EKONOMI

Tarifa të reja për 56 lloje padish në të gjitha gjykatat. Projektligji/ Rritja, çdo vit 500 lekë

10:24 - 12.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ornela Manjani

Ndryshojnë tarifat për të gjitha llojet e padive në gjykata. Ndryshimi vjen në kuadër të reformës në drejtësi dhe parashikon, ndër të tjera, që për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale të vendosen dy tarifa fikse prej 2.500 lekësh dhe prej 5.000 lekësh për çështje të caktuara. Por, edhe pse vendosen tarifa fikse, projektligji i depozituar në Kuvend parashikon që, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, ato do të pësojnë rritje progresive me 500 lekë çdo vit. Nga shuma e përgjithshme e arkëtuar për tarifat gjyqësore, 10% do t’i kalojnë buxhetit gjyqësor, ndërsa pjesa tjetër shkon në arkën e shtetit. Në relacionin që shoqëron projektligjin që do të shqyrtohet në komisionet parlamentare thuhet se, aktualisht ekziston një situatë e paqartë ligjore në përcaktimin e tarifave gjyqësore. Nuk ka hierarki të tarifave të pagesave të lidhura me shkallët gjyqësore dhe nuk ka diferencim tarifash midis llojeve të mosmarrëveshje-ve (të tilla si mosmarrëveshje mbi pronësinë, mosmarrëveshje për markën etj.). Tarifa për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që aktualisht është mjaft e ulët (200 lekë), mund të përshtatet dhe të ndryshohet, duke përfshirë një përqindje tjetër për çdo shkallë për çështjet tregtare. Është vënë re një mungesë totale e aplikimit të tarifave në Gjykatën Kushtetuese. “Vitet e fundit vihet re se janë shtuar mjaft kërkesat që depozitohen para kësaj gjykate, duke shtuar volumin e punës së saj sidomos në fazën e seleksionimit të kërkesave. Kjo gjë ka rritur edhe shpenzimet administrative të saj. Përveç kësaj, në mjaft raste vihen re edhe abuzime me mjetin e ankimit, duke paraqitur kërkesa të cilat nuk plotësojnë kriteret në mënyrë të përsëritur”, thuhet në relacion. Ky ligj ka si qëllim përcaktimin e tarifave për çështjet gjyqësore dhe shërbimet që ofrohen nga sistemi gjyqësor. “Duke qenë se sistemi i tarifave gjyqësore aktuale nuk reflekton shpenzimet për funksionimin e sistemit të gjykatave dhe taksapaguesit ngarkohen me barrën e mbajtjes së këtij shërbimi, ky ligj ka për synim kalimin, për sa të jetë e mundur, të kësaj barre, fillimisht, te palët ndërgjyqëse të cilat iniciojnë procesin gjyqësor. Në të njëjtën kohë, me qëllimin që t’u jepet vëmendje individëve të cilët kërkojnë drejtësi, por që nuk mund të përballojnë tarifa gjyqësore të larta, kategori të caktuara gjykimi ose shërbimi janë të përjashtuara nga tarifat gjyqësore ose kanë vlerë të pranueshme”, thuhet në relacion. “Gazeta Shqiptare” publikon sot, tarifat e reja që pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.