MILOSAO

Dritëro Agolli, mes shqiptarit Rrapo dhe Memo

12:44 - 16.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Shpëtim Çuçka

Përveç dhe përtej romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” proza e D. Agollit e periudhës socialiste, ndër të tjera te romani “Njeriu me top” dhe te vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, ngjall interes si për mesazhet (që burojnë nga tematika por jo vetëm), ashtu edhe për galerinë e personazheve, madje për tipologjinë e tyre. Tematikat kryesore janë Lufta Nacionalçlirimtare dhe jeta e shoqërisë së dalë nga lufta, ndërsa galeria e personazheve ndahet, në përgjithësi, në tri grupe: dy të mëdha dhe një i vogël. Grupet e mëdha janë ato, që në mënyrë skematike, do të emërtoheshin “grupi i njerëzve të mirë” dhe “grupi i njerëzve jo të mirë”. Grupi i vogël, fare i veçantë, është ai i një shtrese intelektualësh qytetas, që shfaqen – në këtë apo atë formë, në këtë apo atë përbërje – në mjaft nga veprat në prozë të D. Agollit.
Tematika e luftës, e shtjelluar në trajta dhe në episode të ndryshme, na sjell të tilla tablo, të cilat ndaj realitetit kanë po atë raport që ka edhe piktura e mirë dhe mjeshtërore realiste ndaj peizazhit real. Ne nuk mund të themi dot kurrë në ka pasur në realitet njerëz të tillë si Mato Gruda, kapedan Kadri Gurra, Hazir Shipshani, Nënë Hajrije Çeremi në njërin grup apo Qenam bej Ormani e të tjerë të ngjashëm në grupin tjetër, apo si Festim çuçua në shtresën e vockël të intelektualëve qytetas.
Shpirti i autorit anon nga figurat e grupit të parë, me të gjitha huqet që ata mund të kenë. Ai synon t’ia paraqesë lexuesit të gjithë gamën e përjetimeve të këtyre figurave tipike shqiptare në rrugëtimin e tyre të vështirë drejt pjekjes së ndërgjegjes shoqërore. Nëse proza e D. Agollit ka diçka thellësisht të bukur, sepse pastërtisht të mirë, kjo qëndron pikërisht në këtë shndërrim të thellë të botës shpirtërore të shqiptarit të thjeshtë, i cili bën një jetë plot rropatje.
Dhe po kështu me realizëm të ashpër, ndonëse jo me cinizëm, autori pikturon figurat e grupit të dytë, të cilët për shkak të një vargu faktorësh (jo vetëm objektivë) janë të padëshiruar për botën shqiptare. Ja si shprehet autori për këtë grup të dytë figurash:
“Po, ka një takëm që në kohën e Turqisë kanë qenë kapedanë të saj, në kohën e Zogut trima të tij, në kohën e Italisë sejmenë dhe sahanlëpirës dhe kurrë nuk i kanë kthyer sytë nga Shqipëria!”
Pohim që tingëllon si një sfidë e vërtetë për një pjesë studiuesish dhe gjojastiudiuesish të historisë!
Dhe sa për qëndrimin e Dritëro Agollit ndaj asaj shtresëze intelektualësh të qytetit, për të cilën, sikurse del në vende të ndryshme të krijimtarisë së tij, ai thellë-thellë ndiente neveri, sa për mënyrën se si e shihte ai këtë grupim të vockël krijuesish e njerëzish të artit ose rreth artit e kulturës, mund të mjaftojë kjo pjesë nga tregimi “Njeriu i kohës” (1986), ku flitet për disa tipare të personazhit Festim çuço:
“…kishte përpunuar një stil sjelljeje me nihilizëm, me pak ftohtësi, me pak snobizëm dhe me pak ironi në buzët e tij që i lëvizte me elegancë dhe bënte herë pas here me përçmim: ‘pëh!’, duke tundur dorën në erë. Këto veti, sipas tij, janë të domosdoshme për njeriun kontemporan”.
Tërheqin vëmendjen fjalët “nihilizëm”, “ftohtësi”, “snobizëm”, “ironi”, “elegancë”, “përçmim”, “kontemporan”.
Sot e kemi (ndoshta!?) më të qartë vlerën reale, konkrete – në jetën tonë shoqërore – të këtyre nocioneve, peshën dhe rolin e tyre në moralin qytetar, mënyrën dhe masën, me të cilën ato ndikojnë në shëndoshjen a helmimim e klimës së përgjithshme të marrëdhënieve në shoqëri.
Dhe mund të çmojmë më mirë në kishte të drejtë Dritëro Agolli, kur na përcillte të tilla mesazhe.

9.
Përpara se të mbyllim këtë pjesë kushtuar veprave në prozë të Dritëro Agollit, nuk mund të mos ndalemi te krijimi, që është pa asnjë dyshim më i miri. Më i miri për nga bota e ideve, bota e personazheve, strukturimi, stili dhe gjuha. Dhe, pavarësisht karakterit të skalitur e tejet epik, si gur i palatuar, të burrit shqiptar Rrapo Tabani, pavarësisht bukurive të larmishme të veprës, figura e komisarit Memo është në qendër të gjithë frymës së librit, është vetë fryma e tij. Historia e Luftës nacionalçlirimtare e ka një figurë të ngjashme, atë të Memo Metos: poet-luftëtar, Hero i Popullit.
E gjithë mjeshtëria e Dritëro Agollit, në të gjithë prozën e tij më të mirë, atë epike, qëndron në ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy tipeve të shqiptarëve: shqiptarëve-Rrapo dhe shqiptarëve-Memo, ndërmjet dy brezave, burrave dhe të rinjve. Dhe këtu nuk ka rëndësi aspak se cilat modele mund të ketë pasur parasysh autori, kur skaliste të tilla karaktere. Në të vërtetë përvoja e tij jetësore ka qenë e mbushur me shembuj ngjarjesh dhe njerëzish të denjë për t’u marrë si modele. Këtu e rëndësishme është të kuptojmë madhështinë e sintezës dialektike – që Dritëro Agolli krijon nisur nga kjo përvojë e pasur e jetës, e vetë viteve të Luftës – ndërmjet burrit të drejtë por të palatuar (komandant Rrapos, kapedan Gurrës, Mato Grudës) dhe njeriut me formim të ri, shikimi i të cilit rrok jo vetëm tërë hapësirën e atdheut dhe botën përtej, por edhe të gjithë problematikën e shoqërisë shqiptare dhe problematikën e madhe të botës (komisari Memo, Murat Shtaga). E rëndësishme është të kuptojmë madhështinë e sintezës ndërmjet heroit popullor dhe heroit të mençur e të ditur, me horizont e largpamësi shoqërore.
Këtu qëndron arritja më e madhe e prozatorit Dritëro Agolli, prurja e tij më e vyer në letërsinë dhe, pse jo, në historinë e vendit. Te “Komisari Memo” lexuesi gjen një tablo realiste të kohës, një tablo, e cila pikërisht për shkak të funksionit të veçantë të letërsisë së mirë artistike në krahasim me letërsinë shkencore, funksionit për të rikrijuar artistikisht e me vërtetësi jetën, ndikon drejtpërsëdrejti mbi ndërgjegjen e lexuesit dhe, rrjedhimisht, e mbush atë më shpejt dhe në mënyrë më të qëndrueshme se veprat shkencore.
Pikërisht kjo dialektikë historike brezash të popullit tonë, kjo lidhje e tyre dhe vijimësi detyrash nga njëri brez te tjetri, ka luajtur një rol vendimtar në formimin e vetë Dritëro Agollit si qytetar dhe si krijues. Dhe kjo na shtyn të themi me bindje se ashtu si Shqipëria ka pasur fatin të përjetojë ngjarje të tilla të mëdha si Lufta Nacionalçlirimtare, po ashtu ka pasur fatin të lindë një këngëtar të tillë të papërsëritshëm të këtyre ngjarjeve, sikurse është Dritëro Agolli.
Nuk gjenden lehtë në letërsinë tonë artistike pjesë të tilla të qarta – dhe të fuqishme, pikërisht sepse të qarta – si këto më poshtë (flet partizani Nurka):
“E di si thotë komisari ynë, Arif? Ai thotë se ne dimë të parashikojmë ngjarjet dhe të luftojmë në të gjitha konditat dhe me të gjitha mjetet, me armë e me gjykim. Borgjezia ruan xhepin e saj të ngopur. Borgjezia është gati të zhdukë tërë botën e të therë mijëra e miliona fëmijë për të ruajtur këtë xhep dhe për të mbajtur në duar kamxhikun. Po ta kuptosh këtë, kupton edhe komunistët. Megjithatë tjetër është ta kuptosh dhe tjetër të veprosh në të gjitha konditat dhe me të gjitha mjetet…”
Dhe (përsiatje të komisarit Memo):
“Lufta nuk kërkon vetëm kuptimin e së drejtës dhe të shtrembrës, por kërkon edhe guximin, edhe vetëmohimin”.
Sigurisht “Komisari Memo” nuk është një vepër e gjithmbarshme, një vepër për të gjithë lexuesit. Në të vërtetë edhe vetë figura e Dritëro Agollit nuk është e gjithmbarshme, nuk është një figurë për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Ky roman është aq më i pakuptueshëm për ata lexues, në vendet e të cilëve ose nuk ka pasur lëvizje antifashiste partizane ose ajo ka qenë fare e dobët.
Por romani “Komisari Memo” mbetet në galerinë e veprave tona madhore letrare e kulturore, ashtu si busti prej bronzi i Memo Kovaçit zuri vend në gurin e madh në mes të fshatit.
10.
“Komisari Memo” në të vërtetë është një poemë në prozë për gjënë më të shtrenjtë të jetës së Dritëro Agollit, Luftën Nacionalçlirimtare dhe idealet e saj, punën vetëmohuese të një populli të tërë për t’i kthyer në jetë ato.  Kjo gjë e lidh edhe më shumë e më drejtpërsëdrejti këtë roman-poemë me krijimtarinë poetike të Dritëro Agollit.
Krijimtari poetike, që përbën edhe thelbin e gjithë prurjes së paçmuar të D.Agollit në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, në vetë historinë e Shqipërisë, shquhet për të tilla vlera – të gjithanshme, të mëdha dhe të pavenitshme – sa me të drejtë ka gëzuar dhe gëzon nderimin e më të madhes masë të lexuesve shqiptarë të disa brezave. Pikërisht poezia, gjinia më e vjetër dhe njëkohësisht më e freskët e krijimtarisë artistike njerëzore, gjinia së cilës D. Agolli i fali energjitë më të mira të talentit të tij të rrallë, ia “shpërbleu” atij duke e kthyer në poetin më të dashur e më të lexuar të gjysmëshekullit të fundit për shqiptarët.
Nuk ka pothuaj asnjë krijim poetik të D. Agollit, që nuk mbart një tërësi mesazhesh – në ide dhe në zgjidhje formale, në mendim dhe në teknikë poetike – të cilat i flasin çdo zemre e çdo niveli ndjeshmërie njerëzore. Nuk do të kishte përmbledhje poezish të tij, ku përzgjedhësi nuk do të ndihej ngushtë për shkak të krijimeve që do të ishte i shtrënguar të linte pa përfshirë. Dhe është pothuaj e pamundur të thuhet se cilat poezi janë ndër më përfaqësueset e krijimtarisë së tij, ndër më shprehëset e shpirtit krijues të Dritëro Agollit.
Do të sjellim vetëm dy krijime në nderim të kësaj krijimtarie praktikisht të përsosur. Dhe do të kërkojmë mirëkuptimin e lexuesve, nëse ata në mendjen e tyre ruajnë të tjera vargje e të tjera kumbime të D. Agollit.

“S’ka asgjë për të qeshur” (1984)

S’i kam dashur kurrë gjërat e bujshme
Dhe shpesh jam menduar duhan duke pirë;
Ka gjëra lakuriqe që s’janë të turpshme,
Siç ka dhe gjëra të çndershme të veshura mirë.
Ja, e vërteta rri lakuriqe ngaherë,
Ja, dhe gënjeshtra me petka rri veshur!
Më thoni: cila ka turpin dhe cila ka nderë?
Kjo që ju thashë s’ka gjë për të qeshur!

“Guri” (1984)

Në fshatin tim prej vitesh s’kisha qenë
Dhe malli më kish djegur e zhuritur,
Atje më dukej hëna tjetër hënë
Siç thosh dikur Naimi mendjendritur.

Në çezmë ndala t’ia dëgjoja fjalët,
Që vetëm unë i merrja vesh aq mirë;
Por shkela në një gur të rrumbullakët
Dhe gjurin e dërrmova në errësirë.

E mora gurin në pëllëmbë qetë
Dhe thashë i lodhur, zhytur në mendime:
“Për pak të shava keq, o gur i shkretë,
Sikur mos ishe nga vendlindja ime!”

Por lexuesve, të cilët kanë kohë që janë çmësuar të lexojnë krijime të vyera poetike, të cilët në të vërtetë i kanë çmësuar të lexojnë letërsi të pastër, domethënë të bukur dhe të sinqertë, të kujtuarit e Dritëro Agollit është rasti më i mirë për t’u sjellë në vëmendje atë që përbën boshtin e gjithë krijimtarisë letrare të autorit tonë të madh, poemat.
Pikërisht e si për çudi – po jo çuditërisht – poemat janë pjesa e krijimtarisë së D. Agollit, që më së shumti është lënë në harresë dhe që e përfaqëson në mënyrën më të thellë, më të qartë dhe më të ndritshme njeriun-krijues D. Agolli. Mospërmendja e poemave është dëshmi e tërthortë, por e sigurt se krijimtaria e D. Agollit i nënshtrohet në të vërtetë një censurimi të pashpallur, me mënyra financiare në dukje, ideore në thelb. Ky censurim, nga ana e tij, është dëshmia më e dukshme e vërtetësisë së vargjeve të mëposhtme të D. Agollit (“Poema e njeriut të zemëruar”, 1992-1994):
Rinia ime,
Mundohen të tjerët
Që unë dalngadalë të harrohem,
Të dal nga kujtesa e njerëzve
Ditë për ditë,
Që vargjet e mia gatuar në vite
Të treten e të ftohen
Në rafte arkivash të fshehta…

Te poemat e Dritëro Agollit është dheu i lindjes dhe toka e bukës, është nëna dhe është babai, janë të parët. Te poemat është jeta me gëzime e halle, është puna dhe është lufta, familja dhe shoqëria, janë ëndrrat për të ardhmen e mirë këtu, në Shqipëri, e jo diku, kudoqoftë. Te poemat është jo vetëm pjesa më e mirë e D. Agollit, jo vetëm pjesa më e bukur e tij, por edhe thjesht pjesa më e lartë, më fisnike.
Vijon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.