BLUETOOTH

“Bluetooth” / Me kë është e zhgënjyer Jonida Maliqi?

16:00 - 21.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Jonida Maliqi: Jam e zhgënjyer nga miq që kam dashur dhe respektuar

Prej dy javësh, tashmë për publikun ajo është jo vetëm një këngëtare profesioniste por edhe një prezantuese e zonja. Këtë e ka dëshmuar më së miri në programin më të ri në bashkëpunim me Gjergj Lekën. Ndihet shumë mirë dhe e ndjen veten mjaft të realizuar, duke tentuar gjithmonë e më lart. Shumë shpejt, Jonida Maliqin do ta shohim me një tjetër imazh, në klipin më të ri me një jare shkodrane, në të cilin ajo përcjell vlerat e saj vokale. Në këtë rrëfim për “Bluetooth”, këngëtarja tregon të rejat më të fundit rreth jetës së saj profesionale dhe personale. Shumë e lumtur në dashuri, por e zhgënjyer disi nga persona që më parë i ka konsideruar miq. Hapi i madh që do e çojë drejt altarit? E ndjekim në vijim rrëfimin e këngëtares simpatike.
Tashmë, publiku po sheh një Jonidë ndryshe, falë programit më të ri në bashkëpunim me Gjergj Lekën. Sa të arrirë e ndjen veten?
Shprehem e bindur se ndihem shumë mirë, sidomos pas dy takimeve të para në emisionin “Kthehem të dielën”. Nuk ka qenë pikësynimi im që në një të ardhme të prezantoja një show të tillë, ku edhe vetë të isha protagoniste me numra të ndryshëm artistikë. Për këtë, doja të falënderoja përzemërsisht Gjergj Lekën, i cili ma besoi mua këtë rol.


Në cilën pikë ka arritur programi? Cilat janë përgatitjet më të fundit?
Në punojmë intensivisht gjatë gjithë javës për risitë që duhet të sjellim të dielën. Që nga materialet muzikore e deri tek personazhet e ftuar. Gjergji ka një punë akoma më të madhe, pasi të gjitha materialet muzikore realizohen në studion e tij në një kohë rekord.
Çfarë synon të nxjerrësh më shumë në pah?
Vetveten. Ky është faktori më i rëndësishëm për mua.


Çfarë të tërheq më shumë nga ky bashkëpunim?
Më tërheq e vërteta që bart ky emision. Ne mundohemi që të përcjellim tek teleshikuesit muzikën e vërtetë shqiptare dhe internacionale. Jemi të parët që kemi sjellë poezinë në ekran. Të ftuarit tanë janë profesionistë dhe gjithashtu iu japim mundësinë edhe talenteve të reja pa dallim moshe, për të provuar ethet e skenës.
 Për sa i përket muzikës? Ndonjë këngë apo klip në ardhje?
Po. Së shpejti do të nxjerr në treg një jare shkodrane, ku do të më shihni ndryshe në interpretimin e kësaj kënge me videoklipin përkatës. Kësaj here kam nxjerrë në pah vlerat e mia vokale si interpretuese e muzikës klasike. Videoklipin e kam realizuar me studio film produksion “Papadhimitri”.
Çfarë mundohesh të bësh më shumë gjatë ditës?
Oh, në këtë periudhë nuk di çfarë të bëj më parë, i gëzohem vetëm fundjavës.
Ku të pëlqen më shumë të shkosh në fundjavë?
Më pëlqen që gjatë fundjavave të frekuentoj klubet e natës, restorantet dhe sigurisht shtëpinë, që është më e dashura për mua.


Marrëdhëniet e tua me gjumin?
Mmmm, fle shumë. Mesa duket qenka çështje moshe (qesh).
Ke ndonjë shp-rehje parazite që përdor shpe-sh dhe nëse po, cila është?
Po, përdor shpesh: “Më the, të thashë”. Por kam vendosur ta heq nga fjalori im. Është një shprehje kaq absurde…
Si po shkon dashuria?
Mirë, shumë mirë.
 Duke pasur parasysh që prej vitesh keni njohur njeriun e zemrës, kur do të jetë hapi vendimtar që do t’ju çojë drejt altarit?
Së shpejti do ta hedhim hapin vendimtar, por do të preferoja pak privatësi, pasi kohët e fundit njerëzit më pyesin edhe në rrugë se kur do të martohem.
Sa shpesh thoni: “Të dua”?
Nuk ka ditë të mos ia shpreh partnerit tim dashurinë.


Po ndjesë kërkoni?
Duke arritur të kuptoj nëse e kam gabim, atëherë patjetër që kërkoj falje.
Është tip i ndjeshëm Jonida?
Po, madje më shumë se ç’duhet.
Nëse do të ktheheshit pas në kohë, çfarë do të donit të rregullonit apo korrigjonit?
Asnjë. Sot jam e lumtur edhe si pasojë e së shkuarës. Në jetë mund të ndryshosh gjithçka, përveç të shkuarës tënde.
Si e mendoni veten në një të ardhme të afërt?
Shpresoj të krijoj edhe unë familjen time.
 Sa miq dhe armiq mendon se ke?
Në këto kohëra më vjen shumë keq që s’mund t’i besosh askujt. Herët a vonë do të zhgënjehesh edhe nga ata individë që i ke dashur dhe respektuar. Unë nuk e kuptoj dot nga vjen gjithë kjo ligësi dhe pse njerëzit duan me doemos të merren me ty, gjithsesi e rëndësishme është që secili prej nesh të jetë mirë brenda mureve të shtëpisë, në paqe e harmoni.
Ky shkrim u botua më  2 shkurt 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.