KULTURË

BUTRINTI / Forumi i Trashëgimisë ‘rrëzon’ Kumbaron: Është gërmuar 30 cm, betoni është ndërtim

10:55 - 13.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 





Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë ka analizuar e kundërshtuar mbrojtjen që ministrja e Kulturës, Mirela Kumabro i bëri projektit të pikës së shërbimit-kafene në Butrint. Përmes një postimi në “Facebbok”, Forumi argumenton se pse ai ndërtim dëmton sitin, jo vetëm duke gërmuar nëntokën, por edhe duke e dyfishuar hapësirën e përdorur nga 64 metra në 157 metra katrorë.
REAGIMI I PLOTË
Pas pesë orësh diskutime në komisionin parlamentar, ku ministrja Kumbaro u vendos nën kritika edhe nga vetë deputetët socialistë për skandalin e ndërtimit në Butrintit, duhet theksuar edhe njëherë se ky ndërtim nuk është i paligjshëm. Nëse do të ishte i tillë, do të akuzonim të gjithë sot firmën private. Ndërtimi në Butrint është ligjëruar, licencuar dhe ka mbrojtjen e plotë të Ministrisë së Kulturës, e cila ka përgatitur ligjin, udhëzimet dhe është vetëfirmosëse e të gjitha lejeve të dhëna. Për këtë qëllim, Forumi dhe të gjithë zërat publikë po kritikojnë Kumbaron dhe konceptin e saj për zhvillimin e parkut të Butrintit.
Më poshtë disa pika në vijim të seancës së djeshme dhe dokumenteve të publikuara:
1. Ministrja pranoi se nuk ka përgatitur planin e menaxhimit të parkut të Butrintit, sepse, sipas saj, nuk ka pasur kohë. Që këtu zbulohet nxitimi i saj për të dhënë një leje për biznes privat, me afat disavjeçar, ndërkohë që në planin e menaxhimit mund të propozohet një zgjidhje tjetër. Kjo i ngjan lejeve abuzive për ndërtime që dhanë për 20 vjet kryetarët e bashkive, pa pasur një plan rregullues të qyteteve. Katrahurën urbanistike e vuajmë të gjithë sot.
2. Ndërtimi i ri që po ngrihet rreth 50 larg teatrit antik (apo amfiteatrit, siç e quan Kumbaro) është një bar-kafe private. Këtë e provon edhe projekti i IMK i publikuar dje nga vetë stafi i Kumbaros “Coffee bar service point”. Ministrja nuk iu përgjigj argumentit të arkeologëve se përse kjo kafe nuk ndërtohet jashtë zonës arkeologjike, ku mund të evitohen dëmtimet ndaj sitit.
3. Ligji i trashëgimisë, në nenin 30, pika 3 thekson se “Ne  zonat arkeologjike “A” është e ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor”. Justifikimi i ministrisë është se nuk po ndërtohet objekt i ri, por vetëm rehabilitohet ndërtesa ekzistuese e vjetër. Dokumentet e oficerit të policisë gjyqësore që ka bllokuar punimet më datë 2 tetor, dëshmojnë se objekti ekzistues (shtëpia e arkeologëve) ka një sipërfaqe prej 64 metra katrorë, ndërkohë që dy shtesat e reja zënë rreth 157 metra katrorë të parkut. Pra, “rehabilitimi” zë dy herë më shumë truall se vetë ndërtesa ekzistuese.
4. U justifikua që ndërtimi i ri nuk prek nëntokën dhe bëhet fjalë për “beton të varfëruar”. Projekti i IMK vërteton atë që shikojmë të gjithë me sy, është gërmuar një themel me beton prej 30 cm dhe është vendosur, gjithashtu, një shtresë hekuri. Ministres i duhet shpjeguar që çdo objekt që ka beton dhe hekur quhet ndërtim, pavarësisht prapashtesës “i përkohshëm”. Më poshtë edhe përkufizimi i ndërtimit në ligjin Nr. 107/2014, Për Planifikimin dhe zhvillimin e Territorit: “Ndërtim” është çdo objekt qe ndërtohet ose instalohet ne territor, me vendosje te palëvizshme apo te përkohshme, dhe qe zhvillohet nën dhe/ose mbi toke.”
5. Justifikimi se ndërtimi i kafes private nuk prek murin antik është një gënjeshtër tjetër. Vetë leja e dhënë nga Ministria e Kulturës dhe IMK e titullojnë punimin: “Rehabilitimi dhe ndërtimi i pikave të shërbimit te muri antik”. Projekti dëshmon se ndërtimi i ri modern me bazament betoni po prek murin antik në pjesën anësore të godinës ekzistuese të arkeologëve.

Edhe fakti i Kumbaros që kjo godinë e ka mbuluar murin antik nga syri i vizitorëve gjatë 70 viteve të fundit, sepse është ndërtuar në periudhën e diktaturës, nuk e zhbën përgjegjësinë e saj për të mbuluar edhe atë pak pjesë që ka mbetur nga muri. Me këtë logjikë, ministri i radhës i Kulturës, do të shtojë sipërfaqen e kafeve dhe restoranteve në park, sepse e para që e bëri këtë ishte Mirela Kumbaro.
6. Për sa i përket akuzës për pengimin e gazetarëve që të hyjnë në ambientet e Butrintit, Kumbaro përdori si justifikim Nenin 16, pika 2 të ligjit të Trashëgimisë, i cili thekson: “Fotografimi, filmimi ose regjistrimi kompjuterik dhe publikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, të ekspozuara në muzetë vendore, bëhet pasi të jetë marrë autorizim nga institucioni shtetëror, në varësi të të cilit eshtë muzeu. Për objekte të tilla, të ekspozuara në muzetë kombëtare, leja miratohet nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.”
Pra, leja me sms që jep Kumbaro për BBC apo mediat e tjera, është vetëm për objektet që mund të filmohen në muzetë kombëtare dhe nuk kufizon filmimin e parkut në tërësi. Edhe ky kufizim ka për qëllim evitimin e falsifikimit të objekteve të trashëgimisë apo dëmtimit të tyre nga blicet. Aktualisht, çdo turist që hyn në Butrint ka një kamera në celularin e tij apo një kamera private dhe me këtë logjikë, duhet t’i dërgojnë të gjithë sms Kumbaros që të lejohen të hyjnë në Butrint. Deputetët e Komisionit të Medias, të kenë kujdes që të evitojnë përsëritjen e këtij neni që keqpërdoret nga ministrja për të shkelur të drejtën e informimit, në momentin që do të sillet për diskutim projektligji i ri i Trashëgimisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.