EKONOMI

22 mijë studentë, për herë të parë në auditor. Tre ciklet e nivelit bachelor presin 150 mijë të rinj

11:20 - 17.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza DURO

Mbi 22 mijë studentë janë ulur për herë të parë në auditorë, duke nisur kështu vitin e ri akademik 2017-2018, për ciklin e parë të studimeve bachelor në mbarë vendin. Nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, kryeministri Edi Rama ka uruar studentët, duke theksuar se ky vit do t’i hapë rrugë një procesi transformimi rrënjësor për një mësimdhënie më të mirë. “Zgjodhëm ta uronim fillimin e vitit të ri akademik në këtë universitet, pasi dëshirojmë që këtu të vazhdojmë t’i hapim rrugë një procesi transformimi rrënjësor. Bashkë me disa pedagogë vizituam kantierin e universitetin. Pedagogët janë të kënaqur, unë jo shumë, pasi ka ende shumë punë për t’u bërë. Këtu nuk mund të ketë makina që vendosin të parët mbi njerëzit, apo nuk mund të ketë më shumë kafene se aula. Këtë territor ta kthejmë në një oaz”, – u shpreh kryeministri i vendit. Gjithashtu, Rama tha se ky universitet do të pësojë ndryshime drastike, pasi një vit më parë kjo hapësirë ishte një katrahurë. “Përpara një viti ishim këtu dhe s’u besoja syve se çfarë katrahure ishte kjo hapësirë. Me një ndërhyrje të parë është krijuar një bazë për të vendosur rregull. Nuk do ketë asnjë aktivitet nëse nuk është në harmoni me ato të studentëve”, – theksoi kryeministri nga Universiteti Bujqësor. Dje, rreth 150 mijë studentë startuan vitin e ri akademik në 3 ciklet e studimit në nivelin bachelor.
Ministrja
e Arsimit
Por, ky vit, nis pas publikimit të raportit të agjencisë britanike, e cila bëri vlerësimin e institucioneve arsimore në vend në bazë të standardeve që plotësonin këto të fundit. Një ndër universitetet e renditura më mirë ishte dhe Universiteti i Mjekësisë, me 5 vite akreditim, nga ambientet e të cilit ministrja e Arsimit dhe Rinisë, Lindita Nikolla uroi studentët. “Uroj mbi 22 mijë e 200 studentët që ulen për herë të parë në bankat e universiteteve. Kam zgjedhur të jem këtu, pasi është viti i parë që të gjitha institucionet e arsimit të lartë përmbyllën me sukses akreditimin institucional. Universiteti i Mjekësisë doli si një nga institucionet që përmbush plotësisht standardet, duke u akredituar me 5 vjet”, – tha Nikolla. Ndërkaq, ajo siguroi se do të përdorë çdo mjet për të arritur 100% akreditim ndërkombëtar dhe një sistem sa më transparent, bazuar në meritë dhe preferencë. “Në 3 vitet e ardhshme ky projekt, me një financim prej 1 mln euro, do të jetë një forcë shtytëse në rritjen e cilësisë në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit”, – premtoi ministrja e Arsimit.
Urimi nga UT
Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare” se ky vit i ri akademik priti në auditorë për herë të parë rreth 5600 të rinj. Rektori i UT-së, Mynyr Koni uroi studentët nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dhe shprehu vlerësimin e tij që maturantët kishin besuar të ardhmen e tyre në këtë universitet për traditën dhe cilësinë që ai mbart. “Studentët e rinj të UT-së kanë një mesatare të lartë, që fillon nga nota 8, dhe unë ju siguroj se në Universitetin e Tiranës do të gjeni një shërbim cilësor falë stafit akademik dhe administrativ të kualifikuar. Çelësi i suksesit është studimi sistematik dhe puna e palodhur, sepse vetëm kështu do të arrini objektivat tuaj”, – nënvizoi rektori në fjalën e tij. Ai gjithashtu theksoi, se studentët që studiojnë në UT kanë një përparësi pozitive dhe një shans shumë të mirë për të kryer mobilitete të shumta në universitete të ndryshme të botës perëndimore në kuadër të projektit “Erasmus +”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.