OPINION

Sa shumë urrejtje e sa pak dashuri mes nesh

07:40 - 21.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Zoje JAKAJ*

 

Të dashurosh dhe të dish të duash në mënyrë të tillë që të mos ndjekësh rrugën e gabuar në jetë. Po e nis këtë shkrim me shprehjen që më dhemb në shpirt, kur e kuptoj ndonjëherë sa pak e vlerësojmë ne dashurinë dhe them me vete pse të mos kishte në këtë vend kurse të veçanta, ku njerëzit të mësonin mbi dashurinë, shkolla të veçanta për të vegjlit që të mësoheshin që të vegjël si të rriten me kulturën e dhënies së mirësisë kudo ku ata ndodhen e kur të rriten, të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për t’u përballur me qetësi me problemet, pa kaluar në urrejtje e dhunë, por të jetë rrënjosur me të mësuar brenda karakterit të gjithsecilit. Si të duan veten, jetën, botën që na rrethon, fëmijët, prindërit, miqtë mikeshat dhe termi i ditës të jetë transmetimi i dashurisë. Mbase kur ta lexoni këtë shkrim ndonjëri nga ju do thotë me siguri “autori/a nuk është mirë”, se në këto kohë të vështira nuk duhet të botosh këtë lloj shkrimi, por pas pak do e kuptoje që jo vetëm është i domosdoshëm ky shkrim, por me këtë prek në ndërgjegje të gjithë ata që kanë humbur sensin e dashurisë njerëzore dhe ua sugjeroj të tjerëve ta lexojnë se shërben për më të mirën e mundshme… Do jetë një veprim i mrekullueshëm t’i largohemi dhunës së fjalës, urrejtjes së transmetuar në gazeta dhe edicione lajmesh, në kryetituj sa u vranë dhe sa u vetëvranë, sa u aksidentuan. A nuk ka ardhur koha që njeriu si qenie e brishtë të vlerësojë veten dhe të mbrojë jetën nga këto strese e makthe që të sjellin në mendje epidemi lufte dhe jo kohëra paqeje?! Nëse njeriu i zakonshëm përpiqet të gjejë veten, çdo rrugë është vetëm njëri nga drejtimet ndërmjet miliona rrugëve të mundshme që zgjedh, prandaj duhet të kemi parasysh që një rrugë është vetëm në një drejtim dhe duhet të kuptoni të ndiqni drejtimin e duhur, i cili të çon drejt dashurisë për jetën dhe jo drejt dhunës së përjetuar për vete e të përcjellë tek te tjerët. Mendjet e arsyeshme dhe të logjikshme shpesh nuk besojnë totalisht në fuqinë e dashurisë dhe përpiqemi ta përkufizojmë si iluzion, opium të mendjes, mendim idealist etj. Kemi dyshime e paragjykime ndaj teorive që përpiqen të kërkojnë e të provojnë fuqinë e dashurisë, duke përcaktuar sjelljen e personalitetit njerëzor. Ama, të gjitha na shërbejnë për të kuptuar rëndësinë e të qenit i mirë dhe i dashur, nuk duhet të kënaqemi duke kopjuar shembuj jo të vlefshëm të personalitetit njerëzor, por të luftojmë e të përsosim vetveten. Një person i pasur me dashuri ka çfarë të tregojë gjithnjë, edhe kur nuk është aktiv në dhënien e kësaj ndjesie të veçantë, është unikal dhe përpiqet të ruajë e transmetojë mirësinë e dhënies së dashurisë. Për njeriun, gjëja më e madhe që ka është jeta dhe deri sa jemi gjallë, ka edhe shpresë – thotë një fjalë e vjetër. Te zgjedhësh jetën nuk është kaq e vështirë sa kujtojmë, e megjithatë janë të shumtë ata që nuk dine të zgjedhin rrugën e drejtë, atë të dashurisë, paqes, ndihmës së të tjerëve, humanizmit dhe perfeksionit të figurës njerëzore… Po ju ofroj disa përkufizime: “Jeta është e bukur, e duhet t’i gëzohemi asaj”. “Jeta është cilësi që e dallon një qenie të gjallë”. “Jeta është ajo periudhë në të cilën njeriu ia di vlerën dashurisë, lutjes dhe paqes”. “Një ditë të gjithë do ikim, është mirë të mbahemi mend dhe të kujtohemi me shumë dashuri”. “Duaje dhe vlerësoje veten e të tjerët dhe dashuria do te të mbushë çdo boshllëk, që vetë jeta të krijon në zgjedhjen e rrugës së duhur. Edhe nëse kjo rrugë e juaja kalon nëpër shtigje të errëta apo sakrifica të mëdha, ia vlen të jetosh me dashuri dhe ta transmetosh atë në ambientin ku ti punon dhe jeton”. Larg gjuhës së urrejtjes se po i helmojmë fëmijët tanë me dhunën verbale të fjalës e po rrisim të rinj të ashpër. Është koha të vëmë alarmin për më shumë paqe e mirësi në mesin tonë.

*Doktore shkencash

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Të lumtë për temën që ke zgjedhur! Ke shkëlqyer me spjegimin dhe alternativat që duhet të zgjedhur shoqëria shqiptare. Meriton cdo respekt dhe falënderim për inicimin e kësaj cështëje shumë të rëndësishme në jetën tonë të përditëshme me shpresë se nuk do mbetet vetëm në gazeta, por do të filloj e të punohet në këtë drejtim pikërisht nga ju si inicuese e guximëshme e kësaj teme në kohën që po jetojmë ne.

    Përgjigju ↓