OPINION

“Tahiri”, si shembull i një manie të opozitës

07:35 - 21.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 Nga Julian ZYLA

 

“Meqë asnjë nga deputetët e PS-së nuk ju ka ftuar sot, po jua jap unë një kafe”, u duk të mëshironte Blendi Fevziu, deputetin Saimir Tahiri në fund të një interviste të gjatë televizive. Gjatë asaj dite, kur arrestimi i Saimir Tahirit po dukej çështje orësh, shumëkush, përfshi gazetarin Fevziu, mendonte se PS e kishte braktisur deputetin e saj përfundimisht.

Por, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe nga deklaratat politike që e paraprinë dhe e pasuan nga të dyja palët, u kuptuan dy gjëra: 1) Dosja “Tahiri” i kaloi politikës dhe më shumë se dikush nga i cili duhet mbajtur distancë, Saimir Tahiri po duket fushëbeteja politike e radhës dhe kjo nuk do të ndryshojë nga arrestimi i tij i mundshëm. 2) Edhe këtë herë opozita, qoftë më vete, qoftë e bashkuar nuk arriti t’i shpëtojë manisë së saj të ekzagjerimit politik, edhe atëherë kur ndoshta nuk ka nevojë.

Në vitin 1998, republikanët amerikanë arritën të nxirrnin Bill Klinton në gjyqin e legjislativit pas një skandali seksual, nën akuzat për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë. Ata kishin shumicën e sapokonfirmuar në të dyja dhomat e Parlamentit dhe kërkonin shkarkimin e Presidentit. Këtë vendim duhet ta merrte Senati, ku republikanët kishin 55 senatorë, ndërsa demokratët 45 senatorë, por duheshin 67 vota ose dy të tretat e Senatit. Demokratët vendosën ta mbronin Presidentin dhe çështja u konsiderua prej tyre politike. Kështu, vetëm 50 senatorë ishin në fund pro shkarkimit të tij mbi akuzën për pengim të drejtësisë dhe vetëm 45 mbi akuzën për dëshmi të rreme. Për të dyja akuzat demokratët votuan të gjithë kundër.

Çështja “Tahiri” është tashmë në duart e politikës, e ndarë në linja partiake. Kjo nuk nënkupton patjetër që Parlamenti nuk do t’ia heqë imunitetin, por kjo mundësi tashmë nuk mund as të përjashtohet. Gjithashtu, edhe në rastin e heqjes së imunitetit dhe të arrestimit të tij, me ndihmën e PD, çështja ka marrë ngjyrat e një beteje politike.

Situata delikate për Partinë Demokratike është se sa më shumë të kërkojë arrestimin e deputetit, aq më shumë thekson ngjyrat politike të çështjes dhe cinikët mund të dyshonin edhe për rolin e tyre në këtë çështje që duhet t’i takojë vetëm drejtësisë. Në anën tjetër, prokuroria e para – Reforma nuk ka besueshmëri të mjaftueshme për të bindur shqiptarët se po bëjnë punën e tyre si të papolitizuar që duhet të jenë.

Por le të kalojmë tek aspekti më i ngushtë politik: mania e opozitës për të ekzagjeruar dhe për të kërkuar “impeachment” të kryeministrit si zgjidhjen e çdo ngjarjeje politike. Basha ka kërkuar dorëheqjen e Ramës për armët kimike, ka kërkuar dorëheqjen e Ramës për akuza për ekonominë, ka kërkuar dorëheqjen e Ramës para zgjedhjeve dhe kërkon dorëheqjen e Ramës tani pas zgjedhjeve.

Përpara zgjedhjeve, PD shkruante “Shqipëria Ngrihet” në sfondin e deklaratave për shtyp të përfaqësuesve të saj. Pa dyshim kishte pakënaqësi në publik për disa çështje dhe PD kishte arritur të organizonte disa protesta muaj më parë. Por, protestat kishin mbaruar dhe njerëzit ishin të gjithë në shtëpi. Ekzagjerimi jepte efektin e kundërt politik për Partinë Demokratike. Ndërkohë që shqetësimet që ngrinin mund të ishin të vlefshme, pesha që u jepnin ishte në disproporcion me perceptimin real të tyre nga njerëzit.

Edhe për çështjen “Tahiri”, mania e ekzagjerimit politik e z. Basha është në funksion sa herë që i jepet mundësia. Në këtë praktikë duket se po i bashkohet edhe opozita e (pa)bashkuar. Të gjithë jo vetëm që kanë shpallur Tahirin fajtor përpara se t’i hiqet imuniteti, por kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Pra, ky është synimi, e jo funksionimi i drejtësisë?!

Nuk po sugjeroj që Lulzim Basha t’i bashkohet Tahirit dhe Fevziut në kafe, por rezultatet politike me ekzagjerimin dhe ngritjen e zërit duhet ta bëjnë z. Basha të rimendojë strategjinë e tij. Çështja “Tahiri” është një mundësi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.