KULTURË

Aktiviteti përkujtimor / Përloten Sadije dhe Elona Agolli: Je më i gjallë se të gjallët, ati im

10:56 - 14.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Kalova një natë pa gjumë. Mendoja e kujtoja çaste të së shkuarës, në të cilën kujtesa me zor përpiqej lehtas të trokiste, por nxitja e orëve të pagjuma ishin këta dy libra. Ia dola mbanë! Përmbusha një dëshirë e lumturim. Tamam një vit më parë, babi më puthte në ballë i lumturuar duke ledhatuar kopertinën e ‘Prit edhe pak’. Dje, kur librat e rinj i mora në dorë, syri u lagështua, prekja u zbut, vështrimi u përqendrua i palëvizur. Siç shihet e nanuritet një fëmijë, ashtu ngaherë u jemi afruar krijesave-libra. Më i gjallë se të gjallët je, babushi im…” ka qenë ky mesazhi prekës i vajzës së Dritëro Agollit në ditëlindjen e parë pa praninë fizike të tij. Gjatë një ceremonie të mbajtur pranë Muzeut Historik Kombëtar, bashkëshortja Sadije dhe e bija Elona janë përlotur. Në fjalën e mirëseardhjes, e bija Elona Agolli iu drejtua të atit: “S’e dija, babai im, se do të mblidhje kaq shumë miq. Unë përlotesha kur më recitoje Naimin. Ai është i gjallë edhe tani. Je më i gjallë se të gjallët, ati im Dritëro. Shaban Sinani na ka ndihmuar e ka kuptuar trishtimin tim dhe të nënës sime Sadije. Më 14 shtator, nëna ime kishte 75-vjetorin e nënës dhe menduam t’i bëjmë dhuratë vargjet e tij, dhuratën e madhe që i ka lënë”.
Kujtoi se i thanë ‘mos boto dy vepra njëherësh se marrin vëmendje’. “Nuk ka sesi të jetë ndryshe, poeti i kombit të ketë vetëm datëlindjeje. Atdheu heq kapelën para tij”, – tha e bija. Elona Agolli ka bërë gati dhe ka botuar dy libra të rinj, me materiale nga shënimet e Dritëroit. Librat e rinj të botuar në ditën e lindjes së Dritëro Agollit titullohen “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe një libër me aforizma. Për shkrimtarin e madh, pasditen e së premtes u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar edhe një aktivitet përkujtimor me moton “Dritëroi është mes nesh këtë ditë. Ai ka vetëm datëlindje”.
Prof. Shaban Sinani, studiues, hulumtues, redaktor i “Nulla dies sine linea”, tha se aforizmat e Dritëroit përbëjnë një libër model të stërlashtë sa gjithë historia e mendimit njerëzor, po aq sa dhe me origjinalitetin e një shekulli të ri, të dala nga fletorkat me shënime, kanë dalë nga “Arka e Djallit” dhe “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo”. “Moralistët ndoshta nuk do të ndihen në paqe me veten duke lexuar këtë libër të mbushur me njerëz me cene, çudira e marrëzira, si gjithë letërsia e tij; por kësaj here, të mbushur plot dhe me dyshimtarë të mëdhenj, që guxojnë të shohin dhe ‘The dark side of the moon- Anën e errët të hënës’, po të citonim një titull kënge të Pink Floyd”, – shkruan në parathënie Shaban Sinani, ndërsa mbrëmë shtoi se librin e ka lënë gati autori me ndihmën e Sadijes.
Poeti Ilirian Zhupa, studiues dhe redaktor i “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua”, shënon në libër se poezitë e librit kanë mbi gjysmë shekulli dashuri. “Në to, si në një shirit sizmografik, dallohen qartë të gjitha trandjet dhe përjetimet e heroit lirik”.
Justina Aliaj recitoi poezi dhe u kënduan këngë me tekste të Dritëroit, si “Dashuri e vështirë”, “Turkesha”, “Udhëtoj i menduar” apo “Poçari”, ndërsa Ardit Gjebrea këndoi në sallë këngën “Kur të jesh mërzitur shumë”. “Poeti quhet bir i harmonisë. Poeti ua ‘shet’ shpirtin fjalëve. Dhe me këtë i jep shpirt materies së fjalëve. I bën fjalët të dalin nga lëvozhgat apo guaskat e tyre, i bën të ikin nga pronat e tyre nominale. Lajthia hidhet në tokë bashkë me guaskën. Në tokë lajthia mbin dhe del nga guaska. Edhe poeti këtë fjalë me guaskë e bën të mbijë duke e zhvoshkur nga guaska”, thoshte Agolli në një intervistë në maj të 1995-ës.
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë. Shkrimtari ndërroi jetë në 3 shkurtin e këtij viti nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Ditëlindja e shkrimtarit të madh këtë vit nuk do të jetë e lehtë të konceptohet me mungesën e tij. Ndaj familjarët, miqtë dhe adhuruesit e shkrimtarit kanë përgatitur surpriza pa fund për këtë ditëlindje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.