Kryesore

Shpërthen themeluesi i FRPD: S’u përzgjodhëm për 25 vite në listat e sigurta. Fraza “E di Doktori” i vinte kapakun pakënaqësive

19:18 - 12.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryetari i Partisë Demokratike në Gjirokastër ditën e djeshme i ka dedikuar një status në Facebook Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Duke rrëfyer themelimin e FRPD, Roland Bejko ka thënë se asnjëherë nuk kanë qenë në listat e sigurta për deputet, pavarësisht kontributit. Më tej Bejko u shpreh se kryetari i FRPD, nuk është kolegu i kryetarit të PD.

Statusi i Roland Bejkos

PD NUK MUND TË JETË NJË SHPORTË ME KARAVIDHE!

Unë që po ju bëj këtë vrejtje miqësore jam një nga 6 themeluesit e FRPD më 1991-in e largët që nën drejtimin e Z.Ridvan Peshkopia hartuam të parin statut, program dhe gazetë të kësaj organizate partnere të Partisë Demokratike. Dhe më duket se nga 6-shja e parë vetëm unë kam “rrezistuar” në politikën aktive të PD në një pozicion modest e periferik si ai i kryetarit lokal të një Dege Partie.

Por me gjithë statusin e “partnerit” që gëzonte kjo organizatë, edhe pse nuk u përzgjodhëm gjatë 25 vjetëve kontribut nga ish Kryetari i PD z.Sali Berisha për të qenë deputetë në lista të sigurta, nuk më kujtohet që dikush nga ne anëtarët e kryesisë apo drejtuesit e FRPD të manifestonim ndaj tij një pakënaqësi apo arrogancë të tillë si kjo që shikoj rëndom në media dhe rrjetet sociale ndaj z. Basha nga jo pak të rinj…

Ne i njihnim limitet tona.

Fraza “E di Doktori” i vinte kapakun çdo shprehje të pakënaqësisë në publik edhe pse përveç Kryetarit të Forumit askush tjetër nga ne nuk e kish fatin të ishte në lista të sigurta deputetësh, paçka se në pozicione deputetësh përveç kryetarëve shpesh janë vendosur edhe njerëz anonimë apo pa kontribute direkte në aksionet tona politike, (tashmë të haruar dhe të dalë nga politika), e paçka se shumica prej nesh e kishte bërë dhe fituar të paktën një betejë personale politike, dikush nga Dhjetori 90, dikush në vitet e vështira të 97, 98, e më pas.

Ndërsa sot, po vë re me keqardhje se megjithë moshën shumë të re dhe me fare pak vite kontribut politik, pa përvojën dhe pjekurinë e mjaftueshme për shkak të moshës, ka një ngutje, padurim, qejfmbetje, nervozizëm dhe mungesë modestie e respekti ndaj Kryetarit të PD-së deri në sulme personale ndaj tij.

Po, kryetari i Forumit Rinor për shkak të pozicionit ndoshta duhet të ishte në Parlament!

Për shkak të meritës?

Për këtë unë personalisht nuk jam i bindur, dhe kam argumentat e mia.

Por ky gabim i zotit Basha nuk mund ti kthehet atij në mankth. Nuk duhet t’i kthehet puna në ankth. Nuk mund të mbahet kryetari i PD nën presion të vazhdueshëm.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk është “kolegu” i Kryetarit të FRPD-së. Nuk ka qenë z.Berisha dhe nuk mund të jetë as z.Basha, as ai që do vijë pas z. Basha.

Dhe shumë mirë që nuk ka qenë, e shumë mirë që nuk duhet të jetë.

Ne jemi parti e djathtë mbështetur mbi vlera konservatore në moral dhe e kemi për detyrë ta respektojmë autoritetin.

Të respektosh autoritetin nuk e dëmton demokracinë e brendshme. Është thjesht çështje nivelesh në hierarkinë institucionale të Partisë. Por është njëherësh edhe çështje ligjore (statuore) edhe çështje etike, edhe çështje morale.

Duhet ti njohim limitet tona, ashtu siç duhet të njohim edhe defektet në punët dhe funksionet që na janë ngarkuar.

See, ndoshta këtu mund të gjejmë edhe përgjigjen e pyetjes psh, se pse kryetari i FRPD nuk është pjesë e listës fituese të deputetëve(?)

Gjithsesi unë besoj se FRPD ka potenciale të mëdha me të rinj e të reja të talentuar që politikën e kanë pasion, (këtu kam parasysh edhe Kryetarin e nderuar të FRPD) që e duan Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane, që janë brilantë në dije, vizionarë, të qartë, të etur të dëshmojnë se sa vlejnë, por këto punët e karrierës duan pak durim.

Secili ka nevojë ta ketë CV të mbushur me “betejat” e tij politike, disa të fituara, por disa edhe të humbura. Poltikani pavarësisht moshës biologjike duhet edhe të rrëzohet disa herë, të përgjakë gjunjët dhe bërylat, të rrezistojë, të mos dorëzohet dhe kur ja hanë hakën të ruaj qetësinë, urtësinë dhe paskësaj të dijë si të ngrihet, e prapë të luftojë për ta fituar betejën e tij. Mund të bëhet edhe deputet, ministër, apo kryeministër, por edhe mund të mos bëhet kurrë. Rëndësi ka që ti shërbejë idealit të tij, dhe një ditë ta shikojë këtë ideal si ndryshon ekonominë dhe demokracinë e vendit të tij.

Rinia duhet të refuzojë lehtësitë dhe xhepat statutore për një karrierë të lehtë, përkundrazi, merita dhe vetëm merita duhet të jetë sfida e të gjitha sfidave të saj.

Rinia është e fortë, nuk ka nevojë për paterica përqindjesh në statut për të qenë dikushi në përfaqësim.

Unë nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem dakord me postet e dhuruara në të gjitha nivelet.

Por, miqësisht po ju them, ky statusi këtu poshtë bashkëngjitur, ka nevojë të korrigjohet.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk është dhe nuk duhet të jetë “kolegu” i Kryetarit të FRPD-së.

FRPD nuk mund të jetë “pala tjetër” në tryezën me Kryetarin e PD-së.

Kur e krijuam FRPD si organizatë partnere nuk patëm parasysh se do vinte një ditë që ajo ta konsideronte veten “si palë”….

Dhe nuk e bëj këtë vërejtje duke ju referuar emrave konkretë të pozicioneve në fjalë, por si rregull.

Se nëse do jetë kështu nuk do kemi as Parti, as Forum, as njërën dhe as tjetrin, por thjesht një shportë me karavidhe ku nuk do ta merte vesh i pari të dytin dhe që nuk do ti duhej as dreqit më.

(Ps. Pasi lexova postimin e mëposhtëm,vura re se këtë përshtypje nuk e kam vetëm unë)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.