BLUETOOTH

Bluetooth/ Nga kazinoja, te alkooli e diskot. Netët e “nxehta” në grumbullimet e Kombëtares. Brigel, “i fiksuar” pas pornos

16:00 - 11.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Nga kazinoja, te alkooli e diskot. Netët e “nxehta” në grumbullimet e Kombëtares. Brigel, “i fiksuar” pas videove porno




Një vendim i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, në datën 12 dhjetor të vitit të shkuar, fajësonte lojtarët e kombëtares për mosimpenjim para ndeshjes me Bjellorusinë dhe për një “prishje” të rregullave të grumbullimit. Por në atë mbledhje të Komitetit gjërat e diskutuara ishin shumë më të rënda, pasi disa anëtarë të tij thanë hapur “se lojtarët kishin luajtur kumar, kishin shkuar me femra e ishin larguar shpesh nga hoteli”. Por çfarë ndodh në të vërtetë në grumbullimet e ekipit kombëtar? Për një person që vjen nga futbolli dhe e njeh mirë atë, asgjë e ndryshme nga ajo në kombëtaret e tjera të Evropës. Futbollistët kanë periudhat e relaksit, të punës, ngrënies e të qejfit. Është si një jetë normale, veçse aty ka një kontrollor të përhershëm: trajneri.
Kumari
Në kombëtaren shqiptare, kumari duket si një pasion i përhershëm. Shpesh në hotel “Adriatik” në Durrës, sheh lojtarë që luajnë për orë të tëra kazino, gjë që jo domosdoshmërish ka pasoja negative. Kjo, pasi futbollistët bëhen më të afërt e më në humor duke luajtur aty, pavarësisht se kur humbin ca euro më shumë shihen të vrenjtur në fytyrë. Brigel në fillim e kishte zët një gjë të tillë, por më pas, gjermani i hekurt në pamje, u zbut shumë. Ai e shihte këtë dhe nuk bënte fjalë, ndoshta duke e kuptuar se edhe ai në moshën e tyre nuk kishte qenë aq “gjerman” sa e mbante veten. Bariç në këtë aspekt ishte shumë më liberal. Madje, ndonjëherë njerëzit e stafit të tij nëse të shihnin në korridor të orientonin: “Lojtarët i keni te ruleta!”. Haxhi e Skela janë më të apasionuarit pas kësaj loje. Një pjesë tjetër, preferon më shumë të luajë letra nëpër dhoma, mes batutave, ndonjë birre dhe kohës që duhet të kalojë…


Alkooli
Raportet e lojtarëve të kombëtares me alkoolin nuk janë as shumë të mira e as shumë të këqija. Madje, trajnerët në këtë aspekt kanë qenë më të dalluar. Përpara ndeshjeve, pijet alkoolike mungojnë thuajse totalisht në hotelin e Kombëtares. Megjithatë, bën përjashtim ndonjë birrë e pirë fshehurazi trajnerit apo ndonjë pije tjetër e shtrenjtë në momente relaksi. Pas ndeshjeve megjithatë, sasia e alkoolit shtohet. Pasi mbaron një takim i nivelit ndërkombëtar, futbollistët si rregull janë të lirë të dëfrejnë dhe destinacioni i preferuar janë Pub-et. Në Tiranë futbollistët shihen shpesh në ambiente të tilla pas ndeshjeve dhe doza e alkoolit rritet.
Femrat
Sigurisht që futbollistët kanë një adrenalinë të madhe për të shkarkuar. Dhe në të vërtetë ata nuk janë “engjëj” në grumbullime. Para ndeshjeve, dalja me femra është gjithnjë e ndaluar, përveç ndonjë rasti sporadik, ndërsa nata pas tyre, është gjithnjë një natë “qejfi”. Ka lojtarë që preferojnë thjeshtë ndonjë pije në Pub dhe më pas gjumë, ndërsa për një pjesë tjetër, mbrëmja është më e shfrenuar. “Është nata e tyre”, – thoshin si Brigel edhe Bariç, nëse i pyesje për orët pas ndeshjes. Në Shqipëri, futbollistët në përgjithësi qëndrojnë pranë familjeve, ndërsa në takimet jashtë, natyrisht që jeta merr një “kuptim” tjetër. Sigurisht, që jo të gjithë e tejkalojnë masën. Ndërsa nuk mungojnë as batutat. “A do ndonjë femër?”, – i thoshin me shaka disa lojtarë fizioterapistit Akim Bulinger, duke e parë që ai e kishte mendjen vetëm për punë. Përgjigja e tij: “Jo, kam të dashur në Gjermani!”. Shpesh nuk kanë munguar as shkrimet në media për këtë çështje, siç ishte rasti i takimit me Bullgarinë një vit më parë. Mediat bullgare shkruan që “lojtarët ishin në Playboy Bar”, gjë që i preku jo pak futbollistët e Kombëtares shqiptare. Pas ndeshjes ku ata ishin heronj në fushë, shkuan pikërisht te ky bar për të pirë diçka. “Nuk qenka edhe aq keq”, – thoshin ata me shaka. Për atë natë, thuhet se Duka u ka thënë të gjithëve: Sonte bëni ç’të doni, e heq unë çdo gjë!

Brigel, “i fiksuar” pas videove porno
Hans Peter Brigel kishte vërtetë një tip të çuditshëm. Përveç gjërave të njohura për të si serioziteti apo karakteri inatçor, trajneri gjerman ka qenë shumë i apasionuar pas videove porno. Njerëz të stafit të tij në atë kohë, tregojnë se në grumbullimet e Kombëtares, Brigel shihte shpesh porno në dhomën e tij. “Mbante shumë kaseta të tilla aty. Ndoshta edhe për të shtyrë kohën”, – thonë ata. Gjermani ishte gjithashtu një i apasionuar pas pijes, madje ndonjëherë i lejonte edhe lojtarët të pinin një gotë verë në darkë para gjumit.

Rregulla të forta, por jo gjithnjë për t’u zbatuar…
Natyrisht që grumbullimi i një ekipi kombëtar ka rregullat e veta, shpesh të njohura botërisht. Ndërsa disa prej tyre vendosen nga vetë trajneri. Brigel për shembull, nuk i diskutonte oraret dhe vendosja e disiplinës ka qenë pika e tij më e fortë. Në rastin e Bariç, gjërat ishin më ndryshe. Kroati ka qenë vërtetë shumë liberal në këtë aspekt. Në grumbullimin e fundit, disa futbollistë hanin pak në hotel dhe më pas e vijonin darkën në restorantet luksoze të Durrësit apo Kavajës. Ndoshta për shkak edhe të moshës, Bariç jo gjithnjë mund t’i kontrollonte ata. Thënë ndryshe, rregullat nuk zbatohen gjithmonë me përpikëri, edhe pse në përgjithësi një gjë e tillë ndodh. Lojtarët më të rregullt në grumbullimet e kombëtares janë Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Debatik Curri, Armend Dallku apo Hamdi Salihi.

Ky shkrim u botua më  2 shkurt 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.