OPINION

Skënderbeu–Partizani i Beogradit dhe autogoli i UEFA-s

07:55 - 18.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ervin Baku

Nesër Skënderbeu europian i Shqipërisë pret Partizanin e Beogradit. Një ndeshje zyrtare, e vlefshme për grupet e Ligës së Europës. Një ndeshje në fakt shumë e ndjerë për të gjithë shqiptarët, pasi përballë korçarëve do të jetë një skuadër serbe. Në “Elbasan Arena” nuk do të ketë asnjë tifoz serb. Dhe më 2 nëntor, në Beograd, nuk do të ketë asnjë tifoz shqiptar. UEFA vendosi përjashtimin e tifozëve (serbë në Elbasan dhe shqiptarë në Beograd) sepse kjo ndeshje na qenka e një rrezikshmërie shumë të lartë. Ky është një autogol i pastër i UEFA-s. Futbolli bashkon njerëzit. Futbolli bashkon popujt. Dhe UEFA, organizatorja e eventit, në vend që të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe miqësie, gjeti dhe bëri gjënë më të lehtë, vendosi kufijtë. Unë e kuptoj shumë mirë që futbolli është minuar nga politika, por futbolli kurrsesi nuk mund dhe nuk duhet të minohet nga vetë futbolli. Përderisa e lejuan shortin dhe përballjen e këtyre dy skuadrave dhe bënë gjënë më të mirë të mundshme, UEFA duhet t’i shkonte deri në fund misionit të saj.

Të promovonte ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit mes popujve. Të promovonte një klimë të re në marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Gjithmonë brenda kontekstit të një ndeshjeje futbolli. A e mbajnë gjallë futbollin tifozët? Patjetër që po. A mund të luhet futbolli pa tifozë? Jo, kurrë. Atëherë me ç’të drejtë pengohen serbët të vijnë në Shqipëri dhe shqiptarët të shkojnë në Beograd? Një ndeshje futbolli duhet të jetë një festë e vërtetë. Dhe jo një siklet i madh. Dhe UEFA vazhdon ta mbrojë sikletin përmes barrierave të pakuptimta. Edhe futbollisti ynë Jashanica ra në “grackë” kur deklaroi se “ndeshja kundër Partizanit të Beogradit natyrisht që do të jetë e veçantë. Të gjithë e mbajnë mend ende se çfarë kanë bërë serbët në Kosovë”. Jo, miku im Bajram, duhet ta shikosh thjesht dhe vetëm si një ndeshje futbolli. E veçanta e kësaj sfide duhet të qëndrojë vetëm në faktin e rëndësisë së kualifikimit për më tej në Ligën e Europës… Shqiptarët dhe serbët janë të destinuar të bashkëjetojnë në këto toka që jemi sot. Asnjë prej dy popujve nuk do transferohen në hënë. Atëherë le ta bëjmë këtë bashkëjetesë me respekt reciprok. Futbollistët dhe tifozët mund ta bëjnë këtë fare mirë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.