BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Elsa Lila shpërthen në “Moulin Rouge”

16:00 - 20.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Elsa Lila shpërthen në “Moulin Rouge”




Elsa Lila, ylli i muzikës shqiptare nuk rresht së na befasuari. Pasi tregoi që ishte një showgirl e vërtetë në fundvitin që sapo lamë pas, si prezantuese e Festivalit në RTSH, komentet dhe komplimentet për të cilën do të ishin të pafundme, ka vendosur të godasë sërish. E këtë herë do ta bëjë me Moulin Rouge. Vepër të cilën, ajo do ta sjellë përmes një muzikali që ka menduar ta sjellë si premierë në Tiranë gjatë muajit prill. Është kjo surpriza e radhës prej saj. Një spektakël ku ajo ka nisur të mendojë mjaft seriozisht. Jeta e kabaresë me kërcime dhe spektakël e ka joshur këngëtaren e njohur shqiptare, për t’ia servirur atë publikut të saj. “Edhe pse një muzikal i tillë mund të jetë i vështirë, gjithçka do të vijë live”, – është shprehur ajo. Ndërkohë, Lila kërkon që çdo gjë të jetë e përsosur, që nga teknika, fonia, që ndoshta do t’i sjellë edhe nga jashtë Shqipërisë për t’ia arritur qëllimit të saj, të sjellë një spektakël që do të lërë gjurmë. E Elsa e bën shumë mirë këtë. Natyra e saj e vërtetoi më së miri gjatë festivalit, ku ajo në rolin e prezantueses këndoi, bëri humor dhe i dha një frymë krejt tjetër atij.

Të jetosh me “Moulin Rouge”
Gjendet në Francë. E aspak rastësisht, apartamenti në të cilin jeton është shumë pranë rrugës ku gjendet një nga lokalet më të famshme të Parisit, një kabare tradicionale e krijuar në vitin 1889 nga Josep Oller, Moulin Rouge… Është i qëllimshëm çdo veprim i saj. Pikërisht për të njohur më mirë jetën e kabaresë, për të qenë sa më brenda rolit të saj, ajo ka zgjedhur të mësojë çdo gjë me detaj për të. Të jetojë dhe të marrë frymë në Parisin ku shumë vite më parë do të merrte jetë miti “Moulin Rouge”.
Albumi në frëngjisht
Është duke përgatitur një album për tregun francez në gjuhën frënge. “Mbas 6 vitesh kërkimi për t’u ingranuar në jetën artistike italiane, arrita në një moment lodhjeje për mosrespektin, për mënyrën e punës dhe muzikës që qarkullon në Itali. Franca m’u duk një vend i përshtatshëm për karakterin tim, për mënyrën time të të kënduarit dhe të muzikës që unë kam dëshirë të bëj, sepse ka mbetur një nga vendet e vetme në Europë, ku ende i vlerësojnë artistët dhe muzikën e vërtetë. Në Francë, me ligj radiot janë të detyruara të transmetojnë 80% muzikë franceze dhe kjo do të thotë që mbështesin projektet në gjuhën e tyre, kështu që ka arsye pse ky album bëhet në frëngjisht”, – e ka komentuar albumin e saj në frëngjisht Elsa, ndërsa ishte në Tiranë. Ndërkohë që pjesë e tij do të jetë edhe e famshmja “Margjela” e Prenk Jakovës në frëngjisht, version me të cilin Elsa bëri show në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Kabareja “Moulin Rouge”
Kabareja “Moulin Rouge” është e vendosur në lagjen me “drita të kuqe” të Parisit “Paris red-light district”, pranë Montmartre. Edhe pas dyqind vjetësh, “Moulin Rouge” është një destinacion popullor për gjithë turistët, që ofron muzikë dance dhe njihet si një nga lokalet më të frekuentuara të Parisit. Suksesi i saj ishte i menjëhershëm, dhe kjo për shkak të repertorit të kërcimit dhe spektaklit që ishte një revolucion për atë kohë. Në shumë bare të Francës, pankarta e Moulin Rouge përdoret si dekor. Moulin Rouge gjithashtu ka qenë subjekt frymëzimi për shumë piktorë, mes të cilëve edhe post-impresionistin Toulouse Lautrec. Moulin Rouge është edhe titulli i librit të shkruar prej Pierre La Mure, i cili u realizua film në vitin 1952. E jehona e këtij emri vazhdon. Në vitin 2001, Moulin Rouge u realizua sërish në film, ku interpreton Nicole Kidman. Tani është radha të shohim versionin Elsa Lila me të…
Ky shkrim u botua më  9 shkurt 2008 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.