KULTURË

“Arti i procesit”, dialog brenda e jashtë mureve

10:30 - 08.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

 

Statujat monumentale ndërfuten si shenja në hapësirë, kësisoj përcaktojnë kohën dhe përcaktohen në kohë. Hija monumentale ka fuqinë të lërë në hije ata që i afrohen. Vetëm turma nuk ka frikë nga përplasjet. Mund ta përmbysë pushtetin. Kur ajo mblidhet në masë, përcakton shenjën që ripërcakton një qendër të re, kështu që hijet e

statujave dhe ato të njerëzve shkrihen: marrin pjesë në një qenie të re monumentale- Baubas, Arti i Procesit, Center For Opennes and Dialogue, Tiranë.

Në përmbyllje të sezonit “Proceset dhe Rezultatet” me finalizimin e projektit Arti i Procesit, kam në krah Valentina Bonizzin, që më shpjegon një pas një çdo ‘objekt e letër’ në ekspozitën-laborator të konceptuar prej saj për hapësirat e Qendrës, që synoi të bënte bashkë

dialogun mes sipërmarrjeve sociale në vend, me artin relacional.

Ka qenë një rrugëtim disamujor, ky i Artit të Procesit. Krejt rastësisht, kam qenë e përditësuar njëfarësoj me hapat e saj, për shkak të profesionit dhe takimeve të herëpashershme në ekspozita e festivale. Bonizzi më ka folur gjithnjë me shumë pasion për këtë projekt. Në ditën kur ekspozita çelet, ka hequr barrën e të qenit në proces dhe tanimë nuk sheh para, por sheh pas, për të rrëfyer një udhëtim që është në fund, e jo një udhë në mes.

Në një kuptim krejt të ngushtë, mësimi i parë i artit të procesit, është me gjasë, leksioni se duhet shijuar çdo hap i udhës, pa mësyrë veçse fundin, fundi le të jetë destinacioni, por rëndësi ka po aq udha e përshkuar. “Me BAUBAUS lindi një bisedë në largësi dhe në përfundim të procesit do ta quaja thuajse qendër e shkëputur nga BAUBAUS në Tiranë. Me këtë, për mua filloi një lidhje e dyfishtë për Artin e Procesit: dialogët rreth Ligjit 65 me sipërmarrësit socialë gjatë orëve të pikut të protestës, lidhje që më pas u dyfishua, me dy metoda e gjeografi të ndryshme, dhe kjo, në bashkëpunim me artistët që kisha ftuar gjatë ekspozitës-laborator. Meqë s’kam marrë pjesë ndonjëherë te BAUBAUS në Itali, u përpoqa të kapja thelbin nëpërmjet sugjerimeve të Patrizios”, shkëpusim nga Bonizzi, kërkuese e asociuar, në Qendrën për Hapje dhe Dialog, një hapësirë dedikuar artit, hulumtimit dhe politikës, në Kryeministri, në Tiranë.

Për takimin e parë, fjala vjen, u reflektua mbi vizatimin e një gjeografie të re, që të vendoste dhe t’i vendoste në lidhje me kundërshtinë e krijuar mes institucionit ndaj të cilit protesta bëhej dhe vendit publik në të cilin manifestoheshin të dyja. Për Bonizzin, manifestimi i protestës përpara Kryeministrisë krijonte kufij të rinj brenda të cilëve humbiste perceptimi i sigurisë, një zonë manifestimi publik, që i merrej publikut.

Projekti ka zhvilluar paralelisht dialogun mes ndërmarrjeve sociale në vend, po ashtu praktika pjesëmarrëse të artistëve bashkëkohorë në prodhimin e kuptimeve të reja, që zhvendosen nga qendra e kryesisht kanë të bëjnë me procesin dhe cilësinë e tij. Duke rikonsideruar kuptimin e hapjes dhe dialogut me përdorimin e artit bashkëkohor, proceseve ligjbërëse dhe hulumtimit, projekti nxiti reflektim. Për muaj me radhë, në COD dhe jashtë tij janë zhvilluar një seri dialogësh mes sipërmarrësve socialë në Shqipëri dhe prezantimesh. Arti i Procesit regjistroi dhe bëri transparente në faqen web diskutimet mbi Ligjin 65 “Mbi Ndërmarrjet Sociale”, ende në proces shkrimi të akteve nënligjore, duke synuar dialog të qëndrueshëm mes sipërmarrësve socialë dhe ligjvënësve.

Të pranishëm në ceremoninë përmbyllëse të projektit, veç përfaqësuesve të ndërmarrjeve sociale, ishin edhe artistët që bashkëpunuan me Artin e Procesit: Patrizio Raso i Baubaus dhe Giusi Campisi e Muzeut Wunderkammer. Biseda e tyre, solli në vëmendje përvojat bazuar mbi eksperimentin. Në ekspozitën-laborator që qëndron e hapur deri më 14 tetor, veç punimeve të realizuara në hapësirat eksperimentale nga bashkëpunimet e Valentina Bonizzi-t dhe një grupi aktivistësh shqiptarë me Wurmkos, Baubaus dhe Wunderkammer, paraqiten edhe punë të Fondacionit Lac o Le Mon, Il Fondo Speculativo di Provvidenza (FSP) dhe Stalker, si ndërhyrje të artistëve bashkëkohorë që punojnë me praktika pjesëmarrëse e të bazuara në komunitet e në kontekstin tonë, përmes artit ofrojnë një model apo një hapësirë reflektimi për zhvillimin e mikroekonomive të qëndrueshme sociale. Wurmkos është një laborator i arteve pamore, krijuar në vitin 1987 nga Pasquale Campanella në Sesto San Giovanni dhe lidh artin me shqetësimet psikike, pa përcaktuar objektiva shpëtimi. Baubaus u themelua në vitin 2010 në Milano nga Patrizio Raso, si një veprimtari kërkimore e cila përdor artin për të punuar në zbulimin eksperimental të vetvetes, nëpërmjet vëzhgimit kolektiv dhe refleksionit. Muzeu Wunderkammer i Trentos e përcakton veten si një veprim artistik, si gjest politik, si aftësi akrobatike. Mbledh dhe katalogon vende, brenda hapësirës urbane, nga njerëzit që jetojnë dhe lëvizin në qytet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.