EKONOMI

Tatimet: Deklaroni pagat e plota, bizneset: Reduktoni kontrollet. Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj shpjegon mënyrën e kontrollit

11:00 - 13.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela MANJANI

 

Në kulimin e fushatës “anti-informalitet 3” tatimet dhe bizneset janë ulur në një tryezë për të konsultuar shqetësimet e të dy palëve. Gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, drejtoresha e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, Enkelejda Pipa, ka shpjeguar për bizneset mënyrën se si do të ushtrohen kontrollet dhe çfarë kërkohet nga ata për të qenë më bashkëpunues. Tashmë kontrollet janë organizuar dhe do të zhvillohen në dy aspekte: verifikime në vend dhe kontroll nga zyra. Por kontrollet tatimore për tatimpaguesit e mëdhenj do të realizohen më së shumti nga zyra, në bazë të analizës së riskut. “Shtylla e parë ka të bëjë me shërbimin dhe informimin e të gjithë tatimpaguesve, përfshirë ata tatimpagues të mëdhenj apo edhe të tjerë të mesëm dhe të vegjël. Ky plan veprimi, në fakt, do organizohet pikërisht nëpërmjet këtyre takimeve që ne do të bëjmë bashkë, nëpërmjet informimeve, nëpërmjet njoftimeve që ju dërgojmë. Besoj që ato kanë arritur tashmë te ju. Mund të jeni të informuar për këtë. Mundohemi, në fakt, që të hartojmë rregulla, të shkruajmë ato që ndoshta ligji i ka të shkruar, por në mënyrë të përmbledhur te ju vijnë më qartë dhe herë pas here t’jua dërgojmë në adresën tuaj elektronike apo edhe me shkrim, në mënyrë që padiskutim gjatë kësaj faze të jeni të informuar, por edhe të dini se ku duhet të keni kujdes që ligjin ta zbatoni korrekt”,- tha Pipa.
Bizneset
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, duke treguar gadishmërinë e këtij komuniteti, tha se janë vetë ata që kanë kërkuar këtë për të rritur konkurrencën në treg. “Mund të ndryshojë sjellja dhe komunikimi, por, nga ana tjetër, mund të jetë dashakeqësi brenda, brenda secilit inspektor. Ne mendojmë dhe sugjerojmë që gjithmonë qasja e mbajtjes së krahut nga ana e sipërmarrjes është një domosdoshmëri sidomos në kushtet aktuale, ku ne pretendojmë të rrisim dhe të përmirësojmë dialogun e publikut me privatin”,-u shpreh Jaka. Një ndër problematikat sipas biznesit është se kjo fushatë është ndërlikuar edhe me shtrirjen e TVSH-së te biznesi i vogël, çka është një paqartësi e madhe.
“Për fushatën e biznesit të vogël dhe përfshirjen e TVSH-së, kemi qenë ne nga të parët, kemi dy vjet që ia kemi propozuar me shkrim Ministrisë së Financave, që të bëhet. Edhe ajo është prapë pjesë që nuk merret vesh ose që nuk është e konsultuar me ne”,-tha Bujar Bendo. Komuniteti i biznesit e ka mbështetur fushatën ndaj informalitetit edhe pse shpesh kanë denoncuar arbitraritetin e inspektorëve tatimore. Ndërkohë niveli i informalitetit në ekonominë shqiptare vazhdon të jetë i lartë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.