Intervista

Nën dritën e zbehtë të tryezës së shkrimit (kur fiket projektori i sallës operatore)

11:00 - 09.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Arta MARKU
E para, mos bëj dëm…”, thoshte Hipokrati. E dyta? Sërish duhej të ishte: mos bëj dëm! Por a është e mundur? Realiteti është shpesh pengues në realizimin e këtij qëllimi të mirë… “Edhe zogjtë bëjnë gabime… – thoshte poeti – e të ecësh në tokë është më e vështirë se të fluturosh në ajër”… Akoma më tepër, të ecësh në tehun e një brisku a mbi një tel të tendosur prej nga, teksa hedh shikimin poshtë, vëren se lartësia është vrastare.

***
Cili je ti korridoreve të një spitali? Me shumë gjasë jo ndjekësi i një historie sado tronditëse që të magnetizon para një ekrani. Protagonist, për më tepër, jo në rolin e tjetërkujt, por të vetvetes. “Subjekti” është diçka me të cilin do të njihesh hap pas hapi, se nuk mund ta dish që në krye të herës. I pakrahasueshëm me makthin e një romani që nuk ia di fundin. Atëherë frika… e vetmja ndjenjë e pastër, e kulluar dhe e qashtër, që fisnikëria i buron nga zorrët e barkut, të tretet në gjak e ti nuk e manipulon dot. Moirat enden rreth e rrotull si prani e fuqishme, sado të padukshme nga syri. Çfarë kanë vendosur për ty? Pyetja shkakton një dhimbje të padurueshme që nuk mund të lokalizohet. Angor animi! Pse unë? A mund të shmanget dëmi? Sa pyetje nuk marrin përgjigje… të paktën jo korridoreve të akullta të një spitali. Përballë teje, në të bardha verbuese, ata që do të donin të mos bëjnë dëm.

***
“Mos bëj dëm”, thotë neurokirurgu britanik Henry Marsh. Por, a është e mundur? Realiteti mund të jetë pengues në realizimin e qëllimit të tij të mirë. Moirat aty, mbi të, duke vigjiluar për t’u siguruar se vendimi i tyre për ta “bërë atë dëm”, nëse kanë vendosur kështu, do të respektohet…
“Mos bëj dëm”, është i mendimit edhe neurokirurgu shqiptar Mentor Petrela. Me uniformën e sallës operatore, duart me doreza sterile llastiku, nën prozhektorin e fuqishëm të sallës operatore, ngjashëm me Henry Marshin, qëllimit për të mos bërë dëm kërkon t’i përmbahet… Por realiteti, i sëmuri, moirat… ecja mbi një tel të tendosur…
Në fakt, më së shumti, nuk bëhet dëm.

***
“Mos bëj dëm” është titulli i librit të Henry Marshit që ka mbërritur në shqip, i përkthyer nga Mentor Petrela në bashkëpunim me Florian Dashin. E te libri dua të qëndrojmë, në një bisedë me neurokirurgun shqiptar… për dëmet që bëhen e nuk bëhen por edhe për të tjera.

– Bisedoja me miq teksa lexoja librin “Mos bëj dëm” dhe ata befasoheshin duke menduar se i kisha hyrë studimit të neuroshkencës. Në fakt, jo. Libri është letërsi me të drejta të plota. Nga ato raste që rrëfejnë një realitet aq të fuqishëm sa nuk lipset trillimi. Autorit i mjafton të rrëfejë atë që ka përjetuar dhe aty është gjithë fuqia e trillimit letrar. Letërsia është përplot me libra të tillë… Lexoja dhe më vinte ndërmend Dostojevski që thoshte: Më jepni një tragjedi t’ju jap një kryevepër! Henry Marsh e ka në dorë tragjedinë. Cili është gjykimi juaj në këtë këndvështrim? Pse vendosët ta përkthenit librin, duke dalë jashtë kornizës së profesionit tuaj?
Ky libër është pjesë e jetës së një neurokirurgu. I përkthyer në 30 gjuhë, shqipja është e 31-ta. Të qenit bestseller ndërkombëtar ishte një shtysë. Tjetra ishte miqësia e gjatë me Henry Marshin… Ai ka ardhur disa herë në Shqipëri. Për hir të marrëdhënies që u krijua preferoi të rikthehet. Dhe rivjen çdo vit e kalojmë 10 ditë bashkë…

– “Sëmundja si metaforë” thotë Susan Sontag. Ajo, në fakt, e ka fjalën për përdorimin që i bëhet sëmundjes në letërsi, mënyrën sesi ajo metaforizohet. Në realitetin e përditshëm të një neurokirurgu nuk besoj të ketë vend për metaforat, e megjithatë Marsh një metaforë përdor kur flet për fillesat e veta në një sallë operacioni. Ai thotë: operacioni ishte i hijshëm… Si mundet të jetë? Ç’është ky këndvështrim?
Duhet të kthehemi pak mbrapa te jeta e Henry Marshit. Ai ishte i destinuar për të qenë njeri administrativ, ose njeri politik, ose në ato organizmat e të drejtës që kanë anglezët. Mjaft t’ju them se Dragon school, PPE në Oksford dhe Westminster School janë 3 shkolla prej nga ka dalë pjesa më e madhe e klasës politike angleze, kryeministrat. David Cameron PPE është, dhoma e lordëve në një pjesë së saj… Kështu edhe Henry Marsh, me shkollat që kishte ndjekur dhe mbështetjen që kishte nga i ati, avokat i Amnesty International , këtë destin duhej të kishte…

– Por nuk ishte vendi i tij…
Pikërisht. E dini me çfarë mund ta krahasoj? Gogeni me 5 fëmijë, i stabilizuar me familje, punonte në bankë… Një ditë të bukur hoqi manshetat e bankës, i la mbi tryezë, la familjen dhe shkoi në jug të Francës për t’iu kushtuar pikturës…

– …Ka histori mjekësh që kanë braktisur mjekësinë për letërsinë… Por dua të këmbëngul te cilësori “i hijshëm”. Ju jeni vetë neurokirurg. Ku qëndron hijeshia e një operacioni?
Nuk është në hijen vetë, por në madhështinë e objektit që lëshon hijen. Ju përmendët pak më lart tragjedinë, por neurokirurgjia nuk është vetëm tragjedi. Unë do të përmend Euripidin, tragjeditë e tij që mbarojnë me happy end. Neurokirurgjia me rezultatet e saj është më shumë kështu…

– Por, happy end-i nuk është gjithnjë i garantuar… Henry Marsh thotë, gjithashtu, se “operacioni ishte i rrezikshëm”… Sigurisht, rreziku është joshje. Dikush zgjedh të garojë me makina shpejtësie, dikush të fluturojë me parashutë… Por joshja e zgjedhjes për të cilën flet Henry Marsh nuk ka të bëjë me rrezikun e vetes, por të tjetrit… Si është kjo joshje?
Henry Marsh ka edhe një shprehje më të bukur që nuk është në libër: për neurokirurgun rreziku është në çdo qoshe të korridorit. Dhe kjo është e vërtetë. Por është edhe rreziku i vetes, sepse ka një vuajtje të pranishme te kirurgët.
Statistikisht ata hyjnë në profesionet që bëjnë aksidente kardiake më të shpeshta. Janë tre profesione të rrezikuara në këtë aspekt, sipas një klasifikimi të bërë në vitet ’70- ‘80: të parët pilotët, të dytët agjentët e shërbimeve sekrete dhe të tretët vijnë kirurgët. Italianët thonë: “Lo pago con le mie coronarie”. Është shumë e gjetur kjo, pra këtë profesion e paguaj me koronaret e mia… Sepse vihesh në presionin e vazhdueshëm të adrenalinës.

– Më sollët ndërmend Denis Diderot dhe shkrimin e tij për racionalitetin dhe emocionalitetin te aktorët. Salla e teatrit dhe e operacionit qëndrojnë në dy skaje të papërputhshme, ama diçka i lidh, siç gjykoj unë, nëpërmjet Diderot. Ai thotë se te aktori duhet të mbizotërojë racionaliteti. Nëse do t’i merrte emocionalisht rolet, do të shkatërrohej psikologjikisht. Nuk mund t’i vuajë ai të gjitha emocionet, dramat, përjetimet e fuqishme të çdo personazhi, ndaj i duhet të futet në lëkurën e personazhit duke qenë njëkohësisht jashtë, të mos lejojë që thelbi i vet të preket nga drama e personazhit. Tani le t’i shohim mjekët nga ky këndvështrim: si ia dalin ata të jenë racionalë, të mos preken nga drama e tjetrit, për më tepër një njeri i vërtetë e jo personazh letërsie? A e mendon ndonjëherë kirurgu braktisjen e profesionit të vet? Si ndërtohen ekuilibrat?
Ekuilibrat gjenden. Në zgjedhjen e profesionit të kirurgut hyjnë shumë faktorë. Ka të bëjë me atë që quhet korteksi frontal dhe korteksi post frontal, ajo që na dallon nga primatët e tjerë. Pra, ne, nga speciet e tjera, në mënyrë të thjeshtë na ndan balli, këtu është gjithçka. Këtu është gjithë inteligjenca njerëzore, ajo që quhet ndërgjegjja, aty futen edhe emocionet edhe reaksionet etj., etj. Ajo që sot është në letërsi e përshkruar kaq bukur, ka vendin e saj në biologji. Ka një substancë që sjell veprimin. Qoftë edhe ato që thotë Diderot për racionalitetin dhe emocionalitetin… Kirurgët nuk janë tru specialë, por i njëjti tru që nëpërmjet edukimit jep një rezultat të caktuar.

-“Çfarë keni bërë ju sot?”- Neurokirurgu gjendet në supermarket dhe papritmas përjeton ndjenjën e superioritetit ndaj të panjohurve rrotull. Atë ditë ai ka shpëtuar një jetë… një gjë madhështore. Ndjesia duhet të jetë e jashtëzakonshme, mendoj, e pakrahasueshme me të gjitha arritjet në çdo lloj profesioni tjetër…
Dhe ai rri në radhë, aty, me të tjerët…

– Padyshim, por duhet të jesh në mes të të tjerëve për të provuar ndjesinë e epërsisë përballë tyre…
Ajo është egoja pozitive, ambicia pozitive e kirurgut që të vazhdojë prapë të nesërmen edhe pse në çdo çast e pret rreziku.

– E çuditshme, siç del nga libri, prirja e paarsyeshme e pacientit për të besuar verbërisht. Nga ta dijë pacienti nëse kirurgu është i aftë apo jo për atë operacion konkret? Siç lexoj në librin e Marshit, ata nuk e pyesin kurrë kirurgun nëse ndihet në lartësinë e duhur për operacionin. As që guxojnë ta mendojnë… Pse ndodh kështu? A ju besojnë pacientët?
Këtë pyetje ma ka bërë edhe Henry Marsh. Kultura të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme ndaj mjekësisë. Në libër kupton që anglezët besojnë në mjekësinë e tyre. Dhe Marsh më pyeti: A ju besojnë ju njerëzit? Nuk e them dot. Personalisht, po, më besojnë, por në përgjithësi… Por nuk jemi ne të vetmit mosbesues, se kjo ndodh edhe në Itali…

– Doni të thoni se është çështje mentaliteti?
Po, është çështje mentaliteti. Gjithçka përgatitet paraprakisht nga e gjithë shoqëria, nuk ka të bëjë me raportin e ngushtë mjek-pacient. Duhet ta shohësh në raport me kulturën e vetë vendit…

– “Ishte e habitshme sesi dy teknikët e radiologjisë llafoseshin të gëzuar mbi një festë tek e cila kishin qenë, të shkëputur dhe të pa interesuar për bebin e vogël të mbështjellë me batanije, që shihej nga dritarja e kontrollit…” Ky është një moment në libër, por ka edhe të tjera, të cilat më sollën në mendje një histori të largët. Isha, në pozicionin e gazetares, në një sallë operacioni (një skenë që e kam tmerrësisht të kthjellët në kujtesë pas kaq shumë vitesh) dhe dëgjoja kirurgët, përpara një trupi të hapur njeriu, që bisedonin qetësisht dhe gëzueshëm madje, për diçka pa lidhje me operacionin që kryenin. Ishte një befasi për mua. Çfarë ndodh në sallat e operacioneve, misterioze për njerëzit që nuk kanë punë aty? Çfarë i bën mjekët të jenë të qetë dhe në dukje shpërfillës?
Nuk duhet parë vetëm si shpërfillje. Së pari, mjekët janë njerëz të zakonshëm. Kanë problemet e tyre e njëkohësisht u duhet të përballen përditë me pacientë që u përcjellin ankesa. Brenda spitalit do të përballesh me vuajtjen e tjetrit, të cilën e vuan varësisht empatisë që ke. Pra, empatia (që do të thotë të ndjesh vuajtjen e tjetrit), në mjedisin e mjekësisë mund të gjendet ose jo si karakteristikë e vetë njeriut. Ka njerëz që e kanë të natyrshme. Një pjesë edukohet nga shkolla, një pjesë nga familja. Empatia është e dukshme, për shembull, te suorat se e kanë të edukuar nga vetë religjioni. Por infermierja është dikush që vjen me hallet e problemet e saj pas vetes dhe i duhet t’i qajë hallin pacientit… Ndoshta është pak si tepër t’ia kërkosh. Kësisoj duken njerëzit si të papërfillshëm. Ka edhe një aspekt tjetër: “shpërfillja” si antistres. Një operacion ka ankthin që të gërryen. Ankthi çliron adrenalinën që bën ato koronaret për të cilat folëm. Kirurgët kur vijnë përpara ankthit, mundohen të jenë shpërfillës. Është një lloj autosugjestioni. Padyshim ka mes kirurgëve që mund të jenë profesionalisht jokorrektë. Sidoqoftë, në rastin më të mirë është ajo indiferenca që të ndihmon të mos biesh në emocion, që të jesh më racional dhe analitik në detyrën e mjekut.

– Në fakt, kështu e përfytyrova dhe unë dhe fillova të mendoj, e nxitur edhe nga libri “Mos bëj dëm”, se në një sallë operacioni mund të ketë edhe muzikë…
Po ka që e përdorin për të relaksuar, sikurse në libër Henry Marsh merr me vete çokollata dhe disqe muzike për t’i përdorur gjatë operacionit, pikërisht për të hequr ankthin …
– Një moment kulmor, që e paraqet Henry Marsh në libër, por edhe një realitet i njohur, ka të bëjë me raportin me të vërtetën. “…ti po gënjen, ne e dimë… Është një tumor me malinjitet të lartë dhe me prognozë të keqe! Ti ke frikë t’ia thuash…”, infermierja i tërheq vëmendjen mjekut ndërsa ai është në dilemë nëse duhet apo jo të jetë i sinqertë me pacientin. Është këtu momenti për të folur për raportin e të vërtetës me gënjeshtrën. Është një përballje e vështirë, siç besoj, e mjekut në raste të caktuara. Çfarë ndodh? Si përleshet një mjek me marrjen e një vendimi? Pse e vërteta është më mirë se gënjeshtra? Janë disa gënjeshtra të bardha, mendoj, që bëjnë më mirë…
Ashtu është. Duhet parë mirë profili i pacientit. Jo të gjithë janë të përgatitur. Është ajo që thotë Niçja: E vërteta është privilegj i një pakice. Ndaj duhet gjykuar rast pas rasti. Nga ç’anturazh vjen pacienti, ç’formim ka, sa i përgatitur ndihet? Ka njerëz që nuk e kuptojnë biologjinë e jetës, që jeta ka një fillim dhe një fund… Nga ana tjetër, gënjeshtra, është një mbrojtje që bën vetë truri. Në mjekësi njihen gënjeshtarët e mëdhenj, sepse në pjesën e përparme të trurit, një pjesë të substancës së bardhë e kanë më të trashë. Ajo duket në rezonancë… Në letërsi gënjeshtari më i madh ishte Baroni Munchausen. Është figura më e bukur dhe butaforike rreth të cilit mblidheshin njerëzit për të dëgjuar gënjeshtrat e tij. E dinin që ishin gënjeshtra, por ishin të bukura dhe ai i tregonte bukur…
– Çfarë mendon një kirurg lidhur me FATIN? Çfarë është FATI, sipas jush? A besoni te Moirat?
Janë disa koincidenca… Shpesh thonë se fati ndihmon të zgjuarin… Ndoshta, nuk mund ta quash lotari. Njëfarësoj është lotari… por edhe nuk është…

– A keni ju shpjegime, le të themi, për shkaqet e tumoreve të trurit? Sepse në mungesë të mundësisë për të kuptuar bëhet i domosdoshëm besimi te fati…
Në një pjesë, pak a shumë, dimë disa gjëra. Aq sa është zbulimi teknologjik i kohës. Ndërkohë informacione të reja vijnë. Sepse kështu është zhvillimi mjekësor. Tani, me atë që quhet dataizimi, mbledhja e të dhënave, google, eaple… po bëjnë një revolucion të madh. Sot, ai që ka të dhënat ka çelësat e të gjithave. Më parë ishte toka, luftohej për terrene. Tani janë të dhënat. Kur të bëhet gjenomi, skema individuale, do të zbardhet e ardhmja…

– Nuk më duket mirë, do të margjinalizoheshin të “dënuarit”. Për më tepër, do ta dimë të ardhmen por nuk do ta dimë pse… Gjithsesi: “Unë nuk mund të interesohem për vdekjen, sepse, për sa kohë jetoj ajo është inekzistente” – thoshte Tolstoi. Është një shprehje shumë e përdorur, sipas të cilës takimi me vdekjen nuk ekziston, sepse kur jemi ne, nuk është vdekja, dhe kur ajo vjen, nuk jemi ne. Është filozofike, në fakt, por kur lexova tregimin “Angor animi”, mu rrëzua thënia. Qenkësh një takim, mjekësia e pranon… njeriu e sheh vdekjen te vjen, i afrohet, e ankthi e frika janë të pashmangshëm. Angështia e shpirtit… Si ndryshon perceptimi letrar për vdekjen (shkrimtarët magjepsen nga misteri i saj) me perceptimin e një mjeku?
Do t’ju tregoj një tjetër histori, të Çabejt me Justin Rrotën, një klerik mjaft i ditur, që Çabej e respektonte shumë. Ai nuk përfundoi në pushkatim se ishte mjaft i dobët nga një tuberkuloz. Çabej e vizitonte dhe i thoshte: – Si je Justin? – Keq, jam tuj dek, – i përgjigjej ai në dialektin e tij shkodran. I thoshte Çabej: – Jo, se e ka thënë Epikuri: kur të vijë vdekja ti nuk do të jesh aty… Dhe Justin Rrota përgjigjej: – Po ai Epikuri ka qenë i pafe!

– Filozofikisht kështu, po në realitet?
Një mjek është vetëm në fillesat e veta në kontakt të drejtpërdrejtë me vdekjen. Më pas jo, por di më shumë dhe gjykon filozofikisht.

– Lexoja librin “Mos bëj dëm” dhe libra të tjerë më vinin ndërmend, me të cilët herë pas here i përputheshin konceptet. Mes tyre libri “Në kërkim të kuptimit të jetës”. Autori, Viktor Frankl, një psikolog i famshëm austriak, ka rrëfyer dhe interpretuar përvojën e tij në Aushvic. Ai thotë se të burgosurit, skelete që ecnin, kur rreshtoheshin në mëngjes, prisnin gishtin e me gjakun që dilte ngjyrosnin faqet, që të dukeshin më mirë, që të mos i çonin në dhomat e gazit. E gjitha kjo për shkak të shpresës, e cila nuk i braktiste. Shpresa për të jetuar qoftë edhe një ditë më shumë. Te nesërmen e njëjta gjë nga fillimi. Në atë gjendje të skajshme njerëzit shpresonin. “Shpresa është e paçmuar”, thotë Henry Marsh. Përse na ndihmon? Çfarë do të ndodhte sikur të mos ishte shpresa… tek e fundit, një nga të këqijat e kutisë së Pandorës…
Unë jam me atë që thonë latinët “In medio stat virtus”. Në mes qëndron virtyti. Mos të kesh shumë, por jo krejt pa shpresë.

– Gjithmonë ekuilibri… Le të flasim tani për përkthimin e “Mos bëj dëm”…
Italianët thonë: Traduttore, traditore! Edhe ne, – kam pasur ndihmën e Florian Dashit, neurolog që e kam aty, në shërbim, se duhet bashkëpunuar me njerëz seriozë kur gjërat mbeten me shkrim – në disa raste e kemi rrotulluar fjalën shumë. Dhe nuk ishte çështja te terminologjia se kjo pjesë ishte e thjeshtë. Çështja ishte te kthimi i koncepteve nga anglisht në shqip. Aty disa herë kemi pasur debate me Florin, se në anglisht mund të shkonte por në shqip jo…

– Unë e kam lexuar “Mos bëj dëm” sikur të ishte libri juaj. E megjithatë ju mund ta shkruani realisht librin tuaj. A e keni menduar?
Në libër janë pothuaj 90 % histori që më kanë ndodhur edhe mua, hiq aspektet e jetës angleze. Ndoshta mjafton ky që është përkthyer se gjërat janë thënë…

– Të shkruarit është nevojë e brendshme e njeriut për t’u zbrazur dhe jo vetëm për të thënë të pathëna…
Po natyrisht letërsia është akt individual. Shkruhet vetëm e lexohet vetëm. Shumë vetë më kanë nxitur të shkruaj, përfshi Henry Marshin. Por ajo duhet të jetë diçka e natyrshme… si thonë, vjen muza.

– Nëse muza vjen, ju nuk do ta lini të ikë?
…Shënime mbaj, të them të drejtën. Ditarin e jetës. Në fakt të japin shtysë këta libra, kur sheh emocionet që përcjellin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.