EKONOMI

Sondazhi, 30% e shqiptarëve nuk blejnë dot ushqime. Indeksi i urisë: Shqipëria e fundit në Europë

10:41 - 13.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza DURO

Rreth 30% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të përballojnë blerjen e ushqimeve, veshjeve apo elementëve të tjerë bazë për të jetuar. Ky fakt është bërë i ditur, nga sondazhi i fundit i opinionit të kryer nga Balkan Barometer, lidhur me standardet e jetesës dhe masën në të cilën njerëzit janë në gjendje të përballojnë nevojat e tyre të përditshme. Në raport, theksohet gjithashtu, se 43% e familjeve shqiptare nuk janë në gjendje të sigurojnë ngrohje për shtëpitë e tyre, ndërsa 30% e tyre nuk mund të paguajnë kreditë e tyre hipotekore. Rreth 1000 shqiptarë mbi 18 vjeç i janë përgjigjur anketimit me 100 pyetje ku 86% e tyre janë përgjigjur se dallimet mes të pasurve dhe të varfërve janë vazhdimisht në rritje në vendin tonë. Nga ana tjetër, sipas sondazhit të opinionit, Shqipëria gjithashtu ka përqindjen më të lartë të njerëzve që pretendojnë se nuk janë në gjendje të përballojnë të paktën një javë pushime jashtë vendit, shifër kjo që arrin deri në 70%. Ajo që del jashtë është fakti se Bosnja dhe Kosova, GDP, e të cilëve për kokë banori janë të ngjashme me Shqipërinë, nuk ofrojnë përgjigje të tilla negative kur bëhet fjalë për përmbushjen e nevojave më themelore jetike. Sipas anketës së opinionit publik, rreth 40% e shqiptarëve arrijnë të paguajnë faturat mujore me vështirësi.
Indeksi i Urisë
Një tjetër raport ndërkombëtar e rendit vendin tonë pranë vendeve të botës së tretë, për sa i përket nivelit të urisë. Instituti Ndërkombëtar i Politikave dhe Kërkimit Ushqimor ka publikuar “Indeksin e Urisë 2017” në të cilin Shqipëria renditet e 48-ta në botë dhe e fundit në rang europian. Madje paraqitet si vendi që e vuan urinë më tepër se çdo vend tjetër i rajonit, pasi vjen pas Maqedonisë, Bosnjë- Hercegovinës, Malit të Zi apo Serbisë. Ky raport ka marrë në shqyrtim 119 vende, e pavarësisht renditjes, vendi ynë rezulton të ketë bërë përmirësim të dukshëm në krahasim me vitin 2008. Me një indeksim ku norma më e lartë tregon performancë më të dobët, Shqipëria në vitin 2017 grumbullon 11.1 pikë nga 11.8 pikë që grumbullonte në vitin 2016. Por edhe pse ka përmirësim, vendi ynë ngelet më problematiku në Europë, i etiketuar si një vend që vuan nga uria.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.