EKONOMI

Ish-të përndjekurit, ja si do të ndahen 2 miliardë lekë. Trashëgimtarët përfitojnë 30 % të fondit të vënë në dispozicion

10:03 - 20.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela MANJANI

Qeveria shqiptare do të akordojë një fond prej 2 miliardë lekësh për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë për vitin 2018. Thuajse e njëjta shumë është akorduar çdo vit nga qeveria, ndërkohë që është shpërndarë kësti i shtatë për ish-të dënuarit që janë gjallë. Vitin e ardhshëm do të ketë përparësi pagesa e këstit të tetë. Ish-të përndjekurit e kategorisë parësore do të marrin 70 % të fondit prej 2 miliardë lekësh, ndërsa për kategorinë jo parësore do të shkojnë 30 % të gjithë fondit. Ministria e Financave ka shlyer këstin e parë dhe të dytë për një pjesë të konsiderueshme të trashëgimtarëve, ku përfshihen fëmijët dhe nipërit e ish-të dënuarve politik të rrëgjimit komunist. Ndërkohë ndodhen në proces shqyrtimi trashëgimtarët që nuk kanë marrë asnjë këst dhe duhet të plotësojnë dokumentacionin sipas ligjit në fuqi.
Kategoria parësore
Në kategorinë parësore që do të përfitojnë 70 % të fondit të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit janë gjashtë nënkategori. Të parat në listë janë gratë e ish-të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës. Përfituesit duhet të paraqesin certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie bankare në lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas urdhrit të Ministrisë së Financave në kategorinë e dytë me prioritet janë persona ish-të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë. Kjo kategori duhet të paraqesë certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit dhe numrin e llogarisë. Ndërsa në kategorinë e tretë me prioritet janë persona ish-të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda. Kjo kategori duhet të paraqesë raport mjeko- ligjor, origjinal me emra dhe mbiemra të anëtarëve me firmë të gjithë secilit dhe me vulë, jo kopje) për paaftësi të plotë për punë e lëshuar nga KEMCAP, raport mjeko- ligjor për sëmundje onkologjike dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuar nga: Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra Shëndetësore Universitare “Shefqet Ndroqi”, certifikatë personale dhe numrin e llogarisë bankare në lek. Për kategorinë e katërt me prioritet kanë për persona ish të dënuar që janë gjallë të cilët pavarësisht moshës në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç. Përfituesit e kësaj kategorie duhet të paraqesin certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit, certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur, certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur dhe numër llogarie bankare në lek. Ndërsa për kategorinë e pestë me prioritet, “Për persona ish të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”. Përfituesit duhet të paraqesin certifikatë vdekje të personit ish-të dënuar, certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish të dënuar që nuk jeton më, certifikatë familjare të ish-të dënuarit ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur, dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor, vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më dhe numër llogarie bankare. Për kategorinë e gjashtë me prioritet, “Për persona ish-të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç”, të cilët duhet të dorëzojnë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit dhe numër llogarie.
Tërheqja e dëmshpërblimit
Struktura përgjegjëse për pagesën e dëmshpërblimeve të ish-të dënuarve politikë në Ministrinë e Financave publikon, në mënyrë periodike, në faqen zyrtare, listat e dosjeve të gatshme për pagesë dhe bën njoftimin për të gjitha subjektet përfituese, pjesë e listës, nëpërmjet shërbimit postar, njoftimit me mjete të komunikimit elektronik (e-mail) dhe medias publike. Brenda një afati 3-mujor nga data e publikimit të listës, të gjithë ish-të përndjekurit, të cilët janë pjesë e saj, duhet të dorëzojnë në strukturën përgjegjëse të Ministrisë së Financave dokumentet e parashikuara në aktet nënligjore që janë nxjerrë në zbatim të ligjit. Kur një ish-i dënuar politik ose trashëgimtari /trashëgimtarët e ish-të dënuarit politik nuk dorëzon dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të parashikuar në paragrafin e mësipërm, ai/ajo njoftohet lidhur me përfundimin e këtij afati dhe i jepet një afat shtesë deri në 30 ditë. Në rast se dokumentacioni i kërkuar nuk dorëzohet edhe pas kalimit të afatit shtesë (30 ditë), pagesa i kalon personave që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të cilat, në përputhje me ligjin, kanë dorëzuar dokumentet e duhura dhe janë të gatshme për pagesë. Kur një ish-i dënuar politik ose trashëgimtari /trashëgimtarët e ish-të dënuarit politik refuzon të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të parashikuara si më sipër, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim. Edhe në këtë rast, pagesa i kalon personave që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të cilat, në përputhje me ligjin, kanë dorëzuar dokumentet e duhura dhe janë të gatshme për pagesë. Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare. Me kalimin e kësaj periudhe (3 vjet), personi që nuk ka plotësuar dokumentacionin e kërkuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, humbet të drejtën e dëmshpërblimit.”.

Dokumentet për përfituesit e mitur
1.    Certifikatë vdekje të personit ish-të dënuar;
2.    Certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish -të dënuar që nuk jeton më;
3.     Certifikatë familjare të ish -të dënuarit ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur;
4.    Dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor;
5.    Vendim Gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më;
6.     Nr. Llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Shqipërisë.

Drejtoria e Pagesave: Dokumentet që duhet të sjellin ish-të përndjekurit
Çdo ish-i dënuar apo trashëgimtar ligjor, që është listuar në një V.K.M. për dëmshpërblimin e ish- të përndjekurve politikë, duhet të postojë dokumentacionin e kërkuar në një nga pikat e Postës Shqiptare, të çdo rrethi, në adresën: “Ministria e Financave, Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve”
Sipas rasteve dhe radhës së trashëgimisë, dokumentet e nevojshme për të përfituar dëmshpërblim janë si më poshtë:
a) Për ish-të dënuarit që jetojnë :
Dokument identifikimi
Numër llogarie aktive në një bankë të nivelit të dytë
b) Për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë më:
Akt trashëgimie.
Certifikatë vdekje të të dënuarit.
Certifikatë trungu të të dënuarit.
Numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose prokurë.
o    Dokument identifikimi për përfituesit.
c) Në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e radhës së parë nuk jetojnë më, atëherë njëri nga trashëgimtarët në marrëveshje, do të postojë me të njëjtën adresë si në paragrafin e parë dokumentet e mëposhtëm:
1. Akt noterial trashëgimie për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më.
2. Certifikatë vdekje për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më.
3. Certifikatë të trungut familjar të çdo trashëgimtari të radhës së parë që nuk jeton më.
4. Numër llogarie aktive bankare për të gjithë trashëgimtarët e trashëgimtarëve të radhës së parë që nuk jetojnë më.
5. Fotokopje të Kartës së Identitetit apo Pasaportës të çdo trashëgimtari që vjen nga trashëgimtarët e radhës së parë, që i lind e drejta për dëmshpërblim.
d) Në qoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të radhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim në bazë të ligjit Nr.9831, datë 12.11.2007 (ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë. Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë së bashku me numrin e dosjes në adresën sipas paragrafit të parë të këtij sqarimi.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Disa dite me pare kryeministri komunikoi nje lajm shume te rendesishem , lidhur me dokumentacionet/certifikatat!

    Ketu me siper shkruhet qe KERKOHEN NJE MORI ÇERTIFIKATSH qe jane ne zyrat e shtetit dge i interesuari NUK DUHET TI KERKOJE DHE MARI VETE PERSONALISHT…. I GJEM/DUHET TO GJEJE SHTETI VETE!

    Ketu ……. Ju vazhdoni ti kerkoni ngashtetasut dhe ….. NUK ÇANI KOKEK ÇTHOTE KRYEMINISTRI!

    Shkruani nje koment oer kete me siper!

    Përgjigju ↓