoritetet kubaneze e kanë këtë disponibilitet për të shtuar marrëdhëniet me Shqipërinë, sepse këto marrëdhënie janë historike dhe tradicionale midis popullit kubanez dhe popullit shqiptar.


A mendoni se këto marrëdhënie mund të thellohen më shumë?
Ne konsiderojmë se ekzistojnë shumë mundësi dhe shumë ide që të zgjerojmë fushat e bashkëpunimit, duke pasur parasysh gjithë këto ndryshime të mëdha, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 25 viteve të fundit dhe po kështu, duke pasur parasysh edhe ndryshimet që kanë ndodhur në vendin tonë. Këto ndryshime para se të ndodhnin na kanë mbajtur të distancuar për njëfarë kohe, por në këto momente shohim se ekziston vullnet i mirë i të dy qeverive për t’i forcuar këto marrëdhënie. Dhe për këtë arsye, në takimet që patëm sot pamë që koincidojmë në mendime dhe ide midis të dyja qeverive, ekzistojnë marrëdhënie të mira politike dhe diplomatike. Ekziston një bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash midis organeve më të larta të qeverive tona. Ne jemi duke bërë ftesa ndaj qeveritarëve të lartë si dhe biznesmenëve shqiptarë  që të vijnë për vizitë në Kubë. Gjithashtu, ekziston një vullnet i mirë i qeverisë shqiptare për t’i mbështetur këto iniciativa dhe unë mendoj se të gjitha këto përpjekje do të na çojnë në një rritje edhe më të madhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona.
Në Shqipëri po flitet shumë për reformën në drejtësi. A mendoni se kjo do të jetë një reformë e suksesshme?
Unë kam qenë në kontakt me temat që diskutohen dhe zhvillohen aktualisht në Shqipëri dhe mendoj që është një nga temat me shumë interes qoftë për popullsinë, qoftë për aktualitetin në Shqipëri dhe si ambasador në këtë vend, unë dëshiroj dhe uroj që të kalohet me sukses kjo lloj reforme dhe të bëhet për të mirën e popullit në radhë të parë, në mënyrë që të arrihen rezultate të kënaqshme në sektorin e drejtësisë.
 Çfarë vlerësoni më shumë në Shqipëri?
Vërtet është një pyetje shumë interesante. Ka shumë gjëra pozitive që ne kemi parë në Shqipëri. Është një vend që na ka bërë shumë përshtypje, na ka impresionuar shumë dhe kjo gjë për historinë e saj, për traditat, për kulturën e saj, por nëse ka diçka që duhet ta veçojmë, që mua më ka bërë shumë përshtypje është dashuria dhe afrimiteti që ndjen populli shqiptar për popullin kubanez dhe për Kubën. Në të gjitha nivelet që kemi qenë, unë mendoj që ekziston kjo ndjenjë dhe ne si parti politike kemi pritur në nivel ministrish delegacione dhe e kemi perceptuar dhe kemi parë këtë lloj dashurie dhe afrimiteti ndaj popullit kubanez, sepse kemi të bëjmë me disa marrëdhënie, që kanë ekzistuar prej shumë vitesh, kanë qenë marrëdhënie shumë të thella. Shumë kubanezë e kanë vizituar Shqipërinë, kanë vizituar Tiranën dhe shumë shqiptarë kanë vizituar Kubën. Kjo gjë ka çuar në krijimin e një marrëdhënieje shumë solide. Është objektivi ynë thelbësor që unë si ambasador të përpiqem që t’i promovoj, t’i mirëmbaj dhe t’i ruaj këto lloj marrëdhëniesh dashurie, simpatie midis popujve tanë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.