DOSSIER

DRITËRO AGOLLI / Mbi gjysmë shekulli dashuri në një libër. Gruaja e poetit, një amazonë, së cilës ai i këndon gjer në fund

11:00 - 20.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Ilirian ZHUPA
Për librin më të ri me poezitë e dashurisë të Dritëro Agollit: “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”.
Një libër i ri nga Dritëro Agolli, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë një ngjarje e spikatur letrare. Kështu ndodh edhe me librin që po iu prezantojmë, me titullin “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”. Pasi Dritëro Agolli, ky bard i madh i letrave dhe shpirtit shqiptar, në çdo botim të tij, shpërfaq vlera dhe risi që komunikojnë mjeshtërisht me lexuesin, pavarësisht nga moshat dhe nga kohët.
Libri që po merrni në dorë, është një botim i zgjeruar i lirikës së dashurisë. “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”  është jo vetëm libri i një të përndjekuri, por edhe i një të përbetuari të dashurisë.
Për rastësi apo jo, edhe emri i autorit të këtij libri, Dritëro Agollit, fillon me D të madhe si Dashuria. Si ajo ndjenjë e përjetshme dhe e përbotshme, që, siç thotë ai  përmes vargjeve, i jepet njeriut “si një dritë në duar”, për të ndriçuar veten dhe botën. Duke e bërë njëherësh edhe të përndjekurin, por edhe i shënjuarin e saj. Edhe gjuetarin, por edhe blatuesin e pashtershëm. Të përpiqesh të shkruash e të flasësh për poezitë e dashurisë së Agollit, përmbledhur në këtë libër, është e vështirë, por më e vështirë dhe e mangët është të përpiqesh të heshtësh. Pasi në një farë kuptimi, dashuria, është jo vetëm thelbi i jetës së poetit, por edhe thelbi i krijimtarisë së tij poetike, pra vetë libri.
Shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj, si Dritëro Agolli, kanë një magji dhe alkimi të përhershme në krijimtarinë e tyre. Mbasi i ke lexuar, të bëjnë rob, ortak dhe ndjekës, dhe të detyrojnë kohë pas kohe t’u rikthehesh e t’i rilexosh, për të zbuluar dimensione të reja të krijimtarisë letrare dhe të vetes. Duke thënë këtë, kemi thënë që autori i këtij libri, ashtu siç ndodh me krijuesit e njëmendtë të letrave në të gjitha kohët, vjen i freskët dhe me zbulime të reja pas çdo rileximi.
Poezitë e këtij libri, kanë brenda tyre mbi gjysmë shekulli dashuri. Në to, si në një shirit sizmiografik, dallohen qartë të gjitha trandjet dhe përjetimet e heroit lirik. Siç dallohen në trupin e një peme jetëgjatë, në rrathët e trungut, por edhe në lëvoren dhe degët e saj vera dhe dimri, ngrica dhe vlagu, drita dhe terri. Koha e mirë dhe e keqe, në të cilën mbiu dhe u rrit kjo pemë e përjetshme. Dhe meqë përmendëm pemët, nuk e di se si, sa herë uleshim në bisedat e gjata me të, në mendjen më fanepseshin ullinjtë e vendlindjes sime. Pemët më të fisme dhe më jetëgjata që janë rritur me shekuj në këtë vend.
Edhe pse libri i parë me poezi i Dritëro Agollit, me titullin paralajmërues “Në rrugë dola”, është botuar në vitin 1958, në këtë libër të veçantë për dashurinë janë përmbledhur kryesisht poezi që zënë vend në gjithë librat e tjerë të poetit, nga  “Hapat e mia në asfalt” (1961) gjer te “Prit dhe pak” (2016). Poezitë që vinë si iso dhe amanet nga shpirti i gjyshërve, si një gjëmim në horizont, për të pasuruar botën me aromë gruaje, duke e bërë poetin të përjetojë gjer në muzgun e vonë, përpos diktaturave të tjera edhe diktaturën e dashurisë dhe të jetë i përndjekuri i përjetshëm i saj.
Poezia lirike e Dritëro Agollit, nisi në gjurmët e poetëve tanë të mëdhenj dhe më tej të atyre botërorë. Ajo i asimilon dhe i shtyn më tej kufijtë dhe caqet e realizimeve të tyre estetike.


Nëse fillimisht ka pika takimi me poezinë panteiste “Bukuria” të Naim Frashërit, me dhimbjen e pacak të Migjenit (me të cilin Agolli ka të njëjtën datë lindjeje, 13 tetor, por 20 vjet më vonë), me thelbin ekzistencial të Lasgushit, Bagrickit, Bërnsit, Hikmetit e Elyarit, etj.; ajo vjen dhe rritet si një pemnajë autentike dhe e shëndetshme e kësaj toke, gjuhe dhe klime. Një poezi e re dhe e shëndetshme, me të cilën u ushqyen dhe u rritën breza të tërë krijuesish. Pasi, siç ndodh me krijuesit e vërtetë, ata veç ngasjeve figurative, filozofike dhe emocionale që përçojnë te lexuesit e të gjitha kohëve, kanë dhe aftësinë që të bëjnë shkolla krijuese dhe të kenë nxënës dhe ndjekës të shumtë.
Së pari, poezia e Dritëro Agollit shquhet për një realizëm dhe konkretësi të mahnitshme. Ngasje, prekje e konkretësi që ngjishet e dendësohet në harkun krijues të 60 vjetëve. Poezia vjen nga gurgullimat e ujërave të tokës dhe të qeshurat e njerëzve, nga përskuqja e qiejve dhe hambarët e vjeshtës, nga cikma e dimrit dhe nga ngricat e ndarjeve, nga isoja e këngëve dhe nga hareja e dasmave. Dhe  boshti i saj i përhershëm është dashuria. Një dashuri që shfaqet me një mijë vezullime, një mijë mënyra qasjeje nga dita e parë gjer në frymën e fundit duke sfiduar pengesat, mungesat dhe vështirësitë. Që nga rinia e hershme me krijimet plot vlug e aksh e gjer te poezia e fundit, poeti rritet bashkë me krijimtarinë,  dashurinë dhe mesazhet e saj.
Po sjellim më poshtë,  dy poezi. E para nga rinia e hershme dhe e dyta nga libri më i fundit që Agolli botoi në moshën 85 vjeç. Ditë pas dite, fjalë pas fjale, varg mbas vargu, poezia e nisur si një ëndërr dhe pasion djaloshar, bëhet një diamant i ngjeshur, rrezëllitës e filozofik.
Poezia e parë titullohet “Vasha e ëndërruar” -Nga fletorka e rinisë- dhe mban datën 1961:
“Shtëpia jote thellë kopshtit futur,
Si tempull ëndrrash hesht e mjegulluar,
Dhe unë i dashuruar murit strukur,
Vështroj ballkonin tënd me dritë shuar….

Pastaj me ankth nga kopshti të hedh gjethe,
Si një kusar kaçubeve i fshehur,
Dhe pres një çast përhumbur si në ethe,
Të nxjerrësh kryet mundësisht pa krehur….”.
Ndërsa poezia e dytë që titullohet  “Për dashurinë” dhe është marrë nga libri “Prit edhe pak”, botim i vitit 2016.

“Dashuria fillimisht është e turbullt,
Dashuron, po cilin aspak s’është e qartë,
Dhe agimi kur vjen është i mugët,
Sendet s’kanë as formë as trajtë.
 
Dita zbret dhe gjërat dalin të plota:
Forma, trajta, konture e vija,
Dalëngadalë e tillë vjen bota,
Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.”

Së dyti, poezia e dashurisë e Dritëro Agollit ka një lidhje shumë të ngushtë me shpirtin e gjyshërve, me rrëfenjat dhe folklorin, me shpirtin e tokës. Megjithëse zjarri i dashurisë, ndryshe nga sa ndodh në jetë, te shumë poetë të vetëshpallur modernë, duket sikur vjen në forma abstrake dhe kozmogonike nga qielli, te Dritëro Agolli, tundimi, këndellja, përzhitja dhe ngrohja e zjarrit të dashurisë, me gjithë kënaqësitë dhe pasojat që e bashkëshoqërojnë këtë zjarr vjen nga toka. “Ngrita sytë e të shikova/ Dhe si dash në hell u shkova.”, poezia “Kur ecja anës divanit”. Po nga toka vijnë dhe imazhet e ndjesitë tronditëse që bëjnë lëndën poetike të vezullojë figurshëm në çdo fjalë dhe çdo varg. Të gjitha për dashurinë, jeta dhe vdekja, fitorja dhe humbja: “Me gërshetin mbytmë mua/ Mbytmë dhe gjë tjetër s’dua.”, poezia “Laj e hidh gërshetin prapa”. Në letrat shqipe, nuk ka një poet të dytë që të jetë mbështetur kaq fort te shpirti i gjyshërve dhe ta ketë risjellë atë për lexuesin e ri, me kaq dashuri dhe kaq të plotë.
Së treti, poezia e dashurisë e Dritëro Agollit, merr një rrjedhë dhe përmasë të një kumti të thellë filozofik. Ndjesia e dashurisë, sipas poetit, është ndjesia hyjnore e njeriut, e kësaj qenieje që di t’i zgjerojë kufijtë e kohës e të ekzistencës së vet, t’i përmbushë ato duke qenë i ndërgjegjshëm se nuk ka një kohë të dytë dhe se  “Është koha kur bëhen të gjithë të marrë….”, dhe kur pavarësisht nga porosia e shenjtë, është koha “kur edhe zoti i ruhet mëkatit.”, poezia “Çmenduri pranverore”.  Ngjarja e dashurisë, për Dritëro Agollin është njëherësh edhe një ngasje, por edhe një mister. “Ç’t’i bëjmë natës që vjen/ Ç’t’i bëjmë mëngjesit…”, thotë poeti te poezia “Për ty”. Pikërisht mbas kësaj pyetjeje zbret si një engjëll shpëtimtar e dashura, shoqja, gruaja, e cila tenton ta nxjerrë nga shpella e vetmisë dhe e izolimit, me përkëdheli dhe britmë, me të keq dhe me të mirë ” Për krahu me zor më ke zënë/ Të dalim me vrap nga kjo shpellë…”, poezia “Gruas”.
Më tej, në poezinë e dashurisë së Dritëro Agollit, dashuria është edhe një trill, një kapriçio, një tundim, një lojë. Tërë jetën, gjer në pleqërinë e thellë, poeti pret t’i vijë një nuse nga një udhë e pasosur. Mbasi ka provuar të gjitha diktaturat, me tërë brutalitetin dhe kufizimet e tyre, Dritëro Agolli, ky magjistar i fjalës shqipe, pret t’i dorëzohet diktaturës së dashurisë. Nëse jeta është një oqean dhe det i pafund, dhe dashuria vetëm një varkë e vogël që lundron në të, autori tashmë kërkon të dijë “…ç’ka varka brenda…”. Sado e pamundur të jetë dashuria, sado e paarritshme, ai nuk stepet para asnjë pengese, dhe është i bindur se do i bënte detet e mëdhenj të tkurren dhe do ishte në gjendje për ta arritur atë, duke ecur në qiej dhe duke i shkelur yjet “gur më gur…”., poezia “Ti”. Pasi dashuria për të është një bekim, një apel, një synim, një detyrë, një legjendë e përjetshme, e cila jeton sa Zoti dhe ” Mbase më tepër se një zot…”, poezia “Në liqen”… Që nga shoqëria primitive e këtej, në historinë e gjatë të shoqërisë njerëzore, zotat janë shtuar e rralluar, kanë lindur e kanë vdekur, kanë ndërruar identitete e emra, ndërsa Zoti i dashurisë ka mbetur gjithmonë i njëjtë dhe ka mbijetuar bashkë me njeriun. Pasi dashuria është i vetmi çelës që disponojmë, për të hapur derën e përjetësisë. Vajza dhe djali, burri dhe gruaja, këto “Kitara prej mishi” që nga lindja e gjer në vdekje duke i kënduar dashurisë, i këndojnë jetës. Edhe kur bëjnë muzikën e saj, por edhe kur heshtin. Edhe kur janë të rinj e fërfëllojnë nga pasioni, por edhe kur janë të moshuar dhe urtojnë nga mençuria. Një këngë dashurie ka nevojë për poetin që ulet e shkruan, siç ka nevojë edhe për përkujdesjen dhe frymën e “Një xhinde Shkodre, një kaproll”.
Dhe së fundi, në vijim të asaj çka thamë pak më sipër, poezia e dashurisë e Dritëro Agollit, veç heroit lirik, ka dhe një “hero” tjetër që shfaqet e fshihet mes vargjeve për mbi pesëdhjetë vjet, jo vetëm në rastet kur e përmend me emër, por edhe kur nuk e përmend. Ajo është e dashura, gruaja, nëna e fëmijëve. Në një shënim të shkurtër, të majit 2014, me dorë të dridhur, Dritëroi i shkruan asaj një letër ku mes të tjerash i thotë: ” E dashur Sadije, Të dua si jetën time, madje edhe më shumë… Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde…”. Kjo grua është “Një pjergull (që) trupin e mban ngrohtë/ E përqafuar me një lis.”, poezia “Të fortë dhe të brishtë”. Ajo është bashkudhëtarja, përndjeksja, blatuesja e përjetshme së cilës poeti i thotë: “Këtu asgjë s’më duhet mua…”. Ajo është historia dhe vijimi i historisë: “I them Sadijes, zonjës grua:/”Këtu në shesh ra Leonidha/ Dhe ndoshta ra për ty dhe mua”, poezia “Në Termopilë”. Gruaja e poetit, një amazonë së cilës ai i këndon gjer në fund:

“Akoma truri s’më ka zënë,
Në rrudhat myshk e ndryshk,
Shoh nga dritarja kur ka hënë,
I them Sadijes: mos u vyshk!
 
Sadija s’vyshket asnjëherë,
As sot, as nesër dhe pastaj,
Unë i heshtur pres në derë,
Përgjunjur para saj….”
Poezia “E përhershme” nga libri “Prit dhe pak”.
 
Ditën që Patriarku i madh i fjalës dhe i letrave shqipe iku, në shënimet e mia shkrova:  “Dritëroi iku, por drita e tij do të rrojë!”. Sot që po hidhja në letër këtë parafjalë, mbasi kam lexuar “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”, që ju po merrni në duar, desha të bëj një ndryshim në shënimin tim: “Dritëroi erdhi sërish, dhe drita e tij do të rrojë! Gjatë, shumë gjatë!”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.