Intervista

Gëzim Tushi: Të bëhet “revolucion” në procesin e edukimit. Një pjesë e mësuesve, mungesë kapacitetesh

10:34 - 20.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Voltiza DURO
Në ditët e sotme, edukimi i të rinjve mbetet një proces i vështirë si për familjen, ashtu edhe për shkollën. Për shkak të faktorëve të ndryshëm, ka një sërë mangësish që kanë sjellë problematika në sistemin edukues të fëmijëve në shoqërinë shqiptare. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, sociologu dhe “Mjeshtër i Madh”, Gëzim Tushi tregon se instrumentet që përdoren për edukimin e të rinjve janë të vjetra e për pasojë nuk mund të funksionojnë. Gjithashtu, ai vendos theksin se vetëm një revolucion edukativ do e përmirësonte situatën, ku prindërit duhet të tregohen më tolerantë, duke pranuar faktin që kohërat kanë ndryshuar. Sociologu shprehet se edhe një pjesë e mësuesve kanë mungesë kapacitetesh dhe njohurish, çka ndikon negativisht në procesin e edukimit.
Si paraqitet situata në edukimin e të rinjve të sotëm?
Në ditët e sotme, problemet e edukimit janë bërë çështje shumë sensitive, të cilat preokupojnë në mënyrë të jashtëzakonshme shoqërinë shqiptare. Kjo e fundit për shkak të tranzicionit ka probleme jo vetëm me vështirësitë në sistemin e edukimit, por edhe me ndryshimet e pozicioneve të institucioneve kryesore të edukimit, siç janë familja, shkolla, media. Në kohët e sotme, kjo situatë ka krijuar shumë vështirësi, por edhe shumë keqkuptime.
Cilat janë disa nga këto vështirësi?
Disa vështirësi janë objektive e kanë të bëjnë me transformimin social të jetës shoqërore, me ndryshimin e raporteve midis brezave, sepse të rinjtë e sotëm nuk janë më ata të djeshmit. Ka një prapambetje të edukatorëve në raport me të rinjtë, të cilët nuk mirëkuptohen në të gjitha rastet mes tyre, çka i çon në konflikte, debate, problematika. Dhe kështu, arrihet në konkluzionin pesimist sikur institucionet e edukimit në këtë vend janë rrënuar e nuk e kanë më fuqinë e dikurshme, si familja dhe shkolla. Përtej ndryshimeve dhe kohës që ka ardhur, duhet të kuptojmë që procesi i edukimit mbetet një detyrë e dorës së parë, jo vetëm për shoqërinë, por fillimisht për institucionet përkatëse të edukimit. Në çdo shoqëri nuk ka institucione më të fuqishme e dominante për ta kryer këtë proces sesa familja e shkolla. Pra, nëse duam ta përmirësojmë procesin e edukimit të fëmijëve, së pari duhet të shikojmë sesi paraqiten këto institucione.
A i kanë aftësitë e nevojshme familja dhe shkolla në procesin e edukimit të fëmijëve?
Shumë njerëz mendojnë se shkolla e sotme ka degraduar e i ka humbur funksionet e saj edukative. Po kështu, shprehen edhe për familjen e sotme, e cila për shkak të ndryshimeve strukturore që kanë ndodhur në familjen moderne, nuk është më familja e dikurshme, patriarkale, autoritariste. Koha postmoderne, globalisht është shumë e vështirë dhe fatkeqësisht dy komponentët kryesorë të edukimit, familja dhe shkolla janë shndërruar në figurat më të “urrejtshme” për adoleshentët e sotëm, sepse këto institucione kërkojnë disiplinën.
A ka ankesa nga prindërit apo mësuesit për fëmijët e sotëm?
Shpesh ka ankesa, por si mësuesit, edhe prindërit, madje e gjithë shoqëria duhet të kuptojnë që këta fëmijë janë tanët e duhet të përqendrohemi në mënyrë prioritare për t’i edukuar e për t’i vendosur në rrugën tonë që shoqëria jonë të jetë më funksionale. Duhet kuptuar që instrumentet e vjetra kanë vdekur, pra zotësia e shkollës, familjes është të kuptojnë vështirësitë që ka kjo kohë e të gjejnë rrugën e duhur për ta bërë këtë revolucion edukativ.
Cilat janë mangësitë e shkollës në edukimin e brezave të rinj?
Një nga instrumentet e fuqishëm të edukimit është shkolla, por kjo kohë është bërë e vështirë edhe për këtë institucion arsimor e në vend që të jetë një vatër edukimi, është bërë një vatër konfliktualiteti. Kjo për shkak të përplasjes së nevojave midis autoritetit të mësuesit dhe të drejtës së nxënësve për të qenë më të lirë. Shkolla e sotme shqiptare ka filluar ta nënvlerësojë aspektin e edukimit të nxënësve, edhe pse misioni edukativ i shkollës mbetet i pandryshuar. Një mësues që të luajë rolin edukativ, duhet të ketë integritetin e vet moral, sepse një pjesë e mësuesve kanë mungesë kapacitetesh dhe njohurish dhe kjo nuk e bën të besueshëm në sytë e nxënësit, madje ndikon negativisht në procesin e edukimit.
Si mund të përmirësohet kjo situatë?
Nëse duam të ketë rritje të kapaciteteve edukative të shkollës dhe rolin edukues të mësuesit, duhet gjetur mënyra për të forcuar pushtetin disiplinor të saj. Nëse familja dhe shkolla, si dy institucione kryesore të disiplinës edukative nuk funksionojnë si duhet, atëherë edukimi i të rinjve është kaotik, i braktisur dhe ata mund të sillen e të bëjnë çfarë të duan pa mbajtur përgjegjësi. Prandaj është e nevojshme t’i kushtojmë rëndësi përmirësimit dhe konsolidimit të roleve edukative në familje e shkollë. Por, dua të theksoj se nuk duhet t’i atribuojmë shkollës përgjegjësi më tepër sesa i takojnë. E them këtë, sepse në shoqërinë shqiptare sot, për shkak se familja kërkon t’i lëshojë barrët e edukimit, ia hedh tërë fajin shkollës. Por kjo e fundit nuk mund të zëvendësojë rolin e familjes, sepse është e pamundur.
A ka një thyerje të autoritetit në familjet shqiptare?
Procesi i demokratizimit të familjes e ka thyer autoritetin. Tashmë raportet mes brezave midis njerëzve e sekseve kanë filluar demokratizimin e marrëdhënieve mes tyre. Prindërit kanë një mungesë të konceptimit të këtij ndryshimi. Ata nga njëra anë janë të shqetësuar pasi e kanë të vështirë të komunikojnë me fëmijët e tyre, por këta të fundit i shikojnë prindërit si diktatorë. Edukimi në një epokë liberale nuk është i lehtë. Familja e dikurshme shqiptare nuk ka qenë më e mirë se e sotmja, por koha ka qenë tjetër dhe autoriteti i familjes ndryshe nga sot, atëherë ka qenë i imponuar nga morali e ideologjia e kohës. Në njëfarë mënyre, prindërit ishin pronarë të fëmijëve, por sot është ndryshe situata. Fëmijët në kohët e sotme kanë një ndjeshmëri për autoritetin e personalitetin e tyre.
Cila është situata, fëmijët e sotëm janë bërë më të vështirë apo prindërit e sotëm nuk dinë të edukojnë sipas kohës?
Të dyja qëndrojnë, ekuacioni i ka të dyja anët. Fëmijët e sotëm janë bërë edukativisht më të vështirë, për shkak se duhen instrumente të tjera për t’i edukuar ata. Unë theksoj se makineria e vjetër e edukimit me një fuqi të jashtëzakonshme të së kaluarës ka marrë fund. Pra, nëse prindërit mendojnë se me këtë instrument të vjetër do edukojnë fëmijët e sotëm, do e kenë të pamundur. Prindërit e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë. Por fëmijët e sotëm nuk e durojnë dot autoritarizmin, imponimin tutelën kontrollin e jetës së tyre personale. Zgjidhja është që të gjendet një modalitet tjetër që edhe prindërit të ndryshojnë veten edhe fëmijët.
Sa përkushtohen prindërit shqiptarë në edukimin e fëmijëve?
Familja e sotme shqiptare, dikur një vatër e ngrohtë edukimi, ka filluar të ketë lëvizshmëri brenda vetes, prindërit nuk kanë më atë kohën e nevojshme për t’u marrë me fëmijët e tyre sepse nuk i lë koha, nevoja për para e sukses. Kjo bën që të mungojë koha e hapësira për edukimin e fëmijëve. Në këto rrethana, fëmijët dalin jashtë shtratit edukativ dhe jashtë influencës pozitive të prindërve të tyre. Prindërit e sotëm kanë menduar që ta kompensojnë këtë me mjete materiale, duke iu plotësuar dëshirat e tekat, ndonjëherë duke e liberalizuar tej mase kontrollin për jetën e tyre shpirtërore, fizike e seksuale. Ura edukative brenda familjes po thyhet, nuk ka më një sistem komunikimi prind-fëmijë, por një familje e tillë edukativisht është jofunksionuese dhe duhet të rikthejmë fuqitë edukative të familjes shqiptare. Edukimi në kohët e sotme është jashtëzakonisht i vështirë dhe kjo kërkon një lloj revolucioni të skemave edukative të shoqërisë.
Si mund të ndodhë ky revolucion edukativ?
Modalitetet që mund të gjenden është sigurimi i një sistemi të ri komunikimi mes prindërve dhe fëmijëve, duke pranuar realitetet që kanë ndryshuar. Edhe prindërit të jenë më tolerantë, më të kuptueshëm dhe të përshtaten me kohën, por edhe fëmijët duhet të rrisin besimin ndaj autoritetit prindëror. Shoqëria jonë duhet të përmirësojë shëndetin e shoqërisë, veçanërisht te të rinjtë, për t’i bërë ata më të përgjegjshëm dhe të kenë objektiva për të ardhmen. Kështu që na lind detyra që ky revolucion edukativ të vejë në qendër të procesit familjen e shkollën, pa mohuar edhe rolin e medias e shoqërisë civile. Pra, duhet të ndryshohet koncepti i edukimit dhe aktorët e kësaj skeme. Është një revolucion i madh, sidomos në këtë kohë tranzicioni.
Si mund të ndikojë shteti në përmirësimin e sistemit edukativ të të rinjve?
Edhe shteti duhet të investojë fort për dyja institucionet bazë të edukimit, fillimisht për familjen duke rikthyer vëmendjen te situatat që prekin këto familje shqiptare e që kanë të bëjnë me varfërinë, me konfliktet e ndryshme. Por, në mënyrë të tërthortë mund të bëjë stabilizimin e familjes duke përmirësuar kushtet ekonomike, duke rritur punësimin, duke rritur shpresat e të rinjve e t’u krijojë mundësi që të ecin në këtë vend. Po ashtu, të investojë edhe nëpër shkolla, në mënyrë që të ketë një proces të ndryshuar edukimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.