MILOSAO

Lutje njerëzve, nga Preng Maca

12:53 - 16.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

lutje njerëzve




kur ngjiteni në pushtete

ju lutem ruajeni zemrën,
mbajeni me vete!

udhëtim

Det i trazuar, gjithë dallgë
ne jemi nisur për diku
vetëm udhëtimi …na shpëton!

Të gjithë jemi në anije.

Askush prej nesh nuk e di
kush është në …timon!

stinë

asokohe isha shumë i varfër,
vishja këpucë të riparuara,
e shihja këpucarin, si perëndi,
vrapoja  tek ai për riparimet e radhës,
duke ja shkelur syrin,
që të m‘i  bënte këpucët , si të reja
pasi i vishja,
nëpër takime e rrugë
vrapoja si era.

iku ajo kohë ,
tani kam këpucë të reja,
që më presin në radhë,
këpucë për xhiro, për verë, për dimër,
këpucë për tango
por dreqi ta hajë
tani më  vrasin… kallot.

mungesë

ndodhesh aq larg
aq e përkryer!
Dashuria ime…e kursyer!

shi

bie shi pa pushim
nën çadra ecim nxituar,
për ti ikur zemërimit të qiellit…

duke mbrojtur secili veten nën çadra
harrojmë…njeri-tjetrin!

zogj dhe xhama

Nga dera e hapur hyn zogu
i gëzuar se tashmë është ngrohtë
shpëtoi nga akulli përjashta.

Pas pak provon daljen
Nuk e gjen më derën
Xhamave të mëdhenj përplaset
Ose siç thonë rëndom njerëzit
“Vrau veten!”

rrugës

jemi gjithnjë të lirë
kur jemi rrugës.

Kudo qëndrojmë në vende fikse
Vetëm ndërrojmë…burgjet.

 deti i munguar

Akuarium me peshq
Peshq në akuarium!

Pronari i akuariumit
Mashtron peshqit
Se, gjoja,akuariumi është …deti.

Larg prej dhomës gjëmon deti!
Po peshqit janë tashmë tël shurdhër,
Janë të lumtur peshqit!(?)

  vetmi

mos më lër vetëm!
Nga zemërimi yt
Bien çastete e mia të gëzuara
Si një pemë prej së cilës bien frutat
Prej erës së fortë,prej erës së tërbuar!

Mos më lër vetëm!

Ngjaj brenda zenkave,
Si një fetus,
Me kokën në…duar

mbreti

Ai më tregoi,se rastësisht u panë
krejt rastësht së bashku u njohën
ishte rasti fatlum dhe u deshëm
kësisoj  rasti, pra, është Mbreti i botës!

Pastaj erdhi rasti dhe u ndanë
( sa keq ishte ndjerë pas ndarjes!)
E vërtetë, se prapë rasti është sërish Mbret
por kësaj radhe ishte një Mbret vrasës!

Instikt

Mos u tremb
në këtë jetë asgjë nuk humbim!

Nëse shpirti ynë,
e tradhton…trupin!

brishtësi

kur do që ta kapësh,kërcen si top
nga dyshemeja në tryezë.

kur bie poshtë,
rrezikohet të thyhet si një vezë.

përpëlitur në dëshira
zihem si në një lak, në…pendesë!

kob

në grykë e kam Atdheun tim
një dënesje, një parandjenjë, një si…kob!

mbeti deteve gjithë jetën
kurrë nuk u bë Kolomb!

Skeptikët

Ata rrijnë e vështrojnë vezën e çarë, habiten me lëvozhgën
ndërsa mbi kokën e tyre shkon “ushtria” e zogjve!

shtëpi

Mendimet e mia janë trarët,
çastet e fiksuara janë…çatia,
fjalët e shkruara janë…muret,
raportet me jetën e vdekjen janë…themelet,
ndërsa dashuria ime janë…dritaret!

Ju gjithnjë mund të shihni
çfarë ndodh  në këtë shtëpi,
brenda së cilës gjendem i mbyllur,
nga  mungesa e dyerve,
shkaktuar prej pavetëdijes!

për dashninë

sa do të kisha dashtë
me e vu kangën time për dashninë
e të shëndrrohej ajo në një… burim!

ndonjë ditë të mbrame,
të pijsh e etur ujin
e kohës së tashme
e të shihesh në atë ujë,
si në veten tande!

varkat në fëmijëri

kur isha fëmijë e plot ëndrra
lëshoje mbi lumin e qytetit tim verior
varka prej letre,
mbi to shkruaja dëshirat e mia të shumta

aq shumë i kam dashur ato varka prej letre
e mendoj se ato akoma nuk janë mbytur
tashmë lundrojnë… nëpër dete!

sekret i lexueshèm

Ti je gjithnjë brenda meje
Siç rri shiu e fshehur pas njè…reje!

ditë si një vezë…

ditë të rrumbullakta krejt si…vezë Pashke
trembem tek e mbaj në dorë,
mos bie dhe e thyej, pa dashje

e kriset, e thyhet
e përfshihemi të gjithë në…ngjarje!

antigjetje

Aq shumë e kërkuar, ti je gjëja e duhur
në këtë pyll të ngatërruar… gjetje e pamundur!

Ne jemi të hutuar dhe pafajësisht …të humbur!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.