Kryesore

Burri akuza ish-gruas: Më rreh, ka një vit që më ka përzënë nga banesa. 44-vjeçarja: Vetëvritem nëse…

10:23 - 17.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Klodiana HAXHIAJ

Më rreh ish-gruaja! Ka një vit e gjysmë që më ka përzënë nga shtëpia, ku jeton me dy djemtë. Më ka degjeneruar në publik, më ka lënë jashtë banesës, nuk kam asnjë mundësi ku të shkoj të strehohem dhe të qëndroj. Ato që ajo thotë në media nuk janë të vërteta, por e bën me qëllim që të më mbajë mua larg prej fëmijëve dhe prej banesës që e kemi përfituar së bashku. Ish-gruaja ka mashtruar opinionin publik, gjykatën dhe policinë, të gjithë i ka mashtruar, me qëllimin e vetëm që të më mbajë mua larg”. Kështu deklaroi dje për “Gazeta Shqiptare” Fatmir Murrizi, ish-bashkëshorti i Bukurie Dervishit, 44-vjeçares e cila po rrit dy djem të sëmurë me hidrocefali dhe zhvillim të vonuar mendor në banesën sociale të dhënë nga Bashkia Durrës. Fatmiri pohoi se ka dy urdhra mbrojtjeje nga ish-gruaja, sepse është ajo që ushtron dhunë ndaj tij, por se institucionet i kanë dhënë asaj të drejtë, pa marrë parasysh situatën e tij. Gjithashtu, ai tha se “16 vjet më parë, kur u martova me Bukurien, ka pasur në pronësi disa dyqane, të cilat i shitëm për të kuruar djalin e madh, që vuan nga sëmundja e hidrocefalisë, por paratë u mbaruan e djali nuk u shërua. Pasi u mbaruan paratë, nisi edhe sherri”. Ndërkaq, 50-vjeçari Murrizi u shpreh se do t’u qëndrojë pranë djemve të tij. Gjykata i ka dhënë të drejtë të jetojë në një prej dhomave të banesës sociale, por ish- gruaja nuk e lejon të jetojë në të njëjtën çati me anëtarët e tjerë të familjes. Ai nuk punon, nuk ka banesë, por fle ku ta zërë nata, nuk ka të ardhura dhe nuk ka mundësi as të shohë djemtë. “Nuk jam në gjendje të punoj në këtë situatë ku jam katandisur. Kam punuar ku kam gjetur, tani jam pa punë. Dua vetëm të hyj në shtëpi, pasi kam mbetur rrugëve. Nuk kam ku të shkoj të fus kokën, të lahem apo të rri. Jam durrsak i vjetër, u martova me gruan e gabuar, ndaj dhe kam përfunduar në këtë gjendje. Ish-gruaja ime është jashtë logjike. Më akuzon mua për të çmendur, por ajo duhet të kurohet. Unë djemtë i dua, dua të qëndroj me ta.

Banesën sociale ku ajo jeton e ka falë meje, pasi unë kam qenë te ministrja Gjermeni, te drejtoresha e Strehimit në Tiranë, në bashki e kudo. Shtëpia është 2+1 dhe 2 banja. Unë dua të futem në shtëpinë që përfitova. Kur morëm shtëpinë dhe u futëm brenda, Bukuria më nxori në rrugë të madhe”, – u shpreh Fatmir Murrizi. Nga ana tjetër, pas divorcit, Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit i ka dhënë të drejtë të jetojë në një prej dhomave të banesës sociale që kanë përfituar, por aty nuk mund të jetojë, pasi ish-bashkëshortja Bukuria, sa herë që Përmbarimi u troket në derë për të ekzekutuar vendimin, deklaron se do të kryejë vetëvrasje duke u hedhur nga kati i tretë i apartamentit ku jeton me dy djemtë.

Bukurie Dervishi: Nuk mund të jetoj në një shtëpi me ish-burrin, do më vrasë mua e fëmijët

Më 20 korrik të këtij viti, 44-vjeçarja Bukurie Dervishi nga Durrësi, nënë e dy fëmijëve të mitur, të sëmurë me hidrocefali dhe zhvillim të vonuar mendor, kërcënoi se do të vetëvritet, duke u hedhur nga kati i tretë i banesës sociale ku ajo jeton. Shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit. Gruaja, banuese në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar, tha se ajo është divorcuar nga Fatmir Murrizi pas disa urdhra mbrojtjeje që kishte përfituar si rezultat i dhunës që ai ushtronte ndaj saj dhe fëmijëve të tyre. Por, divorci e ka futur në një tjetër vorbull nënën e dy fëmijëve. Kjo për faktin se Gjykata, krahas vendimit të divorcit ka vendosur që ish-bashkëshorti të rikthehet e të jetojë në banesë së bashku me ish-gruan dhe dy fëmijët.

Ky vendim ka tronditur 44-vjeçaren, e cila deklaroi për “Gazeta Shqiptare” se është e pamundur që të jetojë në një banesë me ish-burrin e saj të dhunshëm. Bukurie Dervishi tha se pre e dhunës mund të bëhen edhe fëmijët e saj të mitur, ndaj kërkoi që të merren masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi sa nuk është tepër vonë. “Ish-bashkëshorti im mund të më vrasë mua dhe fëmijët. Unë e kam denoncuar disa herë, por policia nuk e arreston, pasi ai ka kartelë mjekësore si i paaftë për punë. Para se të më mbytë apo të më vrasë ish-burri, më mirë do i jap fund jetës vetë”, – u shpreh Dervishi.

GSH.al

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.