Kryesore

U kërcënua me jetë nga ish-kryeprokurorja, 26-vjeçari kërkon urdhër mbrojtjeje: Ja e vërteta ime me Rita Gjatin

10:48 - 11.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Ina ALLKANJARI

Dy ditë pas denoncimit publik të ish-kryeprokurores së Kukësit Rita Gjati, 26-vjeçari Ledian Halili ka kërkuar urdhër mbrojtjeje nga prokuroria. Kjo për faktin se përveç kërcënimeve të marra sipas tij nga kryeprokurorja Gjati për prerje koke, duarsh dhe këmbësh, atij i është hakeruar faqja në rrjetin social “Facebook”. Gjithashtu, i riu pretendon se ka pasur ndërhyrje edhe në aparatin e tij celular. Kjo, pasi i janë fshirë thirrjet hyrëse dhe dalëse të kryera me kryeprokuroren.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ledian Halili u shpreh se dje i është drejtuar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë për të kërkuar urdhër mbrojtjeje, ku ka biseduar me zv.drejtorin. Ndërkohë, ai pohoi se kërkesa e tij për urdhër mbrojtje i është deleguar prokurorisë së Lezhës, e cila një javë më parë ka nisur hetimet për kërcënimet e bëra ndaj tij nga ish-kryeprokurorja e Kukësit. Gjithashtu, Halili sqaroi dhe pse mendon se vjedhja e faqes së “Facebook-ut” të tij lidhet me kryeprokuroren Gjati.

Cila është arsyeja që kërkuat urdhër mbrojtjeje nga prokuroria?

Shumë ngjarje të ndodhura ditët e fundit më bënë t’i drejtohesha prokurorisë për të kërkuar një urdhër mbrojtjeje. Përveç kërcënimit të marrë nga ish-kryeprokurorja Rita Gjati në 31 korrik të 2017, disa ditë më parë më hakeruan faqen time të “Facebook”-ut. Por kjo nuk mbaroi me kaq, pasi vura re që më kishin ndërhyrë edhe në aparatin tim celular, duke më fshirë thirrjet hyrëse dhe dalëse të kryera me ish-kryeprokuroren.

A u pranua kërkesa juaj?

Sot (dje) takova zv.drejtorin e Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë për t’i kërkuar urdhrin e mbrojtjes, të cilin e falënderoj për suportin dhe mbështetjen që më ofroi. Ai më shpjegoi se urdhrin e mbrojtjes në rastin tim e jep gjykata me kërkesë të prokurorit përgjegjës që po ndjek çështjen time. Për këtë arsye do i drejtohem prokurorit përgjegjës në Lezhë për të depozituar një kërkesë për mbrojtje.

Pse mendon se vjedhja e faqes suaj të “Facebook”-ut lidhet me ish-kryeprokuroren Rita Gjati?

Vjedhjen e faqes sime në “Facebook” e lidh me ish-kryeprokuroren, pasi disa ditë më parë, përpara se të më merrnin përfundimisht faqen pa pasur mundësi ta rimarr më, dikush postoi një shkrim në emrin tim. Ishte një postim joreal, ku i kërkoja falje prokurores Rita Gjati, pasi unë kam qenë i dehur kur kam bërë denoncimin. Kjo gjë më solli dyshime të arsyeshme se hakeruesi ka lidhje me prokuroren në fjalë. Por besoj se është detyra e organeve kompetente për të hetuar rastin që parashtrova.

Cilat janë provat materiale që dispononi dhe që dëshmojnë hakerimin e faqes e ndërhyrjen në aparatin tuaj celular?

Pavarësisht ndërhyrjes në aparatin tim celular, pas thirrjes unë i bëra ‘screenshot’ bisedës, ku verifikohet qartazi data, ora sa ka zgjatur biseda dhe me cilin numër është kryer telefonata. Nëse do të verifikohen tabulatet telefonike të kryeprokurores, pasi telefonata ku jam kërcënuar ka qenë një thirrje dalëse nga aparati celular i Rita Gjatit, atëherë çështja do të zbardhej. Gjithsesi, përsa i përket hakerimit, kallëzimin penal po e ndjek komisariati i policisë së Kukësit. Sipas informacioneve të marra, policia e Kukësit ia ka depozituar rastin Drejtorisë së Përgjithshme në Tiranë, konkretisht Departamentit të Krimeve Kompjuterike.

Cila është thirrja juaj ndaj instancave përkatëse?

Për arsye përshpejtimi të hetimit, kam njoftuar dhe azhornuar për rastin në fjalë kryeprokurorin Adriatik Llalla, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. I kam lajmëruar nëpërmjet kontakteve zyrtare duke u shpjeguar situatën, por për zbardhjen e saj dhe verifikimin e kërcënimeve, u kërkoj hetuesve përgjegjës që të marrin akses nga kompania celulare për verifikimin e thirrjeve telefonike të ish-kryeprokurores në drejtim të numrit tim.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kjo eshte Merita Hoxha Gjati , motra e vet Teuta Koka eshte Gjyqtare ne gjykaten e Tiranes dhe kjo I ka krahet e ngrohta, deri per vetingun se pastaj do perfundojne mbas hekrave. Osman Hoxha ua ka dhane mesimet ketyre monstrave

    Përgjigju ↓