OPINION

Krimi i organizuar, si rrezik ekzistencial

07:54 - 13.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Besnik BAKIU

 

Thuajse 10 ditë më parë, ambasadori i SHBA, Donald Lu, duke i hequr krejtësisht dorashkat diplomatike, foli qartë dhe prerë, teksa shprehej: “Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit”, “Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët”. Këto ishin cilësimet e tij.

Jo pa qëllim ambasadori foli në gjuhën shqipe, pa nevojën e përkthimit gjuhësor. Ky detaj duhet interpretuar me faktin se po të fliste në gjuhën e vet, teksti i ambasadorit do të lexohej e komentohej sipas orekseve dhe interesave të palëve, që përpiqen të përfitojnë nga raste si ky, duke i kthyer në fitore humbjet dhe dështimet e tyre. Politikanët tanë të mësuar me privatizime, privatizuan edhe kohen dhe filluan t’i bëjnë akuza e kundër akuza njëri-tjetrit: se në kohën tonë ishte më mirë dhe në kohën tuaj ishte më keq. Harruan se vetëm “koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve!”

Pas fjalës së ambasadorit (e cila u përforcua edhe nga përfaqësues të tjerë të lartë të partnerëve tanë strategjikë) prita një përgjigje, një kundërvënie apo kundërveprim të fortë të shoqërisë shqiptare. Prita të mblidhej Këshilli i Sigurimit, por jo, nuk ndodhi. Prita që të thirrej urgjentisht një mbledhje e Këshillit të Ministrave, por as kjo nuk ndodhi. Nuk u mblodh as Komisioni Parlamentar i Sigurisë. Por unë, si taksapagues i rregullt, që vazhdoj të besoj te institucionet e vendit tim, prita edhe që opozita, së paku, të kërkonte një interpelancë të nesërmen e fjalës së ambasadorit. Nuk pashë dhe nuk dëgjova asgjë nga këto. As raportime nga titullarët e agjencive ligjzbatuese. Prita më kot që edhe shoqëria civile, minimalisht ajo, të organizonte për dinjitetin e vet një protestë, të heshtur apo me zë të fortë. Prita… Vetëm sa prita… Si shpeshherë u zhgënjeva edhe këtë herë. Nuk ndodhi asgjë. Përkundrazi, palët partiake e institucionale e “përkthyen” sipas interesit apelin e tij dhe e drejtuan gishtin e fajit për këtë situatë drejt njëri-tjetrit. Gëluan hipotezat se me cilin dhe për kë e “hidhte fjalën” ambasadori, edhe pse ai foli shqip. U krijuan “tablo sinoptike” se kush përfshihet në “katër klanet kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale”, madje, pafytyrësia arriti deri aty sa dikush e quajti lojë personale të ambasadorit në fund të mandatit. Por, si gjithmonë çudia zgjat vetëm 3 ditë, sepse problemet e përditshmërisë që përjetojmë fashitin çdo gjë, edhe kur janë të rënda.

Ky  mosveprim më solli në kujtesë një emision të fillimit të viteve ‘90 në Radio Tirana (përgatitur nga një miku im shkrimtar dhe gazetar) me titull “Unë them mendimin tim, ti tund kokën tënde”. U ndjeva i turpëruar, por në këtë rast edhe të thuash turp, vërtetë është pak. Në një Libër të Shenjtë thuhet se: “Ndjenja e turpit është ajo që mban ekuilibrin e botës morale”, por në rastin tonë kjo donte të thoshte “unë nuk kam turp dhe ti nuk ke çfarë më bën”.

Politika shqiptare që vazhdon të lexojë në mënyrë selektive dhe të papërgjegjshme raportet ndërkombëtare, në të cilat krimi i organizuar shqiptar ka qenë gjithmonë e më prezent, sjell në vëmendje apelin e burrit dhe aristokratit të madh, Faik Konica: “Ta dini se në sy të Evropës së qytetëruar, jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër”, duke shtuar edhe fjalët “Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut”. Dhe mbi gjithçka, si për t’i dhënë fund, ai shtoi: “Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zini besim raporteve që thonë gjëra të mira për ne…”.

Kanë ndodhur shumë në këto dy dekada. Politika e tranzicionit në bashkëpunim me krimin vodhi pasuritë kombëtare: grabiti tokat, pyjet, lumenjtë, minierat, ndërmarrjet, pasuritë energjetike etj. Madje edhe me armët e pajisjet luftarake të blera e të depozituara nga regjim  komunist u përlyen. Në betejat elektorale të luftës politike për pushtet, partitë politike vepruan dhe u sollën si banda politike, që nuk merr në konsideratë gjë veç përdorimit të çdo mjeti për të mbajtur e rrëmbyer pushtet, përfshi korrupsionin, mashtrimin, krimin, dhunën, blerjen e votës. Duken aktuale për këtë periudhë vargjet e poetit të madh Ali Asllani në poezinë “Hakërrimi”: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!/Hani, pini e rrëmbeni,/mbushni arka, mbushni xhepe,/gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Më vjen në mendje me këtë kontekst një takim informal i shoqërisë civile, kryer në vitin 2008, me një mision ndërkombëtar, që kishte ardhur për monitorimin e lidhjeve të krimit me politikën. Kur pyetën se si ishte ky raport, unë u thashë se në Shqipëri kjo lidhje është në invers me tipoligjinë normale të këtij bashkëpunimi. Nuk është krimi që lobon te politika, por është politika që kërkon të rekrutojë krimin dhe ta fusë në radhët e veta.

Krimi i organizuar ka “gjemb-uar”  qetësisht para syve tanë, duke u bërë një rrezik ekzistencial për shoqërinë shqiptare. Nuk ishin UFO-t që u ulën këmbëkryq në mes tonë. Të gjithë, në mënyrë aktive dhe pasive kontribuuam, duke interpretuar mjeshtërisht rolin e gomarit në fabulën “Gomari dhe ujku” (kur ujku po e kafshonte gomarin, veshgjati i gjorë lutej që të mos ishte e vërtetë, por të ishte në ëndërr).

Shoqëria shqiptare duke mos pasur forcë të ndryshojë nga brenda, i ngjan viktimave të kriminalitetit, e dhunuar, e zhgënjyer, e pafuqishme për reagim, e destinuar të pranojë fatin e keq dhe e rrezikuar të mbetet viktimë! Ky është lajmi më i keq në të gjithë këtë histori me krimin e organizuar, por jo i vetmi se më shqetësuese është tendenca për kriminalizimin e gjithë shoqërisë, përmes shprehjes “të gjithë janë të korruptuar”, “të gjithë janë kriminelë në tentativë”.

Jemi ne (dhe jo vetëm) që kemi pranuar të mashtrohemi me banalizimin e luftës kundër krimit të organizuar, vetëm me miratimin e kuadrit legjislativ që është nga më modernet për këtë luftë, si: ratifikimi i pothuajse gjithë konventave ndërkombëtare për luftën kundër krimit të organizuar, hartimi i ligjeve dhe strategjive shumë të bukura antikrim; por pa analizuar e kontrolluar zbatimin e tyre. Është tragjik konstatimi i partnerëve tanë për mungesën e studimeve në këtë fushë: “Pavarësisht se krimi i organizuar shqiptar është reklamuar shumë në dekadën e fundit, ka shumë pak kërkime shkencore, që shpjegojnë në mënyrë sistematike dhe rigoroze fenomenin e kriminalitetit etnik shqiptar. Gjithsesi, edhe ato studime mbështeten në raportimet sensacionale të medieve…”.

Po pse ka kaq shumë vlerë fjala e ambasadorit Donald Lu? Ai nuk artikuloi ndonjë gjë që nuk e dinim, pasi është e pamundur të kalojë një ditë dhe ne qytetarët e zakonshëm mos ta kemi rastin ta dëgjojmë (apo lexojmë) togfjalëshin “krim i organizuar”, i cili nis në mëngjes me shfletimin e shtypit të përditshëm, më pas vazhdon me ndonjë debat shoqëror, ku tema është politika ditore dhe përmbyllet në mbrëmje me ndonjë kronikë lajmesh televizive a debat në studio.

Vlera e paçmueshme e fjalës së ambasadorit Lu qëndron në faktin se për rrezikun ekzistencial nga krimi organizuar dhe luftën kundër tij nuk po fliste askush kaq hapur dhe seriozisht nga një tribunë, live dhe shqip. Nuk po fliste as qeveria e thuajse nuk fliste as opozita, shoqëria civile e media jo se jo. Agjencitë ligjzbatuese luanin ping-pong me “sukseset” e arritura në këtë luftë, duke ja lënë fajin e dështimit njëra-tjetrës. Prokurori i Përgjithshëm i vendit tim  del çdo pranverë (kur del gjethi) dhe paralajmëron që në vjeshtë do të kryej goditje të mëdha, por me rënien e gjethit jo vetëm që goditje nuk ka, por harrohen edhe këto deklarata.

Po ashtu, vlera qëndron edhe në faktin se besueshmëria e jonë ndaj ndërkombëtarëve, e sidomos ndaj Amerikës, është e nivelit të lartë, për mos të thënë që ndërkombëtarët janë të vetmit ku ne kemi besim.

Krimi i organizuar nuk është shpikje shqiptare, ai është fenomen bashkëkohor global, karakteristikë për të gjitha shtetet kryesisht me rregullim demokratik shoqëror-politik, e veçanërisht për shtetet postkomuniste. Në fillim, veprimtaria ilegale e “krimit të organizuar” nis në prapaskenën publike dhe gradualisht zhvillohet në heshtje, për t’u bërë më vonë kërcënuese për tërë shoqërinë dhe sistemin.

Fraza “krim i organizuar”, nënkupton se në këtë strukturë hermetike të krimit ekziston një zinxhir i koordinuar mirë i veprimit, i cili nisë që nga nivelet më të larta politike-shtetërore (që ndryshe quhen: kriminelet këmishëbardhë me kollare në fyt) dhe përfundon te kriminelët e rangut më të ulët të terrenit.

Në Shqipëri, tipologjia e krimit të organizuar ka evoluar gjatë këtyre 27 viteve. Në periudhën 1990-97 u shfaqën struktura kriminale hierarkike në formën e bandave të armatosura, organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara kriminale. Situata e krijuar në vitin 1997, pasojat sociale dhe financiare të shkaktuara nga shembja e skemave piramidale, ishin moment kyç në krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e krimit të organizuar në vend.

Në periudhën 1998-2004, bashkë me mënyrën e organizimit të tyre, u zhvillua dhe u zgjerua sfera e veprimtarive ku ato u përfshinë. Shqipëria nga vend origjine po shndërrohej më tepër në vend transiti për femra të rekrutuara nga vendet e Evropës Lindore. Nga ana tjetër, trafikimi i drogës dhe armëve lulëzuan dhe u shndërruan në veprimtaritë parësore fitimprurëse për këto organizime kriminale.

Rreth fundit të viteve 2004-2005, fillojnë dhe shfaqen forma të reja organizimesh kriminale. Grupet kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, fillojnë të ndërveprojnë në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme në formën e rrjeteve kriminale, por duke ruajtur autonominë e grupit.

Prej vitit 2005 e në vazhdim, rrjeti kriminal paraqitet si forma më e përhapur dhe e përshtatshme për realizimin e sipërmarrjeve të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen trafikimi i llojeve të ndryshme të drogave, armëve dhe municioneve, rrjetet e kontrabandimit të migrantëve dhe krimi i organizuar kibernetik, pastrimit të parave dhe investimi i tyre në biznesin legal.

Faktorët që kanë ndikuar në fuqizimin e këtij krimi kanë qenë: informaliteti dhe dobësia e organeve të drejtësisë të mbërthyera nga korrupsioni, ndërhyrjet apo kontrolli politik ka lejuar pandëshkueshmerinë e eksponentëve të botës së krimit të organizuar; mungesa e stabilitetit politik për më se dy dekada në vend, ka krijuar hapësirat dhe mundësitë praktike të ndërveprimit, paraqitjes dhe përfshirjes në politikë të krimit të organizuar. Ndaj dhe gjyqtari i vrarë nga mafia italiane Borselino, ka përcaktuar se: “Shteti dhe mafia synojnë kontrollin mbi të njëjtin territor dhe për këtë gjë, ata duhet ta luftojnë njëri-tjetrin, përndryshe përfundojnë të bashkëpunojnë”.

Krimi i organizuar, në çdo kohë duhet dhe mund të ndëshkohet, ndryshe ai të ndëshkon kudo që të jesh. Sidomos kur krimi ngrihet në sistem dhe institucionalizohet, siç ndodhi gjatë regjimit komunist, ai ndëshkon një popull të tërë dhe pasojat zgjasin me dekada. Kur ai organizohet e konsolidohet në një sistem demokratik, krimi kthehet në një mafie politike dhe ekonomike, që është e gatshme të bëjë gjithçka për interesa pushteti dhe korrupsioni. Prandaj të reagojmë sa nuk është vonë. Për këtë nevojitet vetëm vullnet e seriozitet në luftën kundër tij. Shembuj dhe praktika megjithëse sporadike, ka.

Në përfundim, duke falënderuar ambasadorin Donald Lu dhe i sugjeruar modestisht që të mos mjaftohet vetëm me ketë apel, dua t’i risjell në vëmendje politikbërjes shqiptare filozofinë e humanistit të sotëm hegelian, sllovenit Sllavoi Zhizhek, i cili na tregon se, për të pasur sukses duhet: “…prekur përmbajtja kapitaliste e ligjeve. Krahas ndëshkimit shembullor të të gjithë atyre që janë përfshirë në afera korruptive e kriminale, ky model, modeli i ndërtuar keq, duhet të dekriminalizohet, gjithashtu, të dalë para gjyqit. Ndryshimi i tij do të sjellë edhe ndryshimin e njerëzve, të politikanëve e qeveritarëve”

 

 


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk është krimi që lobon te politika, por është politika që kërkon të rekrutojë krimin dhe ta fusë në radhët e veta…me mire se kaq nuk mund te thuhet o Besnik. Kjo te shtyn ne konkluzionin qe problemi madhor ne kete vend nuk jane disa banda kriminale, po mema e gjithe bandave, POLITIKA. Nuk mund te reforme ne drejtesine e ketij vendi pa kontrolluar pasurite e politikaneve dhe minimalisht bere publike pasurite qe kane vene nepermjet krimit….

    Përgjigju ↓
  2. Komplimenta Profesor Besniku per kurajon dhe kulturen e ketij shkrimi. Eshte pervilegj te njohesh ty, por kujdes se shume e ke mprehur lapsin dhe te heqin prape nga puna. Megjithate ti ja ke marre doren

    Përgjigju ↓
  3. Modeli i ndërtuar keq, duhet të dekriminalizohet, gjithashtu, të dalë para gjyqit. Ndryshimi i tij do të sjellë edhe ndryshimin e njerëzve, të politikanëve e qeveritarëve”

    enderrojme shume qe kjo te ndodh.

    suksese

    Përgjigju ↓