KULTURË

KATALOGU I REALIZMIT SOCIALIST/ Nga kulti i individit te mega-propaganda

14:22 - 19.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Botimi i fundit i Galerisë Kombëtare të Arteve, me titullin “Realizmi socialist  shqiptar – studim mbi fenomenin bazuar kryesisht në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve”, me autor Dr. Ermir Hoxha është një katalog i ndërtuar mbi artin në periudhën e Realizimit socialist, me ndarjet historike respektive, dhe e gjitha shoqëruar nga një studim i gjatë mbi fenomenin. Përveç tij, në tekstin shoqërues trajtohen nëntemat tipike të Realizmit socialist  shqiptar, si: Historia nëpërmjet imazheve, Kulti i individit – Imazhi i Enver Hoxhës në artin pamor, Njeriu i ri, Stereotipet, Standardet dhe morali, Uniteti Ushtri-Popull si dhe Një vëzhgim krahasimor, mbi huazime tipike në tema e kompozime. Me 256 faqe, 40 faqe studim i ilustruar, dhe një katalog ku gjejnë hapësirë 151 artistë me 315 imazhe, ky botim hap një dritare të re përqasjeje ndaj krijimtarisë artistike të njërës prej periudhave më rëndësishme të artit vendas e njëkohësisht më të vështira.
Në hyrje e studimit autori shprehet se: “Arti i Realizmit socialist, zhvilluar në Shqipërinë komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, në një vështrim të parë, ishte një art euforik, optimist e i bukur. Si pjesë e platformës shtetërore, ai ishte imazhi zyrtar i ideologjisë komuniste, prej fundit të viteve 1950 deri në përmbysjen e regjimit në vitin 1991. Si i tillë, në thelb ai do të predikonte një Botë të Re, që ngrihej mbi gërmadhat e asaj të vjetrës; një Botë të Re pa shfrytëzim, shfrytëzues e të shfrytëzuar, ku nuk ekzistojnë klasa sociale e ku të ardhurat ndahen tek të gjithë në mënyrë të barabartë. I ndërtuar si një metodë estetike, Realizmi Socialist, sot mbetet dëshmia materiale, e prekshme, e një ëndrre të pamaterializuar dhe vizioni artistik i një Bote tjetër, ardhja e së cilës është ende thuajse e pamundur.

KATALOGU
Historia e tij zyrtare sot është e njohur. Ajo nis fill pas Revolucionit të Tetorit (1917), më saktë me ardhjen e Stalinit në pushtet, kur Shoqata e Artistëve Revolucionarë Rusë, e themeluar në maj të vitit 1922, mbështeti përqasjen realiste përkundrejt avangardave. Më 1934, në Kongresin e I-rë të Shkrimtarëve Sovjetikë, Andrei Zhdanov propozoi Realizmin Socialist, si artin e vetëm zyrtar, duke iu drejtuar pjesëmarrësve: “Shoku Stalin i quajti shkrimtarët tanë “inxhinierë të shpirtrave”. Çfarë do të thotë kjo? Çfarë detyre ju ngarkon ky titull? Kjo do të thotë, që menjëherë duhet të njihni jetën e popullit, për ta treguar atë të vërtetë në veprat e artit, jo ta tregoni në formë didaktike, të pajetë, jo thjesht si një “realitet objektiv”, po të tregoni realitetin në zhvillimin e tij revolucionar. E kështu, e vërteta dhe karakteri historik konkret i prezantimit artistik, duhet t’i bashkëngjitet detyrës së transformimit ideologjik dhe edukimit të punëtorëve në frymën e socializmit. Kjo metodë e letërsisë dhe kritikës është ajo që ne e quajmë metoda e Realizmit Socialist.” Mbi origjinën e tij, kritiku Boris Groys shprehet se: “Realizmi socialist  nuk u krijua nga masat, por u formatua në emër të tyre nga njerëz të mirëarsimuar dhe elita të specializuara, të cilët, pasi asimiluan eksperiencën e avangardave, ofruan Realizmin socialist  me logjikën e brendshme të metodës të avangardave, e cila nuk kishte aspak lidhje me kërkesat dhe shijet e masave.”
“Inxhinierët e shpirtrave”, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kineastët e artistët e cilitdo format, u ngarkuan me detyrën e transformimit ideologjik dhe “ushqimin shpirtëror të masave”. Ata duhet të krijonin për shtetin, me formën dhe mjetet që ai i gjykonte si më të përshtatshmet; ndërsa i gjithë ky transformim ideologjik, në formë realiste (të kuptueshme) teksa i drejtohej proletariatit, duhej ta ndërtonte veten mbi formë e tema të përcaktuara. Në kongresin e vitit 1934, shteti nga artistët kërkonte që arti të ishte: 1. Proletar – një art që i drejtohej punëtorit dhe ishte i kuptueshëm prej tij; 2. Tipik – skena nga jeta e përditshme e popullit; 3. Realist – në paraqitjen e imazhit; 4. Partizan – mbështetës i orientimeve dhe qëllimeve të shtetit dhe partisë.
Në artin pamor, e gjithë kjo deshifrohet lehtësisht në tema, si: Portreti i Udhëheqësit, Njeriu i Ri, Tabloja Historike, Jeta Socialiste apo Peizazhi Industrial. Këto tema, u materializuan në mijëra e mijëra tablo, postera e monumente, nën vëzhgimin e rreptë të makinës së propagandës, në gjithë vendet e orbitës sovjetike. Kuptohet që këto terma, kushtëzuan krijimtarinë e lirë artistike, ndërsa metoda realiste e paraqitjes së imazhit, u ngarkua me forcë nga ideologjizimi i skajshëm, si një seri veprash ilustrative publicitare, duke prekur shpesh kufijtë e groteskut.
Igor Golomstock, një nga studiuesit më të rëndësishëm të Realizmit Socialist, ofron një këndvështrim personal të strukturës shtetërore totalitare, duke e përcaktuar atë si një mega-makinë: një strukturë e formuar nga elementë njerëzorë të gjallë, të ndrydhur apo karizmatikë, ku secili kishte një rol të përcaktuar qartë, e cila me një organizim masiv të detyruar, bën të mundur realizimin e projekteve madhështore. Kjo mega-makinë, është epiqendra dhe shtylla mbajtëse e një regjimi totalitar, pa të cilën, asnjë udhëheqës nuk do kishte qenë në gjendje të ndërtonte mitin (kultin e individit) dhe besimin e patundur në popull përkundrejt figurës së tij.
Lewis Mumford, një tjetër studiues i rëndësishëm i këtij fenomeni, shpjegon se struktura e mega-makinës mund të vihej në punë me besim të verbër të popullit drejt udhëheqësit, nëpërmjet një enturazhi burokratësh, që merreshin me ndarjen dhe organizmin e punës, duke mobilizuar masa të stërmëdha njerëzish dhe materialesh, për realizimin e veprave publike e private që garantonin funksionimin, konsolidimin dhe zgjerimin e vetë pushtetit. Kjo strukturë, koordinimi i elementëve të së cilës bënte të mundur funksionimin e vetë strukturës totalitare, ishte e ngjashme dhe shpesh e njëjtë për gjithë regjimet e këtij lloji. Kështu u angazhuan edhe artistët, shkrimtarët e kineastët, të cilët u përcaktuan si ingranazhe të rëndësishëm, që nën orientime të përpikta, duhet të fuqizonin mega-makinën për të arritur qëllimin: dominimin absolut të vetëdijes dhe vullnetit të individit. Në artin pamor, “ikonografia” kërkohej në trajtë realiste, si mjeti më i mirë për konsumin masiv, duke e transformuar kështu “Realizmin”, në një stil internacional dhe në produktin e natyrshëm të totalitarizmit. Aparati shtetëror kontrollonte, orientonte dhe eliminonte gjithë ndërhyrjet stilistike apo ikonografike që paraqisnin ndryshime strukturore nga kanonet e kërkuara, gjë që mbështetej nga një politikë persekutimi dhe represioni të drejtpërdrejtë mbi jetën dhe veprimtarinë e krijuesve.


ATA QË NUK U PËRSHTATËN
Shumë artistë, fajtorë për një mospërshtatje me “teknikën” apo për devijimin nga “linja” e udhëzuar, konsideroheshin si devijatorë dhe si të tillë, ju refuzohej e drejta e ushtrimit të profesionit, përndiqeshin ose “riktheheshin” pranë gjirit të klasës punëtore, për të rikërkuar e rigjetur frymëzim te punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë. Shumë të tjerë, vuajtën nga xhelozia e pushtetmbajtësve, apo ranë viktima të fushatave të ndryshme të represionit që ndërmerrte shteti, duke përfunduar në burgje apo kampe internimi.
Materializuesit e Realizmit Socialist, shkrimtarët, arkitektët, kineastët, piktorët e kështu me radhë, kishin për detyrë të ndiqnin apo ndërtonin stereotipat dhe klishetë. Me gjuhën e artit, ata mundoheshin të krijonin një të vërtetë të re, që në sytë e popullit paraqitej thjesht subjektive, por që në tërësi, justifikohej me kërkesën për të krijuar një ideal për jetën dhe njeriun e ri. Me një entuziazëm lehtësisht të konstatueshëm, si të ndriçuar nga një diell personal, personazhet e tyre jetojnë një realitet paralel, një “parajsë socialiste” ku zhduket si me magji lodhja e varfëria, kampet e internimit, agjentët e Sigurimit dhe spiunët e shpërndarë kudo. Të gjithë ata zhduken, sepse në parajsën socialiste, vendet janë zënë nga heronjtë e kohëve të reja; janë zënë nga heronjtë triumfatorë, nga kooperativistët, mësuesit, minatorët e inxhinierët, janë zënë nga punëtorët (ndërtuesit e socializmit), apo ushtarët (mbrojtësit e tij). Në të vërtetë kjo “parajsë tokësore” nuk jetohet, përveç se si imazh, shpërndarë në çdo centimetër teksa merr përsipër të ilustrojë realitetin socialist. Si në një skenë gjigande, në të personazhet qeshin e qeshin pafund, si në një garë lumturie, përtej të mundshmes, përtej të imagjinueshmes.
TABLOTË
Tablotë e realitetit socialist, edhe pse në shumicën e rasteve të vështira për t’u besuar dhe nga vetë artistët, propozoheshin, në mos si ekzagjerim i realitetit, të paktën si e ardhme e afërt e tij. Pra, një ideal i asaj që kërkohej, që ndoshta nuk kishte ardhur në formën e plotë, por që padyshim ishte aty pranë, pasi në optikën e mega-makinës, arti ofron jo vetëm atë që duhet të shohësh, por edhe atë që duhet të besosh. “Kompozimi i imazheve ezaurohej në vështrimin dhe aplikimin drejt kategorisë së besimit: Besoj atë që shoh. Ajo që më tregohet është e vërteta, më autentike se ajo që më shpaloset para syve çdo ditë në jetën e përditshme.”
Në tablotë e jetës së përditshme, fatlumët që jetojnë realitetin socialist, darkojnë në tavolina plot e përplot, gëzojnë apartamente të modës, pushojnë në shtëpi pushimi e shëtisin të lumtur në fusha pjellore. Kjo sepse socializmi, tashmë për ta, është një realitet i prekshëm. Është realiteti për të cilin dje luftuan me armë dhe sot e shijojnë në të gjitha sfumaturat e veta. Është ai realitet që solli revolucioni komunist, me modernizimin e jetës, emancipimin e shoqërisë dhe industrializimin e ekonomisë. Është faza kulmore e të gjitha sakrificave. Është ajo fazë, kur më në fund proletariati mund të gëzojë frytet e një revolucioni të kryer. Është faza e shijimit të triumfit, pas përmbysjes së shfrytëzuesve, rindarjes së pasurisë, luftës mbi mbeturinat e së kaluarës, industrializimit dhe ndërtimit të socializmit. Sipas Pirettos, ajo konsiston në “transfigurimin e karaktereve thjeshtësisht funksionalë, duke iu mundësuar atyre të veshin domethënie specifike simbolike e kulturore, mbi të gjitha, një aureolë joshëse.”
PARAJSA SOCIALISTE
Parajsa socialiste, ky vizion imagjinar, ishte në thelb thjesht zëvendësues i vizionit ekzistencial, predikuar nga religjioni. Në ngjashmëri faktike, ideologjitë totalitare tentuan të zëvendësojnë fenë dhe lidhjen e saj shpirtërore me popullin. Elementët e saj kryesorë, konceptimi e simbolet identifikuese, riti dhe premtimi i jetës së përjetshme, zëvendësohen nga ideologjia me simbolet përkatëse, riti (puna) dhe premtimi i parajsës (kësaj radhe tokësore). Si në njërin a në tjetrin version, bashkë me to, funksion parësor, shihet të ketë dhe arti, si ilustrues i “tokës së premtuar”. Parajsa në versionin socialist  pasqyrohet në tablotë nga “jeta e përditshme”, brenda familjes, në kampe pushimi, në festa dhe vende pune. E ngjashme më shumë me një reklamë, ajo ndryshon brenda kampit socialist  nga vendi në vend, duke u përshtatur me terrenin që gjen, ndërsa në thelb ajo përbën përmbushjen e “profecisë” marksiste, që në qëllimin e saj final kërkonte ndryshimin e rendit shoqëror. Në këto tablo, Njeriu i Ri, tashmë i materializuar, jeton. Ai është ngado, entuziast, pasi “parajsa tokësore” e premtuar, tashmë është bërë realitet dhe “dora e ngrohtë” e partisë-shtet, edhe kur nuk shihet, ndjehet thjesht e kudondodhur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.