EKONOMI

Aktivisti, Klodi Leka: Beteja jonë kundër ligjit të arsimit të lartë. Marrëdhënia student-pedagog, autoritare

10:35 - 19.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza Duro

Me fillimin e vitit të ri akademik 2017-2018, lëvizja “Për universitetin”, në tryezat informuese, ka ngritur zërin në lidhje me problematikat që hasin studentët. Pas një anketimi të realizuar nga kjo lëvizje, me të rinjtë që u ulën për herë të parë në auditore, është arritur në konkluzionin se shumë prej tyre nuk janë në degët që dëshirojnë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Klodi Leka, student i Universitetit të Tiranës dhe njëkohësisht aktivist i lëvizjes prej 4 vitesh, tregon se misioni i tyre kryesor është vazhdimi i betejës për arsimin e lartë e për universitetin. Ai flet, gjithashtu, edhe për marrëdhënien autoritare student-pedagog e vështirësitë ekonomike që has çdo i ri në Shqipëri.
Cili është misioni i lëvizjes “Për universitetin”?
Lëvizja studentore është krijuar në qershor të 2014 nga një grup bërthamë i përbërë nga studentë e pedagogë e numri i anëtarëve të kësaj lëvizjeje është gjithmonë në rritje. Misioni ynë kryesor është të vazhdojmë betejën për arsimin e lartë e për universitetin, pasi është e vetmja pasuri e madhe e popullit tonë dhe një shpresë sociale e prindërve tanë që ne të bëjmë një jetë më të mirë se ata. Çdo ditë po hasim barriera shpesh edhe të dhunshme. Po punojmë në kushte të vështira, por rezistenca jonë do të vazhdojë.
Cilat janë disa nga problematikat që konstatuat ju si lëvizje studentore, me fillimin e vitit të ri akademik?
Problematikat vazhdojnë të mbeten po ato, madje shumë prej tyre janë të vjetra. Një nga problemet kryesore që u diskutua në tryezat tona informuese është fakti që shumë prej studentëve nuk janë në degët që dëshirojnë për shkak të sistemit kaotik të regjistrimit në fakulteteve. Një problematikë tjetër janë dhe sallat e tej mbushura, pasi mungojnë mjediset e mjaftueshme për të zhvilluar orët mësimore, funksionimi i dobët i bibliotekave e mungesa e materialeve të mjaftueshme në to. Nuk mund të lë pa përmendur edhe mungesën e orientimit në fakultete, veçanërisht për studentët e vitit të parë, të cilëve iu duhet të përballen edhe me ulërimat e sekretares.
Si e keni konstatuar se shumë prej studentëve nuk janë në degët që dëshirojnë?
Shumë studentë nuk janë në degët që dëshirojnë, jo vetëm këtë vit, por edhe vitin e kaluar, pra mund të themi se që është një “bixhoz” i madh me fatet, dëshirat e ëndrrat e rinisë studentore të këtij vendi. Sistemi i regjistrimit në arsimin e lartë dështoi dhe dëshmoi se nuk ishte sistem i meritës apo preferencës, pasi shumë studentë duke mos pasur siguri, u regjistruan shpejt e shpejt nga frika e paniku. Pas një anketimi, që ne kemi zhvilluar për vitin akademik 2016-2017, pyetjes, nëse janë regjistruar ose jo në presion në raundin e dytë e më pas, 65 % kanë pohuar se janë regjistruar në ndikimin e presionit. Ndërsa pyetjes se si e vlerësoni në tërësi formulën e regjistrimit mbi 68 % e studentëve e cilësojnë formulën e re si të keqe ose shumë të keqe.
Si paraqitet marrëdhënia student- pedagog?
Marrëdhënia student- pedagog është një marrëdhënie autoritare. Universiteti publik ka dy lloj rrymash, nga njëra anë ka pedagogë të përgatitur, të ndershëm që i japin shumë rëndësi formimit të mëtejshëm intelektual të studentëve. Por, nga ana tjetër shumë pedagogë janë “tregtarë” që shesin librat e tyre me imponim, çmimet e të cilave në shumë raste janë tepër të larta. Shumë pedagogë burokratë kanë një marrëdhënie poshtëruese ndaj studentëve dhe përpiqen ta konvertojnë në para çdo germë që kanë shkruar në tekstin e tyre. Dija që marrim ne studentët në auditore është shumë e thatë, shumë burokratike, dhe nuk mund të krijojmë admirim ndaj figurës së atyre pedagogëve që nuk japin shembuj solidariteti.
A ka pasur rritje të tarifave?
Në 2014-ën ka pasur rritje të tarifave, por jo fort e ndjeshme për shkak të protestave të shumta të studentëve. Por pavarësisht kësaj, tarifat e masterit janë shumë të larta për t’u përballuar. Edhe tarifat aktuale të nivelit Bachelor janë të larta e ne jetojmë në një vend ku 30% e popullsisë me zor po blejnë ushqimet, jo më të paguajnë tarifat e universitetit. Bursat e shkollimit janë të pamjaftueshme, pasi bursa e plotë është 80 mijë lekë dhe gjysmë-bursa 40 mijë lekë të vjetra.
Cilat janë disa nga problemet e studentëve jashtë universitetit?
Problemet janë edhe jashtë universitetit pasi është vënë re një rritje e çmimit të apartamenteve me qira që studentët jetojnë, kështu detyrohen të jetojnë në periferi, ta ndajnë edhe me shumë persona të tjerë dhomën. Shpesh mjediset ku jetojnë studentët ngjajnë me kampe refugjatësh. Ne, studentët jetojmë në një qytet që dita-ditës po pasurohet duke varfëruar njerëzit e thjeshtë. Shumë prej nesh janë të detyruar të punojnë që në vit të parë për të përballuar jetesën.
Çfarë i mungon sot universitetit?
Universitetit sot i mungon humanizmi, pasi para se të nxjerrë një profesionist, mbi të gjitha duhet të përgatisë një qytetar të mirë. Por nuk ia ka arritur për shkak të paaftësisë së burokratëve dhe dijes konformiste e teknike që na serviret e që na shndërron në robotë. Universiteti sot ka një mungesë aktivitetesh e stimujsh ndaj studentëve që t’i motivojë për të studiuar e për t’u bërë dikush në jetë.
Përse e kundërshton lëvizja juaj ligjin e arsimit të lartë?
Një pikë e rëndësishme që ne e kundërshtojmë është zhvleftësimi i votës studentore, pasi vota e një pedagogu është e barasvlershme me votën e 50 studentëve për të zgjedhur drejtuesit e fakultetit përkatës. Qeveria po e braktis financiarisht universitetin e ky i fundit, i prirur për të gjetur para, po humbet autonominë. Ne jemi kundër këtij ligji pasi është formuar në mënyrë okulte nga burokratë të universitetit publik dhe të qeverisë, nuk ka pasur një proces transparent. Askush nuk ka marrë mendimin e pedagogëve, apo studentëve se cila do ishte zgjidhja më e volitshme për problematikat, para hartimit të ligjit. Ky është një ligj klientelist që ne do e kundërshtojmë gjithmonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.