LIFE STYLE

Ministrja Manastirliu: 5 mamografë të rinj në spitalet rajonale

10:34 - 16.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, ditën e djeshme në Pazarin e Ri në kryeqytet, u zhvillua një aktivitet sensibilizues. Pjesë e këtij eventi ishte edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila u bëri thirrje grave që të bëjnë një diagnostikim të hershëm për kancerin e gjirit. “Jemi këtu sot për të apeluar për kryerjen e ekzaminimin e gjirit, pasi diagnostikimi i hershëm i këtij tumori të shpëton jetën. Ne si Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të fuqizojmë spitalet rajonale me 5 mamografë të rinj, përkatësisht në Vlorë, Durrës, Kukës, Dibër e Lezhë. Ndërkohë, mamografët e lëvizshëm do të vijojnë rrugëtimin e tyre përgjatë gjithë vitit, për të kryer këtë depistim edhe në zonat rurale, ku ka mungesë aksesi për këtë shërbim”, – tha ministrja. Gjatë aktivitetit kanë qenë të pranishme edhe gra të cilat kanë fituar ndaj betejës me kancerin. “Donika ia ka dalë ta mundë sëmundjen. Ia ka dalë sepse ka arritur të diagnostikohet në kohë. Po ashtu edhe dr. Oltiana. Ajo është njëherësh mjeke dhe paciente. Këto gra të forta me historitë e tyre frymëzuese janë shembulli më i mirë i rëndësisë që ka diagnostikimi i hershëm. Në këtë muaj ndërgjegjësimi kundër kancerit të gjirit, nuk do të reshtim së thëni e ngulituri fort në mendjen e çdo gruaje, se kanceri i gjirit është një kërcënim real për secilën prej nesh. Por beteja me kancerin e gjirit është një betejë që mund të fitohet! Siç e ka fituar Donika, Oltiana e shumë gra që ia kanë dalë ta mundin sëmundjen”, – u shpreh Manastirliu. Gratë treguan historitë personale të luftës me këtë sëmundje vdekjeprurëse dhe falënderuan ministren për ndihmën që po iu ofron të gjitha grave. “Shumë faleminderit, zonja ministre, për gjithçka që po bëni për ne. Shpresojmë që puna të vazhdojë me këto ritme”, – tha njëra prej grave që fitoi betejën me kancerin. Sheshi ku u zhvillua aktiviteti sensibilizues ishte i mbushur me lule rozë, në shenjë ndërgjegjësimi, dhe të gjitha fondet që u grumbulluan do të shkojnë për ndihmë në luftën kundër kancerit të gjirit. Para këtij aktiviteti, Manastirliu u ndal edhe në qytetin e Vlorës, ku po ofrohet shërbimi i mamografisë falas për gratë e moshës 40-50 vjeçe, përmes dy mamografëve të lëvizshëm të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku sërish u bëri thirrje grave që të bëjnë kontrollet përkatëse për ta diagnostikuar në kohë sëmundjen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.